RIKTHIMI SULLTANIT
Kot kemi thënë
Se e kemi përzënë,
Prej truallit tënë!
Ai është rikthyer,
Me minare dhe tylbe,
Me çallmë e me xhybe,
Ulur këmbēkryq.
Jo hapin s’e ndal
Kanal më kanal,
Osmançe na flet,
Qytet më qytet,
Shtrire gjithandej,
Në tokë e në qiej.
Si zot na bën gjyq!
Di veç, që ka ardhur,
I zbardhur, i mardhur,
Të shihet, të njihet,
Me sorrat dhe hijet,
Ngadalë po ndihet,
Se pret të ringrihet,
Monument!
Me temena seç e pritën,
Si natën dhe ditën;
Të parët, pashallarët,
Të marrët, zuzarët,
Agallarët, qehallarët,
Këtu paskan qenë,
Ja në këtë vend!
Bimbashët, dollibashët,
Trutrashët, qyrrashët
Bejlerët, efendilerët,
Kadinjtë ,spahinjtë,
Anadollakët, guhakët,
Afijet dhe hijet,
E të tjerë plot e plot.
Lëpihen e lëpijnë,
Sëhanët, tiganët,
Tenxheret, menderet,
Terxhumanët,
Rrufjanët, hajvanët,
Pelivanët shejtanët,
Askush s’i ndal dot.
Skuthët, mamuthët,
Kopukët, dallkaukët,
Bashibozukët,
Servilët, kopilët,
Budallët, bukëshkalët,
Majmunët, merhumët,
Sekush më idiot!
Kohë të përgjumura,
Qënie të përunjura,
Pa besë e pa ngjyrë,
Në shpirt na ka hyrë,
E liga si tënja
Tek lulja dhe rrënja
Ruajna zot!
Po buças e po plas,
Me duf e maraz,
Se s’dua ta qas.
Shqip po të flas
Ty ore popull,
Ti rrotull e rrotull,
Guximin e gjen,
Otomançe ma kthen!
Nga Ymer Nurka