‘Çmendet’ moti në Greqi/ Nisin stuhitë, rrufetë dhe erërat e forta.
Pas nxehtësisë së vazhdueshme dhe zjarreve që shkrumbuan vendin, pati stuhi dhe breshër në shumë zona të Greqisë.
Vala e motit të keq filloi qysh pasditen e së mërkurës dhe arriti kulmin gjatë natës në Greqinë Veriore. Fenomenet mbetën të forta edhe në orët e para të së enjtes në Halkidiki. Kavala u godit nga breshëri i madh, ndërsa Larissa u përmbyt pas reshjeve të dendura. Në sheshin kryesor, sipas mediave greke, një pemë u “ça në dysh” dhe tërhoqi telat në shtyllat e energjisë elektrike.
Rrufetë e rëna në Atikë ndezën zjarre në gjashtë vende, por që u shuan shpejt për shkak të reshjeve të dendura të shiut. Moti i keq preku edhe Evian Veriore.