Kur nuk kanë kaluar as 24 orë nga publikimi i dosjes së skandalit të Pandora Papers, është zbardhur emri i kompanisë së parë mes 13 atyre shqiptare të përfshira në këto ‘letra’. Bëhet fjalë për “Al Energy Transmission”. BIRN shkruan se ka marrë dokumentet e regjistrimit të kompanisë nga Dosja “Pandora Papers” dhe rezulton se bëhet fjalë për AL Energy Transmission LTD është themeluar në mars 2013 në Ras al-Khaimah, një nga shtatë emiratet që përbëjnë Emiratet e Bashkuara Arabe, nëpërmjet një kompanie që jep shërbime për regjistrime ‘offshore’ e quajtur ‘SFM Corporate Services’.
Sipas dokumenteve të siguara nga BIRN, përfituesi fundor i kësaj kompanie, personi që është pronari dhe kontrollon kompaninë është një grua 40 vjeçare nga Tirana e quajtur Jola Duro. Ndërsa sipas planit të biznesit të kompanisë, të hartuar në shkurt 2013, përpara regjistrimit të saj, Duro listohet si menaxherja e zyrës, kurse Vasil Kallupi rezulton si menaxher projekti, themelues dhe administrator. Madje mes Duros dhe Kallupit ka edhe lidhje familjare pasi gruaja e Kallupit, Dëshira është tezja e Jola Duros. E pyetur nga BIRN, Duro nuk ka preferuar të japë asnjë koment në lidhje me këtë gjë.
Sipas planit të biznesit kompania u themelua me një kosto fillestare prej 8,600 euro me qëllimin të ofronte shërbime konsulence në sektorin e energjisë. Stafi i kompanisë kishte eksperiencë në sektorin energjisë në Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi dhe Kosovë, përfshirë në hartimin e projektit dhe ndërtimin e linjës 400 kilovolt Tiranë-Podgoricë dhe linjës 110 kilovolt në jug të Shqipërisë, të dyja të kontraktuara nga Energoinvest.
Dokumentet e para nga BIRN përfshijnë gjithashtu një deklaratë të llogarisë bankare të Al Energy Transmission nga banka Bendura me qendër në Lichtenstein, e cila mbulon transaksionit në periudhën nga viti 2013 deri në 2019. Sipas deklaratës, Energoinvest bëri 39 pagesa ndaj kompanisë së konsulencës për një vlerë prej më shumë se 3.6 milionë euro.
Transferta më e madhe prej 1.5 milionë euro, është bërë me 26 prill 2013, një muaj pasi AL Energy Transmission u regjistrua. Shumica e parave nga llogaria janë tërhequr nëpërmjet një kartë debiti për udhëtime, por ka edhe transferta për llogari të Vasil Kallupit, gruas së tij Dëshira dhe nipit të saj, Sokol Sferdelli.
Por kush është biznesmeni Vasil Kallupi?
Ai është themeluesi dhe administratori i kompanisë “Al Energy Transmission”. Kallupi jeton në Austri që prej viteve 1990 dhe njihet gjerësisht në Shqipëri si “Vasili i Vienës”. Dosja.al ka mundur të mësojë se biznesmeni ka qenë “pritja” që i rezervohej ish-kryeministrit Fatos Nano, kur ky i fundit shkonte në Vienë, ndërsa ka qenë edhe pjesë e strukturave të Ministrisë së Turizmit, në kohën e qeverisë Meta, kur dikasteri drejtohej nga i ndjeri Bashkim Fino, në vitet 2001-2002. Edhe pse ishte këshilltar i Finos, shumë njerëz pohojnë lidhjen e tij të ngushtë me Nanon.