Degradimi i një prej institucioneve më të rëndësishme të shtetit shqiptar.
Një i njohuri im më bëri një rrëfim. Ja çfarë më tha: “Para pak kohesh në Ankara më rastisi që në një prej ditëve të vizitoja edhe zyrat e TÜRKIYE PETROLLERI A.O. (Türkiye Petrolleri Anonim Ortaklığı) institucioni që meret me menaxhimin e proҫeseve të shpimit, kërkimit,prodhimit , rafinerinë dhe ҫdo gjë tjetër që ka të bëjë me fushën e hidrokarbureve në Turqi ndërsa në Shqiperi institucioni ekuivalent i tij quhet Albpetrol Sh.A.
Mbeta i mahnitur nga prezantimi që më bënë miqtë që me shoqëronin ku më shpjegonin me detaje menyrën e menaxhimit serioz dhe rezultativ, kontributet ne GDP-në e vendit duke e shndërruar atë institucion në një nga më të rëndësishmit në ekonominë e atij shteti”- përfondoi ai mes të tjerave.
Që prej asaj dite u ngacmova në sedrën profesionale si gazetar i vjetër që të jem gjithë sy e vesh tek Albpetroli ynë në mënyrën se si menaxhohet , si emerohen punonjësit ,si përdoren paratë e arkës , prokurimet publike etj.
Vëzhgimi disa mujor më rezultoi shokues e thellësisht zhgënjyes, vite e mbase shekuj larg institucioneve ekuivalente në rajon. Kohës kur në këtë institucion punonin me ndershmëri dhe përkushtim mijëra punonjës të kualifikuar, teknikë, inxhinierë të zotë dhe specialistë të tjerë që studiuan në shkollat tona të naftës, në Universitetin e Tiranës, si dhe një pjesë e tyre diplomuar jashtë vendit në universitete me emër në botë i kishte ardhur fundi.
Duket sikur kanë kaluar shekuj nga ajo periudhë pasi që situata aktuale më rezulton e mjerueshme dhe ndihet nevoja ulëritëse për një ndërhyrje radikale duke filluar nga Kryeadministratori aktual e deri tek gjithë të tjerët që e pasojnë . Në këtë degradim sistematik të Albpetrol kanë ‘kontribut’ të zellshëm padyshim të gjithë administratorët. Kanë ‘kontribut’ këta të sotmit ata të ‘djeshmit dhe pardjeshmit’ administrator të emëruar nga PS-ja apo PD-ja! Për hir të së vërtetës tatëpjeta e kësaj kompanie nisi në kohën e qeverisjes së PD-së, por fatkeqësisht fati dhe perspektiva nuk ndryshoi as me drejtuesit e komanduar nga pushteti i PS-së! U ndoq e njëjta linjë drejtimi, ajo e zullumit e vjedhjes ( nga këta të radhës së PS strategjia ‘kap cfarë të kapësh’ ka qenë më e ‘rafinuar’)…
Shpresa që lindi prej shtatorit 2020 me vendosjen e një administratori qe për hir të së vërtetës vinte nga fusha e hidrokarbureve dhe mendohej se do të sillte me vete një frymë të re drejtimi këtij institucioni rezultoi e kotë. Pertej pritshmërive duhet thënë si një hap pozitiv ishte mbyllja e zyrave të Kompanisë në Tiranë ku vegjetonin punonjës me rroga të majme pa bërë ndër vite asnje punë në dobi të Alpetrol si dhe dy ankand-shitjeje të naftës nga administratori i ri. Me këto dy pika të realizuara u duk sikur lindi “dielli” per Albpetrol. Shkeputja e administratorit te ri per shkak kandididimi per deputet krijoi amulli aq sa nuk po kuptohej dhe efektet pozitive të nisura që në start.
Që në ditët e para pas emërimit filloi rekrutimin në administratën e Albpetrol-it të militantëve partiakë e individëve të paaftë , të pakualifikuar e me të kalauara të dyshimta, që për ironi të fatit në shumicën e rasteve rezultonin me bindje të djathta dhe votues tradicional të saj prej 30 vitesh. Një deputete e PS-së, as ajo vetë nuk besoj se e di saktë sa individë punësoi në Kompani pas ardhjes së administratorit të ri. Per interesat e saj sigurisht me statusin e deputetëllekut ajo u imponohej drejtuesëve njësoj sikur Alpetroli ishe “lopa”e saj dhe kjo detyrë kishte vetëm mjeljen!
Emërimi i parë ( jo me ndikimin e deputetes) shpërblyes i një personazhi që reklamonte me mikrofon në dorë në Fier në vitin 2017 ” Republikën e Re” të dikurshme të Bashës e që ҫirrej rrugëve të qytetit me thirjen famoze ” Rama Ik ” shokoi mbarë opinion publik fierak duke i lënë të gjithë gojëhapur të majtë e të djathtë të ndershëm. Megjithatë duke qënë rekrutimi i parë u justifikua si një lajthitje e momentit ,se po mësonin dorën dhe vijoi me lënien në heshtje dhe pa asnjë reagim zyrtar.I vetmi që murmëriti zbehtas ishte Petro Koҫi por pamajaftueshëm për tu përcjellë mesazhin e fundit të marrëzisë mbase edhe ai hera here gjente personalisht shumë pikëtakime në koncepte e ide me drejtuesit e sotëm nën moton ” bashkëvuajtës bashkëfajtorë “.
