Para prokurorëve të SPAK është një dosje me fakte flagrante për biznesmenin Alban Peza, i cili është kapur nga Kontrolli i Lartë i Shtetit duke i vjedhur 27 milion euro shtetit dhe rrjedhimisht shqiptarëve, me shfrytëzimin abuziv të fushës së naftës në Ballsh.
Alban Peza, është nipi i Myslim Pezës, i cili me 5 qershor të vitit 1940 krijoi çetën e parë Antifashiste në Shqipëri. I njohur edhe si Babë Myslymi, mori shumë poste drejtuese qysh në konferencën e Pezës ku u zgjodh Anëtar i Këshillit, më pas zëvëndëskryeministër, deputet etj.
Por, nëse gjyshi luftoi për atdheun, nipi i tij, sipas një raporti të KLSH-së, ka plaçkitur atdheun me kompaninë Anio Oil & Gas, themeluar në vitin 2014, ku Alban Peza është administrator dhe pronar i vetëm i kompanisë së hidrokarbureve.
Raporti i KLSH është administruar nga SPAK prej disa muajsh, ku megjithatë ende nuk ka asnjë vendimarrje për ndalimin e biznesmenit apo bllokimin e pasurive, për dëmin që ka prodhuar në buxhetin e shtetit.
Alban Peza, ndërtues kullash në Tiranë, është lakuar dhe denoncuar për grabitjen e 17 mijë m2 tokë në Dhërmi si dhe për ushtrim dhune.
Në Vlorë është gjyqtar edhe familjari i tij, Enkel Peza, i cili i hoqi akuzën e bashkëpunimit mafies së pronave Helidon Gjikokës, i akuzuar për grabitjen e kompleksit Ambel në Dhërmi. Vendimi i Pezës u rrëzua nga Apeli, i cili vendosi marrjen e Gjikokës të pandehur.
Grabitja e naftës në Ballsh
Arben Peza fitoi të drejtën për të shfrytëzuar vendburimet e naftës në Ballsh-Hekal në vitin 2018, në mënyrë të dyshimtë dhe të paqartë.
Kompania e Pezës, në bashkëpunim me Albpetrolin dhe AKBN-në, ka përdorur zyrën përmbarimore të Altin Vakos, për të transferuar licencën e operimit të kësaj fushe nga kompania TransAtlantic Albania, Ltd, degë e kompanisë amerikane GBC Oil tek Anio Oil & Gas.
Kompania GBC Oil çoi në arbitrazh ndërkombëtar me shtetin shqiptar për dy fusha të tjera, atë të Cakranit dhe Gorishtit, të cilat janë konfiskuar nga autoritetet shqiptare në vitin 2017.
Më vonë u publikuan dokumente që demonstronin se për këto fusha autoritetet shqiptare kishin kohë që negocionin me një kompani ruse, Jurimex, para se të konfiskoheshin.
Fakti që shteti shqiptar ishte përballë arbitrazhit ndërkombëtar me këtë kompani, nuk ka ndaluar përfaqësuesit e AKBN, si autoritet mbikëqyrës në fushën e hidrokarbureve, të shkelin ligjin dhe të lejojnë që tjetërsimi i licencave hidrokarbure të bëhet tashmë nga përmbaruesit dhe jo më nga institucioni që është përfaqësues i shtetit shqiptar në këtë fushë.
Licencat hidrokarbure jepen vetëm nga AKBN e cila ka eksluzivitetin e dhënies së licencave në këtë sektor. Më pas arrihet një marrëveshje hidrokarbure me drejtuesit e Albpetrolit dhe këto licenca dhe marrëveshje kalojnë për firmë tek Ministri i Energjitikës dhe në fund aprovohen me VKM nga qeveria.
Vlera që kompania Anio Oil & Gas ka ofruar për të drejtat dhe detyrimet, në të ardhmen dhe në të kaluarën e kësaj kontrate, është një vlerë qesharake prej 700,000 USD.
KLSH ka konstatur se kompania Anio Oil & Gas ka abuzuar, duke i vjedhur shtetit 27 milionë euro.
Mbtetet për t’u parë nëse SPAK do të thellohet duke tërhequr fijet e korrupsionit dhe klientelizimit në administrimin e fushave të naftës, apo do të ndalet në sipërfaqe. ( Marrë nga portali Demaskimi)