Një dosje kriminale me kromin në minierën Vllahen-Has; pronari Mehmet Dauti i firmës “Elidon-06”, kërkon ndihmën e SPAK
Drejtësia në “gjunjë” para të fortëve e korrupsionit/ Në këtë grabitje, janë përfshirë zyrtarë lokalë dhe qendrorë qeverie e policie dhe individë grupesh kriminale, të paguar nga zaptuesit, të cilët jo vetëm nuk i ndalon asnjë institucion shteti e drejtësie, por i lënë të lirë të plaçkisin pasuritë publike e individuale dhe të ushtrojnë dhunë mbi biznesmenin që kërkon të drejtën
Brenda 500 faqeve dokumenta, me përmbajtje licensa, denoncime, ankesa, kërkesa e kallëzime penale; pasqyrohet e plotë dhe e faktuar, historia e grabitjes me metoda kriminale, që i është bërë minierës së kromit Vllahen-Has, për të cilën ka leje shfrytëzimi firma “Elidon-06”, me administrator Mehmet Dauti.
Është licensuar me Leje Minerare nr. 1346, datë 20.05.2009, por nuk ka gjetur qetësi për të zhvillur normalisht biznesin, pasi gjendet përballë një sulmi grabitqarësh të minierës, nga dy ortakët e tij, shqiptari Arbër Zhilla e indiani Pramod Kumar Kothari, bashkuar në firmën “Indo Albanian Mining”
Biznesmeni Mehmet Dauti, shprehet, se në mbështetje grabitësve, janë vënë dhe drejtues e ish-drejtues të pushtetit lokal dhe qendrorë, të ministrisë së Energjisë e AKBN, të ish-Bashkisë Has, policë të zonës Tiranë-Durrës e deri të “fortë”, të paguar për presione e mos lejim të firmës “Elidon-06” në minierë.
Për grabitjen e minierës Vllahen-Has, për sulmet fizike e presionet deri në familje; biznesmeni Dauti ka bërë 3 denoncime në ish-Prokurorinë e Krimeve të Rënda, por nuk ka patur asnjë reagim, për të nisur hetimet, duke shpërfillur të drejtën e tij, për ta lejuar të ushtrojë biznesin e ligjshëm.
Së fundi, ka bërë edhe 2 denoncime në SPAK, ku kërkon hetimin e çështjes dhe ndalimin e veprimtarisë grabitëse të minierës (biznesit) nga pronarët e firmave “Ciceroni” e “Kothari Thermoplast Private Limited”.
Por SPAK, i ka kthyer përgjigje, se çështja penale me objekt grabitje biznesi me forma e mjete dhune, dhe në bashkëveprim me grupe kriminale e zyrtarë shteti, nuk hetohet nga SPAK, por nga prokuria lokale.
Referuar kodit të Procedurës Penale, kjo është përgjigje absurde, mbasi brenda kësaj dosjeje penale, nuk ka “fyerje në fshat”, por ka krim ndaj pronës publike, mbasi miniera e kromit, është pasuri shteti e dhënë në përdorim të shtetasit Mehmet Dauti.
Por në këtë akt kriminal, ka të përfshirë zyrtarë e ish-zyrtarë të lartë lokal dhe qendrorë, madje dhe zyrtarë policie e individë të botës së krimit subjekt të OFL-së, me rezidenca e aktivitet kriminal në zonën Tiranë-Durrës-Has.
Në sulmin dhe ndalimin e të drejtës së ushtrimit të aktivitetit nga firma “Elidon-06” në minierën Vllahen-Has; janë përfshirë edhe disa persona pronarë firmash fantazma pa licencë; të cilët në grup me ortakun e fimës “Ciceroni”, po zhvasin kromin nëntokë dhe rezervat e kromit pasuri shtetërore.
Po çfarë thotë dosja e plotë e këtij rasti; dhe cili është qëndrimi i denoncuesit, këto do bëhen të ditura në vijim./Pamfleti














