Panairi i Librit në Torino/ Ermal Meta çel siparin e stendës sonë: Do të zbuloni një Shqipëri tjetër
Artisti Ermal Meta ka shënuar fillimin e 40 aktiviteteve letrare të Sallonit të Librit në Torino, ku Shqipëria është vend mysafir i edicionit të 35-të të këtij panairi.
Muzikanti, ka rrëfyer pranë stendës shqiptare historinë e tij nga fëmijëria në Shqipëri, emigrimi në Itali në ’94-ën, fitorja e Sanremos në vitin 2018 me këngën “Non mi avete fatto niente” (“Nuk më keni bërë asgjë”) tek debutimi i tij si shkrimtar me romanin “Nesër e përgjithmonë”.
Pas një prezantimi të veprës së Kadaresë në Panair, mediat italiane kanë përcjellë tregimin e artistit të njohur: “Jam shumë i lumtur që Salloni i Librit në Torino, zgjodhi që në këtë edicion ti dedikojë këtë hapësirë të veçantë Shqipërisë, që për italianët duket ende një vend kaq i afërt por edhe i largët. Shumë nga miqtë e mi e kanë vizituar dhe në kthim më kanë thënë: nuk mendonim se ishte kaq e bukur, e mendonim ndryshe! Përmes historive që do të rrëfehen në Panair këto ditë, publiku i Sallonit do të zbulojë se Shqipëria është një vend ku ushqehen shumë ëndrra”.
E ngritur në Pavijonin 1, stenda zyrtare e vendit tonë e përgatitur nga Ministria e Kulturës prezantohet në formën e një shkëmbi të hapur, të inspiruar nga qyteti i gurtë i Ismail Kadaresë (“Kronikë në gurë”).