Një njoftim i çuditshëm është publikuar sot nga Departamenti Amerikan i Shtetit për të gjithë shtetasit amerikanë që duan të vijnë në Shqipëri. Në njoftimin e DASH, i ripostuar nga Ambasada Amerikane apelohet që amerikanët të rimendojnë udhëtimet në Shqipëri, për dy arsye: Covid19 dhe krimi në Lazarat.“Rishqyrtoni udhëtimet në Shqipëri për shkak të COVID-19. Ushtroni kujdes të shtuar në Shqipëri për shkak të krimit”, thuhet ndër të tjera në mesazh.
Por pse DASH përmend Lazaratin? Fshati i njohur për kultivimin e drogës ka që prej vitit 2014 që është hequr nga harta e zonave që mbjellin kanabis. Departamenti thotë se situata e sigurisë atje është e paqëndrueshme dhe Policia lokale ka aftësi të kufizuara për të mbrojtur udhëtarët.
“Situata e sigurisë në Lazarat mbetet e paqëndrueshme për shkak të krimit dhe dhunës që lidhen me kultivimin e marihuanës. Policia lokale ka aftësi të kufizuar për të mbrojtur dhe ndihmuar udhëtarët. Qeveria amerikane nuk është në gjendje të ofrojë shërbime emergjente për qytetarët amerikanë në Lazarat pasi punonjësve të qeverisë amerikane u ndalohet të udhëtojnë atje”, mbyllet mesazhi i DASH.
Të bëhet fjalë vallë për një njoftim të vjetër, apo mos DASH ka informacione që deri më tani nuk janë përfolur në Shqipëri? Prej gati 2 orësh, informacioni i publikuar nuk është ndryshuar nga faqja e DASH, duke lënë të kuptohet që nuk bëhet fjalë për një njoftim të nxjerrë gabimisht.