KURBINI LETRAR
-Nga Ymer Hysa- Si çdo trevë shqiptare edhe Kurbini me historinë, kulturën, traditën, bukuritë natyrore do të frymëzonte ndër breza talentet e tij letrarë të shkruanin këngë, poezi, tregime, drama dhe romane. Kur them Kurbini Letrar kam parasysh të gjithë shkrimtarët dhe poetët që jetuan në këtë trevë të lashtë e të bukur që i dhuruan përmes vargjeve të shpirtit visare.këtij vendbanimi të veçantë Është ky Kurbin që do të mahniste jo vetëm njerëzit e talentuar të tij, por edhe vizitorët e huaj, të cilët do të derdhnin vargje në buqeta dashurie. Nga fundi i shekullit të 19-të e fillimi i shekullit të 20-të edhe në Kurbin do të lulëzonin Rilindasit e tij. At Vincens Prenushi do të mblidhte këngët e bukura të trevës qofshin ato patriotike, të dasmës, vaje apo humoristike, për ti botuar në vitin 1911 në Sarajevë në librin e tij ”Këngë Popullore Gegnishte”, At Shtjefen Gjeçovi jo thjeshtë i mahnitur nga patriotizmi kurbinas, por edhe vetë si patriot i flaktë do të shkruante “Kryengritja e Kurbinit 1903-1906” e “Parradija e popullit ase Kryengritja e Dheut të rrethit të Krues me 54 pleq në krye, kundra urdhënve e dokeve të reja t’Osmanllive. 1903, 1904, 1905, 1906” duke pasqyruar realisht fillimin e kryengritjes antiosmane në fillim shekullin e kaluar si zanafillë e kryengritjes së përgjithëshme shqiptare që do të çonte në vitin 1912 në shpalljen e pavarësisë. apo edhe të shkruante Kanuninin e Leke Dukagjinit. Edhe autori Austriak Hugo Adolf Bernatzik do të shkruante për Kurbinin në librin e tij “Shqiperia Vendi i Shqipetareve”. Po kështu edhe studiuesi kanadez Robert Eslie do të shkruante për Kurbinin në librin e tij “Fiset Shqiptare”. Gjurmë të thella në Kurbinin Letrar do të linte edhe kleriku Dom Frano Ilia me librat e tij dhe veçanërisht me Famullia e Kurbinit, ku do të shpaloste jo thjeshtë origjinën e krishterë të kësaj treve, por edhe historinë heroike dhe harmoninë fetare të këtij rrethi si askund tjetër, apo shkrimtari Kol Jakova me vepren e tij “Garda Krutane” Krijimtaria letrare e kurbinasve vazhdoi edhe në vitet e socializmit. Me formimin e qytetit të Laçit, veçanërisht pas ndërtimit të veprave industriale do të bëhej e mundur që ai të popullohej edhe më të ardhur nga të gjitha rrethet e Shqipërisë dhe të hapeshin shkolla e mesme e përgjithëshme dhe profesionale, të ndërtohej pallati i Kulturës dhe bibloteka si dhe të hapeshin rrethe letrare jashtë shkollore për talentet e rinj etj. Talentet do të spikatnin, fillimisht poetët Lek Pervizi, Ndue Laska, Agim Doda, Agim Doçi, Ruzhdi Keraj, Gjergj Gjaci, Ndoc Logu, Mimoza Ahmeti, Dashamir Dini, Moisi Dhimuli, për tu pasuar me të rinj të tjerë tepër të talentuar si Grigor Jovani, Vlash Prendi, Zef Pjetri, Kujtim Hoxha, Pilo Zyba, Ymer Hysa, Pashk Loku, Ndue Pepa, Ded Luca, Qezar Rica, Durim Taçi, Simon Tota, Ligor Stafa, Margarita Stoja, Kastriot Marku, Met Nelaj, Selman Hasani, Begtash Zeneli, etj. Jo vetëm rrethet letrare të shkollës apo ato të pallatit të kulturës, por edhe Gazeta Lokale Kastrioti do të ishte organizëm i rëndësishëm promovues dhe stimulues i këtyre talenteve. Tradita do të vazhdonte ndër vite, talente të rinj do të spikatnin në çdo kohë. Besiana Avdyli, Valbona Kolaveri, Vjollca Keqi, Dhurata Hoj, Mimoza