Taulant Balla ka munguar në mbledhjen e parë të Sekretariatit të Partisë Socialiste, kjo pasi në postin e tij, Edi Rama vendosi Damian Gjiknurin.
Për këtë është pyetur Sekretari i ri i Partisë Socialiste, Gjiknuri, i cili deklaroi se nuk bëhet fjalë për pakënaqësi, por për “pritshmëri të ndryshme” që disa kanë.
Përveç postit të Sekretarit të Përgjithshëm, Rama hoqi Ballën nga Elbasani, duke e vënë drejtues politik në Fier.
Pyetje: A ka pakënaqësi brenda strukturës drejtuese të PS dhe si do ta menaxhoni ju këtë si Sekretar i Përgjithshëm?
Damian Gjiknuri: Nuk e di pakënaqësinë, këto mund të jenë konstatime të natyrës së anekdodave sepse unë nuk kam dëgjuar ndonjë pakënaqësi të strukturës. Natyrshëm që brenda një organizate, aq më tepër vullnetare ka dhe pritshmëri të ndryshme. Mund të ketë ndonjë mosrealizim të ndonjë pritshmërie, por janë gjëra të një procesi që do të vazhdojë dhe do të fashitet rrugës dhe jam i bindur që PS ka kaluar aq prova dhe më parë sa të mbajë të gjithë ekuilibrat e nevojshëm dhe të nxjerrë më të mirën e saj përsa i përket ekipit që ka. Kështu që nuk shoh ndonjë problem.
Pyetje: U ndje mungesa e z.Balla në mbledhjen e Sekretariatit?
Damian Gjiknuri: Në ç’kuptim? Nuk e di, për këtë duhet të pyesni z.Balla. Por z.Balla ka një detyrë shumë të rëndësishme që është drejtimi i grupit parlamentar socialist, kështu që mendoj ndarja e dy funksioneve gjithmonë është bërë në funksion të riorganizimit më të mirë.