NGA FERMA NË TAVOLINË
Roprtazh nga “Ferma Uka” Nga Ymer Hysa Kur mora ftesën nga miku im Shefqet Meko, ish gazetari i Radio Tiranës dhe ish kryeredaktor i Gazetës Studenti i Bujqēsisë, pse ta fsheh, u ndjeva mirë dhe i emocionuar. -"Do mblidhemi te ferma Uka" nē Laknas, një shtërngim duarsh mes ne miqve gazetarë të bujqësisē ndër vite dhe dy tre-orë bisedē tē pērzemërt mes nesh, duke shijuar edhe "bujqësinë në tavolinë" ishte mesazhi i njoftimit të tij. Kisha dëgjuar për këtë fermë, për këtë "eden" pak minuta nga qendra e Tiranës. E dija që e administronte ish Profesori dhe ish ministri im i bujqësisë Rexhep Uka, i cili në kohën kur ishte ministër nuk arriti të nëshkruante emërimin tim Drejtor i Bujqësisë nga lufta e brrylave dhe nepotizmi që ishte ulur këmbëkryq në Kurbin. Mbase nga vlerësimi për të qenë korrekt me orarin, mbase që dhe trafiku më favorizoi, bëri që të isha tepër korrekt. Parkoi makinën para "portës gjigande" dhe të "lashtë" sa vetë ferma, portë e thjeshtë që më bëri ta përshkruaj ashtu, që edhe në bisedë të lirë me të zotin e saj do ta kuptoja se ishte bërë kaq e madhe për të kursyer shpenzimet për të mos u ribërë në kohën kur nga ferma do të dilnin kamionë me prodhime që nuk njohin ç'janë kimikatet dhe herbicidet. Aty jemi përballë njëri tjetrit, miq gazetarë të njohur prej dekadash, shijojmë prodhimet e Fermës Uka, evokojmë në kohë kujtime të bukura mbreslënëse, tregojmë barcoleta dhe përfshihemi në atmosferë festive. Sdo kishte kuptim ky takim pa një vizitë nëpër parajsë "Ferma Uka". Jo vetëm për ne, që e shohim me syrin e gazetarit, por për çdo vizitor kjo fermë do të vlerësohej jo thjeshtë "Kopësht Eden", por edhe siç do ta vlerësonte miku ynë gazetar Shefqet Meko "Një fermë model në “prehër” të Tiranës. Një simbiozë mes natyrës, njeriut, kafshëve dhe traditës, një “mutacion” befasues që në të vërtetë ka ADN-Rexhep Uka". Teksa ecim nëpër fermë dhe dëgjojmë professor Rexhepin të flasë gjithë pasion dhe entuziazëm, kuptojmë lehtë që kjo është “Stolia” magjike që ka krijuar profesor Rexhep Uka në fermën e tij bujqësore ku çdo rrënjë bime dhe ullishtat diellzojnë fjalën, punën, shkencën” siç do të shprehej në reportazhin e tij Gazetari Spasse Thanasi. Profesor Rexhep Uka ndjehet fatlum pasi studimet e tij shkencore ndër vite ka patur mundësinë ti konkretizojë te ferma e tij këtu në Laknas. Ai flet për bimët si të jenë fëmijë, i tregon me emra dhe bën përshkrime për ta që nga origjina e tyre. “Kjo është lëpjeta e famshme e bjeshkës së Tropojës, kjo është lakra e kuqe ruse, e cila ka lulëzim një muajor e shërben për bletët, kjo këtu është qershia e vogël që ekziston vetëm përpara Liceut të Korçës, andej është koleksioni i pemëve të mollëve të mbjellë në të gjithë Shqipërinë e që për kuriozitet bëjnë rreth 45 varietete, ndër më të vjetrat nga “molla gjyle” e deri te “molla suap” që ka ekzistuar në Korçë në vitin 1930. Pastaj flet për ullishtën e mbjellë në 20 vitet e fundit dhe gjithë plantacionin e pemëve të tjera prej reth 30 varietete të marra në Zvicër apo koleksionin e trëndafilave. Tepër interesant bima “Comfrey” simbol i permakulturës që lufton barërat e këqia dhe plehëron tokën me lëngun e saj apo lajthia e egër decorative, druri i akacias i marrë në Parisi si pema më e vjetër si dhe shumë bimë që tërheqin fluturat, jo pak por rreth pesëmbëdhjetë varietete si dhe lloje bimësh që prodhojnë insektet natyrale si lule “Tanezia” që