PSE DUHET MANDATI I TRETË
E duam Mandatin e Tretë për një rilindje jetësore të ditëve të bekuara të së sotmes dhe së ardhmes.
“Dy luftëtarët më të fuqishëm janë durimi dhe koha.”( Lev Tolstoy)
Shqiptarët duhet të bashkëjetojnë me këta dy luftëtarë dhe të kenë besim te politikat ekonomike që ne ofrojmë për ndryshime rrënjësore dhe reformuese. Për të forcuar bindjen te shqiptarët, në këtë Mandat të Tretë, do të rindezim shpresën. Besimi lind shpresën, prandaj kërkojmë që të keni besim dhe të na mbështesni për t’i dhënë Shqipërisë një të tashme dhe të nesërme europiane. Ideja e forcës sonë politike për të bërë shtet për shqiptarët është tepër humane sepse udhëhiqet nga ideja e së mirës. Prandaj forca e shtetit nuk është te njerëzit, te kulti i personalitetit, por te kulti i idesë së mirë për të krijuar shtetin e mirëqenies, që është i vetmi që krijon standard të mirë dhe optimizëm për qytetarët shqiptarë.
- E duam Mandatin e tretë për të vazhduar me tej vijueshmërinë e rindërtimit ku çdo teritor i vendit të përfshihet në zhvillimin e turizmit dhe në rritjen e standartit të jetës.
Kushdo që është larguar nga Fieri, aty nga vitet 90, dhe kthehet pas shumë vitesh në vendlindje, e ka të vështirë të orientohet me ndryshimet rrënjësore që janë bërë vitet e fundit në këtë qytet. Teksa vështron me kërshëri si shpërthen sythat gonxhja e realitetit, loti i mallit tretet me lotin e gëzimit. “Guri që shkulet nga vendi i tij, e degdiset gjetiu, do kohë gjersa të zërë prapë bar përreth…“, shkruan shkrimtari Jakov Xoxa në romanin “Lumi i vdekur”. Por në këtë rast, qenësia e këtij guri, edhe pse është degdisur larg, diku në një skaj të botës, rrënjët i ka në vendlindje dhe nuk është aspak çudi që juga e bardhë, që zakonisht fryn në pranverë, të shpërthejë gonxhet e jetës përreth tij, që të frymojë lirshëm në tokën ku i ka rënë koka. Sa futesh në këtë qytet, që ka ndryshuar pamjen rrënjësisht të pushton ndjesia e së bukurës që të rrëmben në pafundësinë e përjetësisë. Teksa ecën përgjatë ambienteve të parkut qendror të qytetit, të pushton magjia e botës së artit figurativ, të paqëton shpirtin kumbimi i një lloj muzike që prek qiejt e perëndishëm të kohërave. Ky park dikur ka qenë një ngrehinë me pamje të frikshëm që përcillte imazhin më të shëmtuar të kohës, kurse arti frymonte në një ambient, ku përplasej me dallgët e kohës për të mbijetuar.
Na duhet ky mandat qeverisës për të vazhduar punët që kemi nisur dhe për të realizuar projekte mëdha në Qarkun e Fierit që tashmë është bërë pjesë e këtyre projekteve si asnjëherë tjetër më parë. Projekti për reabilitimin e lumit Gjanica është një projekt i shtrirë në kohë, gjithëpërfshirës për të krijuar lidhjen organike ndërmjet Gjanicës dhe qytetit të Fierit. Tashmë, falë këtij projekti është krijuar një imazh i ri jo vetëm për lumin, por edhe për infrastrukturën e qytetit në tërësi. Të tjera projekte të qeverisë Rama, në këtë mandat të tretë, do të jenë mbështetja e fermerëve me fonde për bujqësinë. Mbështetja për zhvillimin me përparësi të turizmit, si pjesë të rëndësishme të ekonomisë shqiptare në zhvillim.
*E duam Mandatin e Tretë sepse jeta e çdo qytetari shqiptar është bekim nga Zoti dhe duhet mbrojtur me çdo kusht. Me projektet që kemi në vijimësi për shëndetësinë do të fokusohemi në aspektet themelore të përmirësimit të kujdesit shëndetësor në Shqipëri, si dhe në përmirësimin e infrastrukturës së godinave spitalore. Vaksinimi i popullsisë një prioritet që mbron çdo jetë.
*E duam Mandatin e Tretë për të realizuar projektet për një arsim bashkëkohor, duke mbështetur çdo aspekt infrastrukturor, ligjor për nxënësit dhe mësuesit. Për të çelikosur themelet e civilizimit të shoqërisë, e rëndësishme dhe primare është ruajtja e vlerave të arsimit nëpër kohëra, edukimi i brezave dhe brymosja me dije për të çuar përpara prosperitetin e kombit. Prandaj përkushtimi i misionarëve të arsimit është vlerësuar dhe do të vlerësohet nga qeveria Rama.
*E duam Mandatin e Tretë për të mbështetur fuqishëm gruan në jetën politike, ekonomike, sociale dhe shoqërore të vendit. Sot,Shqipëria renditet në tre vendet e para në botë për përfaqësimin e grave në jetën politike të vendit. Gratë fierake e më gjerë, janë përfaqësuar denjësisht në politikën shqiptare, duke zbutur sadopak klimën e konfliktit që mbanë peng zhvillimet demokratike në vend. Është sfidë e kohëve të fundit, që një grua është jo vetëm intelektuale e suksesshme, apo politikane e zonja, por dhe një nënë e bashkëshorte unike.
*E duam Mandatin e Tretë për të forcuar themelet e shtetit të së drejtës që është shtylla e demokracisë. Për Reformën në Drejtësi. Për gjithë shqiptarët, sot ka një arsye për më shumë besim tek e ardhmja europiane dhe prosperiteti i vendit, për më shumë energji të reja dhe për më shumë krenari për emrin tonë.
YB










