Ndoshta
Ndoshta do t’më japesh dorën
kur gjymtyrët të më kenë lënë,
e thinjat të më kenë mbuluar flokët si argjend!
Ndoshta do më përkëdhelësh me duar trupin e ngratë
ndoshta sytë nga sepetja ime e vjetër do hedhësh prap
e do shohësh ç’kam mbuluar me napë
e unë ndoshta do të të jap pak bukë të thekur me djathë
e pak duhan që për ty do ta kem fshehur nën sëndyk
po mos e pi do të të them ,
meri më parë erë, se mos ka zënë myk .
Atëherë nuk do të largohem më nga ty
gjymtyrët më kanë lënë e punoj veç me duar
atëherë do të jemi vetëm ,
agimet do t’i presim zgjuar.
Zogjtë kanë fluturuar në folenë e tyre
e ne do të grindemi të qetë të zemëruar gjer në thua .
Unë ç’kam hequr nga ti
e ti ç’ke vuajtur me mua
pastaj unë nuk do të kem më fuqi
ti gjithmonë ke fituar.
Do të dal aty në oborr të marr dy shkarpa
e të ndez zjarrin për ty
pastaj do të të ulem pranë
e do të të shoh drejt në sy
Unë e kam dashur zjarrin tënd
aty jam ngrohur si tek Perënditë
tani veç shpirti më ka mbetur
mere pak nga pak çdo ditë.
Zotat dhe ti ma morët bukurinë
Kujtohu i dashur e re si kam qenë
Fati se deshi të shijonim rininë
Po tani kam bukurinë e emrit Nënë.
……………………………………………….
a@z