Identifikohen viktimat e Tetovës, mes tyre një 29 vjeçare që tentoi të shpëtonte të ëmën.
Në Institutin e Mjekësisë Ligjore ka përfunduar autopsia e trupave të sjellë nga Tetova, pas zjarrit që shkrumboi spitalin në të cilin kuroheshin pacientë të sëmurë nga Covid-19.
Drejtoi i Institutit vendas të Mjekësisë ligjore, Aleksandar Stankov, tha se me ndihmën e “analizave të ADN-së janë identifikuar trupat e 14 viktimave të cilët humbën jetën mes flakëve në spital. Mendohet se mes viktimave është edhe një 29 vjecare, e cila po kujdesej për nënën e saj të sëmurë me koronavirus, si dhe një baba me djalin e tij invalid nga fshati Siniçan.
Në media ka qarkulluar lajmi se zjarri mund të ketë nisur pasi mjekët përdorën defibrilatorin në rastin e një pacienteje të sëmurë rëndë, por kjo nuk është konfirmuar nga autoritetet. Trupat e pajetë pritet t`u dorëzohen familjarëve. Ekspertë gjermanë pritet të mbërrijnë në Maqedoninë Veriore për të ndihmuar hetimin. Zjarri besohet se është shkaktuar nga shpërthimi i bombolave të gazit apo oksigjenit.
Ekipet e zjarrfikësve kanë shkuar në vendin e ngjarjes, por puna e tyre është vështirësuar nga flakat e zjarrit që shpërndaheshin me një shpejtësi të madhe dhe pothuajse në tërësi kanë shkatërruar objektin e spitalit modular, i cili ishte i ndërtuar nga një material jo i fortë. Sic pohoi dhe vetë kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi, gjithçka ka marrë flakë shumë shpejt dhe ka qenë shumë e vështire për të vepruar.