Oligarkët i zhvatën tokën në Vlorë, Rama ia kompensoi me 2 ha pronë në Kalivaç; por ç’bëhet në Kadastrën Tepelenë
TEPELENË/ Ka indicie, se në Kadastrën e Tepelenës është përdorur një nga këto dy dosje: regjistrim me kompensim fizik fals e akt-shitje 125 lekë/m2; prandaj duhet verfikuar, sepse në këto zyra bëhen shumë marifete, nga “ustallarët” që nuk punojnë me kod, grafik, rend e akte sipas ligjit; por sipas listave e ofertave të “Maliqëve” të saj, zyrtarë me damka penale të cilët pas çdo abuzimi, krekosen sikur kanë mburojë partinë të cilës i kanë grumbulluar vota dhe drejtorin Artan Lame që i ka emëruar pa konkurs.
Përveç protestës kundër zaptimit të tokave, ujit e shkatërimit të rrugës nga oligarku Shkëlqim Fusha me HEC-in e dhëndrit të Erdogan, banorët e fshatit Kalivaç në Tepelenë kanë nisur një protestë tjetër, por këtë herë kundër Kadastrës.
Shkak janë bërë 2 hektarë tokë pjesë e ullishte-kullotës së komunitetit në fshatin Kalivaç; të cilën Kadastra e Tepelenës ia ka regjistruar fshehurazi shtetasit G. Osmëni nga Vlora, me akt kompensimi fizik, dhënë nga komisioni në Kadastrën Qendrore, siç thuhet.
Mund të duket çudi, por qytetari Osmëni, deklaron se ka qenë ish-pronar i 2 ha tokë në Vlorë, që ia ka zaptuar një oligark me ndërtim resorti; i cili refuzon t’i japë pjesë ortakërie apo vlerën e tokës.
Po sipas tij, pas përgjigjes nga kryeministri Rama, se oligarku zaptues “është investitor strategjik”, ish-pronari Gëzim Osmëni është kompensuar me 2 hektarë tokë në Kalivaç të Tepelenës, në tokat pronësi komunitare e në përdorim prej banorëve.
Kadastra e këtij rrethi, ia ka regjistruar tokën, pa asnjë konsultim paraprak me banorët, ndërsa banorët e Kalivaçit thonë se grabitja e tokës së tyre është bërë me gjoja kompensim fizik, të një banori që nuk as lidhje fisnore me fshatin.
Prapa këtij veprimi, fshihen njerëz me pushtet e miliarda të lidhur bashkë, që kanë menduar të ndërtojnë një resort në bregun e lumit Vjosë në Kalivaç; si pjesë turistike e HEC-it që po ndërton oligarku Shkëlqim Fusha dhe firma turke e dhëndrit të Erdogan.
Kryetari i fshatit Kalivaç, Fatmir Bilaj, ka deklaruar se i është drejtuar dhe Drejtorit të Përgjithshën të Kadastrës, Artan Lame, për të verfikuar nëse është real apo fals, akt-kompensimi fizik i 2 hektarëve tokë në këtë fshat buzë Vjosës.
Ndërsa Drejtori i Kadastrës-Tepelenë, Pëllumb Milori i rkthyer në këtë detyrë pas shkarkimit për zullume, u ka thënë banorëve se dosja me akt-kompensimin e tokës dhe urdhëri për hipotekimin në emër të qytetarit nga Vlora, i është dërguar nga Drejtoria Qendrore e Kadastrës.
Ajo që duhet verifikuar, është indicia, se në Kadastrën e Tepelenës, janë dy dosje për këto 2 hektarë: Njëra me letra për kompensim; ndërsa tjetra me letra për shitje, që Bashkia Memaliaj i ka bërë qytetarit nga Vlora, me çmim 125 lekë/m2 në bazë të VKM nr. 89, datë 03.02.2016.
SHËNIM DHE VIJIM/ Nuk dihet se cila nga këto dy skema është përdorur nga Kadastra-Tepelenë, por do publkojmë prova, që tregojnë se në ato zyra janë bërë e bëhen shumë marifete; nga “ustallarët” që nuk punojnë me kod, grafik, rend e akte sipas ligjit, por sipas listave e ofertave të “Maliqëve” nëpunës të saj me damka penale, të cilët abuzojnë e krekosen, sikur kanë mburojë partinë të cilës i kanë grumbulluar vota dhe krye-drejtorin Artan Lame, që i ka emëruar pa konkurs….