Z. Sander Lleshaj,
Marr shkas nga postimi juaj i fundit në Facebook, për këto që do të them më poshtë.
Ju erdhët shpesh në Rragam, në kohën kur gëzonit statusin e Ministrit.
Erdhët, kur për të shkuar nga Rragami në Sheldi, bëje një orë rrugë. Sepse duhej të kaloje nëpër një rrugë që vetëm rrugë nuk mund ta quaje. Por ju, as që e morët mundimin të sillnit një investim të vetëm në atë zonë! E sot, sot nuk keni faj që e dashuroni këtë vend, sepse është një nga perlat e Shqipërisë.
Me shumë mundime e sakrifica, ne, sëbashku me banorët e palodhur të asaj zone, arritëm t’i rindërtonim ato rrugë; t’i ofronim zonës shërbimin e pastrimit; të ndriçonim qendrën e fshatit Rragam dhe shumë shpejt edhe atë të Sheldisë.
Ndërsa ju, Z.Lleshaj, çfarë bënit në këmbim?! Ju i arrestonit ata njerëz, pasi në ato pak toka që kishin, për të siguruar bukën e gojës, kultivonin duhan!
Erdhët si turist; aty ku nuk duhej, me sytë mbyllur, por unë sot jam shumë i lumtur, që ne ju kemi hapur sytë, dhe ju ofrojmë për të shijuar këtë natyrë të mrekullueshme, që ka kjo zonë e bekuar!
Ah, edhe diçka!
Z.Lleshaj, mos mendoni që ne harrojmë, që ju keni arrestuar edhe ato pak djem të rinj që i kanë mbetur kësaj zone e që nuk morën rrugën e emigracionit si shumë të tjerë, të cilët po protestonin paqësisht, për një jetë më të mirë. Ju i arrestuat duke iu vrarë edhe ato pak ëndrra që iu kishin mbetur, me shpresën se Shqipëria do të bëhej më mirë një ditë!
E këtë, unë edhe mund të ta fal, por nuk e di a të falin lotët e derdhur mes frikës e trishtimit, të prindërve të tyre…
Prandaj, më mirë se një ftesë për këtë zonë nga ana juaj, do të ishtë ‘një ndjesë’ ndaj kësaj zone!
E për të gjitha këto, jo, nuk mund të shfajësohesh me një postim: “Eja në Rragam dhe Sheldi”!
Të gjitha sa thashë më sipër, nuk po ua them si kryetar partie, dhe as si Administrator i kësaj Njësie, por po ua them si një prind i ri, me shpresë e besim se ky vend mund dhe duhet të bëhet! Për të ardhmen e fëmijëve tanë, për ne, për të gjithë shqiptarët!
Faleminderit!
Pjerin MARKU, administrator i Njësisë Administrative Guri i Zi