ARTAN FUGA:
Prandaj, kam thënë dhe vazhdoj të them që ligjin elektoral nuk mund ta konceptojnë dhe ta votojnë deputetët sepse ata janë në konflikt të rëndë interesi duke bërë atë ligj që për turp bën që të jenë prej dekadash të njëjtët që riprodhojnë veten e tyre.
Prandaj kam thënë dhe them që nëse nuk ka një pushtet që kur deputetët “çmenden” në përhumbjen e interesave të qejfit të tyre, ta shpërndajë Kuvendin, si gjetiu, deputetët ka shumë mundësi ta humbasin logjikën politike dhe të flasin para gazetarëve idiotësitë më të pabesueshme në mbrojtje të ngrohtësisë që ndjejnë në vithe mbi kolltukun e deputetit.
Dhe këtu futet në lojë edhe aleanca perverse politikisht me ata që quhen kryetarë të partive pa elektorat. Ata si voton kush, kanë nevojë të grabisin votat e të gjithë kandidatëve që venë për të mbledhur vota etno-politike, krushqish, bashkëpatriotësh, vartësish, rrogëtarësh të mjerë që i kërcënojnë me vendet e punës në ndërmarrjet e tyre, etj., prandaj duan këtë ligjin elektoral me deputetë të fiksuar.
Kot flasin për monopole, oligarkë, e më the e të thashë. Monopoli më i ndyrë është ai politik. Dhe më i ndyri i të gjithë monopoleve të ndyra është monopoli mbi opozitën. Ju mbani të gjitha monopolet, ne mbajmë monopolin e të të qënurit në opozitë.
Ky lloj monopoli është shkatërrimtar për vendin. Ai e mumifikon sistemin politik, ai bllokon çdo rrotacion politik, aty është rrënja e korrupsionit në makrodimensionin e v et, aty është shkaku i largimit dhe i shpopullimit të vendit, ku shqiptarët ikin nga sytë këmbët ndërkohë që shohin se piramida e Kuvendit ka të njëjtët faraonë, apo feudalë, pastaj me radhë të njëjtët vasalë, agallarë, qehallarë, e kështu me radhë.
Dhe unë disi e kuptoj. Sa më lart të jesh në vendimarrjen politike të partisë, sot ndodh paradoksi, aq më pak vota merr. Rrezikon që një i panjohur, madje çdo birbo, të marrë vota më shumë se çdo i dalë boje i ulur mbi monopolin politik prej dekadash ka mbledhur aq mosbesim, aq zhgënjime, aq thyrje bese ndaj elektoratit të vet, sa rrezikon të kthehet në shtëpi veç me torbën e votave bosh.