Nikollë Lesi ka bërë parashikimin e radhës. Ai thotë se funksionarët në “selinë blu” po largohen nga zyrat e tyre duke marrë sendet personale.
Në një shkrim në “Koha Jonë”, bëhet me dije se përkrahësit e Berishës mund të sulmojnë përkrahësit e Bashës.
Burime të besueshme tregojnë se në selinë blu ka filluar ankthi i një konfrontimi fizik me turmat e demokratëve pas mbledhjes së Kuvendit Kombëtar nga delegatët e PD-së të cilët kanë firmosur sipas kërkesës së Statutit, natyrisht pas thirrjes së ish-liderit historik të demokratëve, Sali Berisha.
Nga Berati ish-kryeministrit Berisha lajmëroi se gjatë këtyre ditëve do njoftohet data e saktë e mbledhjes së Kuvendit të Jashtëzakonshëm të PD e ku sipas gjasave do të zgjedhin Sali Berishën kryetar, pas shkarkimit të Lulzim Bashës nga të gjitha funksionet në selinë blu.
Nga kampi i Berishës konfirmojnë se data do jetë e shpejtë për Kuvendin dhe se do të zbatohen të gjitha procedurat demokratike sipas Statutit të PD-së i cili ndodhet i regjistruar në gjykatën e Tiranës te regjistri i partive politike shqiptare.
Ndërkohë nga grupi i Lulzim Bashës në PD ka filluar tensionimi pasi e dijnë mirë se Berisha pas zgjedhjes si kryetar do të vijë në krye të një turme me mijëra simpatizantë dhe delegatë të Kuvendit.
Nga njerëz brenda selisë blu treguan se ka filluar mbledhja e plaçkave dhe dokumentave prej disa të besuarve të kryetarit aktual, të cilët i kanë transportuar nëpër shtëpitë e tyre me qëllim që më pas ti çojnë te zyrat e reja të grupit Basha te dy kullat në Bulevard.
Prej deputetëve funksionarë të Lulzim Bashës vetëm deputeti Agron Gjekmarkaj nuk ka pranuar të mbledhë e largojë materialet nga zyra.
Të njëjtat burime thanë se ka lëvizur dhe një kasafortë e madhe nga selia blu.
Të pyetur nga “KJ” mbështetës të Lulzim Bashës nëse ka të verteta se ai dhe stafi i tij po mbledhin plaçkat që të mos bien në duart e demokratëve ditën kur do hyjë Berisha në oborrin e selisë, ata thanë se “jo”. Dhe shtuan se zoti Basha nuk do të lëvizë nga zyra e tij ditën kur do të rrethohet selia e PD-së prej militantëve të Berishës.
“Zoti Basha e ka ndarë mendjen të mos nënshtrohet Berishës për hallet e tij dhe po të duan mercenarët e tij të guxojnë të ofrohen te gardhi i selisë blu se do marrin përgjigjen e merituar”- tha i njëjti burim pranë grupi proBasha.
Kjo përgjigje vendosmerie nga Basha nuk dihet nëse mbështetet te policia e Ramës apo te 97 % e demokratëve të cilët siç deklaroi Basha, janë me atë.\