Selmani, Valbona Gjoni, Merita Lala, Merita Prenga, Elsa Dede, Erjola Çoku, Fabiola Marku, Aleksander Ilia, Lumturi Xhepa do të ishin ardhjet ndër vite që do të sillnin në duart e lexuesve thesare poetike. Këta ishin disa emra nga autorët që jetonin, punonin dhe shkruain në Kurbin, pasi pati edhe të tjerë që studionin jashtë Kurbinit si Lek Pervizi, Pjeter Hidri, Simon Gega, Sinan Tafaj, Sabri Laçi, Agim Mero, Ndoc Vata etj, që mbase disa prej këtyre nuk bënë krijimtari të mirfilltë letrare si poezi, tregime apo romane, por i dhuruan fondit krijues libra historikë dhe shkencorë, duke i bërë të njohur në fushat e tyre si Doktorë Shkencash apo Profesorë. Shumë autorë nuk patën mundësinë e botimeve në moshë të re, kjo sdo të thotë aspak se ata nuk shin të talentuar. Ndonëse me vonesë, librat e tyre erdhën në duart e lexuesve si fruta të pjekur dhe erëmirë. Librat e studiuesve Lek Pervizi, Nikoll Gj, Lleshi, Pjeter Nikolla, Kastriot Marku, Zef Kola, Vlash Prendi, Grigor Jovani, Mal Berisha, Ruzhdi Keraj, Kujtim Hoxha, Qezar Rica, Ligor Stafa, Luftar Pepmarku, Mhill Gjini, Idriz Xaka. Osman Sharra, Sulejman Xhixha, Cen Shafloqi, Zef Pjetri, Ymer Hysa, Begtash Zeneli, Viktor Selimi, Leni Luci, Mark Alia, Met Nelaj, Kol Gurra, Isuf Lika, Islam Sinani, Nikoll Gjoka, Sinan Diva, Gjon Lleshi e shume te tjerë, që u kërkoj ndjesë që mbase si kam pērmendur, janë një thesar i Kurbinit Letrar. Sot që mundësitë për të shkruar dhe botuar janë më komode dhe më të shumta edhe diferencimi i talenteve kurbinas krahasuar me ata kombëtarë është i nivelit të kënaqshëm. Poetë dhe shkrimtarë si Ervin Hysaj, Liza Brozi, Matilda Brozi etj janë zëra të fuqishëm në krijimtarinë letrare shqiptare. Krijimet dhe botimet e tyre kanë tërhequr vëmendjen edhe të kritikës letrare, duke u vleresuar me çmime. Gjatë muajit Tetor, tashmë të pagëzuar si muaji i letersisë dhe arteve, kam patur nderin të jem i ftuar si poet në disa shkolla të rrethit, si ato 9-të vjecare ashtu edhe në ato të mesme. Kudo kam vënë re se spikatin talente të rinj krijues që duhen mbajtur afër dhe mbështetur. Ata kanë nevojë jo thjeshtë për mbeshtetje finaciare për krijime të veçantë, por në fund të fundit me botimin e një almanaku me krijimet e tyre, ku ata të hedhin cicërimat e tyre, këngët e para. Bibloteka e qytetit dhe biblotekat e shkollave duhet ti kenë në fondet e tyre librat e krijuesve Kurbinas, Këshilli bashkiak duhet të veçojë nga buxheti i Bashkisë një fond të veçantë për ti blerë këto libra, që do të ishte padiskutim një vlerësim për krijuesit kurbinas. Mbase jemi ndër rrethet e rralla, ku mungon gazeta e rrethit, tv lokal. lidhja e shkrimtareve dhe artisteve etj. Nuk rendita botimet e autoreve me tituj, ka nga ata që kanë botuar libra me shumicë, por desha të tërheq vëmendjen që këta autorë duhen vlerësuar qoftë edhe me botimin e një libri të vetëm. Libri nuk është thjeshtë një dritare, por një verandë nga ku mund të shohësh hapësira pa fund. Sot duhen gjetur forma nga më të ndryshmet që libri të kthehet në duart e lexuesve, didomos te të rinjtë, të cilëve po u zënë kallo mollzat e gishtërinjve prej prekjes në telefonë duke ndjekur rrjetet sociale që nuk afrojnë asgjë krahasuar me librin.
-ndjese per kedo krijues qe i kam harruar emrin per momentin-