Niko Peleshi u konfirmua ministër edhe në kabinetin qeveritar Rama 3, por ai vazhdon të ketë të hapur një dosje hetimore në Prokurorinë e Tiranës për kohën kur ishte ministër Bujqësie dhe që hedh dyshime ndaj tij për 4600 litra të futura në vendin tonë si helm insektesh, të njohura ndryshe si silikon mix.
I vendosur në lupën e Prokurorisë prej kohës së ish Prokurores së Përgjithshme Arta Marku, Niko Peleshi duket se i ka shpëtuar drejtësisë për shkak të shkarkimeve të prokurorëve nga vettingu duke sjellë në këtë mënyrë ping pong të dosjes mes prokurorëve. Që prej kohës kur ish prokurorja e shkarkuar Alketa Zifla kërkoi informacion mbi fatin e dosjes, Alket Mersini, prokurori që e hetoi çështjen pati të njëjtin fat, shkarkimin nga drejtësia.
Aktualisht, sic mëson Top Channel, dosja e silikon mix dhe për rrjedhim e Niko Peleshit gjendet në Sonila Domit, një ish prokurore e Krimeve të Rënda, e konfirmuar në detyrë nga vettingu dhe aktualisht vijon të jetë në pritje të një serie përgjigjesh nga institucionet doganore. Skandali i silikon mix u investigua nga Top Channel gjatë vitit 2019 ku dhe dolën në dritë se sasia prej 4600 litrash kimikate u lejua me firmën e Ministrit të Bujqësisë së asaj kohe, Niko Peleshi që të përdorej nga fermerët ndonëse AKU e bllokoi për shkelje të rënda.
Investigimi zbuloi njëherazi se silikon mix importohej nga jashtë si pleh kimik, nuk përmbante gjithë elementët kimikë që kishte brenda por në treg fermerët e përdornin si pesticid. Për te futur helme bujqësore në Shqipëri duhet marrë një leje e posaçme e cila kërkon standardet e Bashkimit Evropian dhe për të anashkaluar këtë pengesë importuesi e maskonte si pleh kimik. Por cila është lidhja e ish ministrit Peleshi me ngjarjen.
Me urdhrin direkt të tij, ngarkesës prej 4600 kilogram me këtë helm bujqëesor ju hoq bllokimi dhe u lejua shitja. Prokuroria e Tiranës hapi një hetim për çështjen dhe e thirri në prokurori ministrin Niko Peleshi, ndërsa hetimi po zgjatet në kohë jo vetëm nga vettingu por edhe nga mos kthimi i përgjigjeve të institucioneve që duhet të raportojnë procedurën./ Top Channel