është e njohur gjatë Luftës së Dytë Botërore ku çdo ushtar mbante një qese në brez me këtë bimë kundër pleshtave e morrave. Shëtitja nëpër këtë “Eden” nuk do kishte kuptim pa vizituar Laboratorin “UKA”. E mahnitëshme, një punë kolosale prej dekadash kish bërë që Prof. Rexhepi të ndërtonte “muzeun” e të gjitha punëve ku do të binte në sy faroteka e 500 kultivarëve të mbledhur nëpër Shqipëri dhe nëpër Botë. Më pëlqen ta quaj “Laboratori i jetës”, shprehet para nesh profesor Rexhep Uka, këtu ruaj koleksionin 50-vjaçar të punëve të mija krijuese e seleksionuese duke filluar që nga insektet e mbledhura në vitin 1968 në afidofaunën e Korçës si dhe koleksionin me entofarmën e Ullirit në Lukovë që nga viti 1985.Kjo më ka nxitur të vazhdoj punën studimore ku përfshihen : Entomofarma e NB Kamzës, Tapizës në veçanti, gjithë eskursionet nëpër Shqipëri, sidomos në disa zona specifike si Korça dhe bregdeti që nga Uji i ftohtë e deri në Butrint. Në këtë fermë nuk përdoren preparate kimike, insekticide apo herbicide. Këtu spërkatjet bëhen me preparate organike që i prodhon vetë profesori dhe plehërimi dhe luftimi i barërave të këqia bëhet përmes bimës Comfrey që përshkrova më lart, si dhe grackimi i insekteve përmes disa paisjeve, pajisje këto që shoqerojnë fazat e vrojtimit, studimit i seleksionimit shkencor në laborator. “Ky është “Kopshti i Biblës dhe Kuranit” do të na shpjegonte Profesori, kam përdorur variantin e librave të shenjtë e të bekuara ku trajtohen fidanë fasule që rriten 5 m, fidan ulliri i varietetit të marrë te Kisha e Shën Premtes në Vlorë, luledielli dekorativ i shkurtët, hardhi nga Piskova Përmet, trëndafila, preshi etj” Duke parë dhe dëgjuar këmbët na dërgojnë te kantina e Verës, që tashme ka formuar një traditë të qëndrueshme të shijes në tavolinë. “Synimi është që kjo Fermë të jetë një “Muze” ku turistët e huajt të vijnë e të shikojnë “Shqipërinë në gotë e në shishe, do na thoshte Arbër Uka i specializuar si Enolog ne Universitetin Bujqesor, teksa na mbushte gotat me verë të prodhuara nga kjo kantinë. Është verë e prodhuar nga kultivarët e rrushit vëndas. Në kantinën tonë prodhohen e tregëtohen disa lloje verërash si Vera “Kallmet”, që merret nga rrushi i Lezhës dhe Malësia e Madhe, Vera “Ceruja”, që merret nga rrushi i krahinës së Klosit si dhe Vera “Pulëz”, që merret nga rrushi i Beratit Roshnik si dhe Vera “Kallmet–Rozë”,që meret nga rrushi i Shkodrës,Zona e Shtoit. Kantina e Verës “UKA” është tepër e veçantë, ajo ishte disa metra thellë në tokë dhe zotëronte një Impjant me teknologji bashkëkohore që kryen në mënyrë të plotë dhe bio ciklin e prodhimit e të tregëtimit të Verës vendase. Kjo kantinë drejtohej nga Flori Uka, I diplomuar Enolog ne Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe specializuar në Itali Ky takim, mbase në dukje i rastësishëm ku mblodhi një grup miqsh nga gazetarët shqiptarë të bujqësisë do të mbahet mend gjatë, jo vetëm për faktin që u takuam dhe shkëmbyem biseda dhe përvoja, apo u çmallëm me njëri tjetrin, por edhe sepse “zbuluam” edhe këtë fermë ku produktet janë tërësisht natyrale dhe vijnë në tavolinë ashtu “siç i ka lindur nëna”. Kjo është Ferma Uka, unikale në llojin e vet dhe që “flet me gjuhë natyrore”, fermë me shumë pranë se larg kryeqytetit.
Drejtor
Vladimir Muçaj
Kryeredaktor
Besim Dybeli
Gazetar(e)
Valjeta Krosi
Enkelejda Troka
Ymer Hysa
Fidalete (Ahmeti) Muçaj
Greta Hoxha (Kulturë & Marketing)