Bashkisë së Prrenjasit i ka mbetur ora një vit pas…
Faqet zyrtare të bashkive e njësive të qeverisjes vendore, nuk janë vetëm për foto, apo “lale-lule” ndaj fotove me korniza të drejtuesëve. Ato pasqyrojnë punën e një stafi nëpunësish në shërbim të komunitetit, që përfaqsojnë dhe japin edhe hapsira për zërin qytetar. Cdo zgjedhës, apo shtetas, në këto faqe gjen vetveten, por edhe propozon për probleme, që e shqetësojnë atë, apo komunitetin ku jeton. Rëndom shohim panorma të krerëve bashkiakë, që për një kanal, ka më shumë foto, sesa gjatësia e kanalit të hapur. Kjo është gjysma e të keqes. Ka edhe më keq. Është rasti i bashkisë së qytetit të Prrenjasit. Faqja e saj zyrtare ka një vit, që hesht. Asnjë lajmërim në dobi të qytetarit. Asnjë nismë apo punë që ka mbaruar, apo që është duke vazhduar. A thua se ky qytet nuk ka asnjë problem shqetësues! Apo administrate e kësaj bashkie është në gjumë! Botimi i fundit në faqen zyrtare të kësaj bashkie është postuar në 3 nëntor të vitit të kaluar. Është një vajzë e vogël, që ka realizuar një panoramë disi alpine. Afro një vit, që faqja virtuale e bashkisë nuk njeh, qoftë dhe një foto të kryetarit më së paku, që takon banorët e tij. Përgjigjen, se pse, mund ta japin vetëm drejtuesit e kësaj bashkie…