Ajo që ndodhi në ditët pasuese të tetorit dhe nëntorit 2020 ishte edhe më e frikshme, filluan të shfaqeshin në korridoret e Albpetrol-it personazhe të botës së krimit me listë emërore në dorë me qëlimin e vetëm punësimin masiv të trungut familjar deri në nivelet e pesta të kushërinjve e krushqive e gjitonive . Personazhe që jo më larg se zgjedhjet e kaluara i thyenin dhëmbë e dhëmballë numëruesve socialiste tek palestra e shkollës industriale ” Petro Sota “, apo në zgjedhjet që sapo lamë pas mbështetën me fanatizëm subjektet opozitare LSI dhe PD.
Fenomeni i tretë pas dy të theksuarit më lart ishte shtimi i radhëve me ҫupëlina simpatike anonime pa më të voglin kontribut në asnjë sektor të jetës civile apo partiake por me hire fizike të lakmueshme e epshndjellëse për drejtuesit aktualë që endeshin korridoreve të institucionit apo mereshin me vete në udhëtime qejfi të maskuara gjoja nën petkun e “ekspeditave të punës për kërkimin e shpimin” dhe zoti pastaj dëshmitar ҫndodhte në Sarandë , Theth , Vlorë etj.
Fenomeni i katërt emërimi i ҫunave dhe gocave që banojnë e jetojnë në Tiranë por paguhen pa u paraqitur asnjë ditë të vetme në ambjente e punës në sektorët ku i kanë caktuar.I vetmi veprim mekanik që kryejnë është futja dhe kontrolli i llogarisë së bankës ne ҫdo fillim muaji.
Së pesti Prokurimet Publike me objekte absurde , hera herës qe i kalonin edhe kufijtë e groteskut rrënuan dite pas dite arkën e shqyer të këtij institucioni që duhej të ishte arteria kryesore e përmirësimit të parametrave të brishtë të ekonomise së vendit tonë.
Të gjitha detajet që rendita e përveҫ këtyre akoma edhe më shumë zullume të tjera që mbarë opinion publik fierak është dëshmitar kisha vendosur ti diskutoja me drejtuesin poltik të Qarkut Fier Zotin Gramoz Ruҫi , pasi që më ndodhte shpesh kohët e fundit të diskutoja me të fenomene që ndikonin në përkeqësimin e elementeve të qeverisjes në disa nivele por vendimi i ketij të fundit për tu terhequr nga arena aktuale poltike më kapi dhe mua në befasi si shumë të tjerë.
Në një kohë kur gjithë socilaistët e ndershëm fierakë rrekeshin të prezantonin ndaj cdo qytetari projektin dhe vizionin që Edi Rama dhe të vetët kanë për transformimin rrënjësor të vendit tonë në vitet në vazhdim ,krerët e atij institucioni mendonin vetëm për dreka dhe darka argëtuese nën avuj alkooli dhe diskutimesh pazaresh të pista dhe ndodhi ajo që ndodhi.Të gjithë ishim dëshmitarë se si Partia Socialiste në zonën e Patosit ,Rroskovecit dhe Ballshit rezultoi me një firo masakruese e turpëruese votash të cilët ҫuan në humbjen e një mandati deputeti dhe gati gati rrezikuan edhe një të dytë. Sipas një informacioni konfidencial në zgjedhjet e 25 Prillit nga Albpetrol Sh.a nuk denjuan të dilnin për të votuar as pro e as kundër mbi 500 punonjës të “përkëdhelur” me punësim në këtë Kompani! Për të spjeguar Pse-të e kësaj mospjesmarrje masive u takon ti ‘zbërthejnë’ ‘drejtorët gjenaral’ të Kompanisë si dhe Partia Socialiste ajo lokale dhe qëndrore që kanë dhënë bekimin partiak në ‘gradimin’ e tyre! Unë këtë radhë nuk po i futem kësaj analize edhe pse kam shumë argumenta spjegues!
Në këto kushte vendosa ti bëj publike këto fakte ulëritese konceptuar mbase edhe si një letër e hapur drejtuar kryeministrit të vendit tim Z.Edi Rama i cili pritet të ndërhyje një orë e më parë duke bërë ekzaktesisht atë që bëri me Ministrinë e Kulturës në vitin 1998 ,me Bashkinë e Tiranës për tre mandate rresht , me Kryeminsitrinë për 8 vite një reformë radikale në burime njerzore në koncepte drejtuese e menaxheriale të instituconeve ku ndihet ndikimi i tij.
I bindur se mbas njohjes që do bëj me përmbajtjen e këtij shkrimi do të reagojë menjëherë mbi drejtuesit aktualë duke i zevëndësuar jo thjesht si emra por si mentalitete drejtimi diametralisht të kundërta me atë ҫka kokëboshët e vetëkënaqur aktuale kanë demonstruar deri me sot.
Duke vendosur në krye njerëz të aftë me ambicie dhe vizion per të ardhmen ,të përkushtuar maksimalisht me seriozitet , integritet të lartë moral që të bëjnë të mundur kthmin e dinjitetit inxhinierëve të naftës,punonjësve të përkushtuar motivimin për të ecur përpara dhe mbarë opinionit fierak shpresën se ky institucion do të dalë nga bataku ku e kanë futur makutëria,paaftësia dhe mungesa e dinjitetit dhe seriozitetit e drejtuesve aktualë dhe paraardhësit e tyre ndër vite!
Koha per te vepruar eshte tani Kryeminsitri i vendit tim!
“The time to act is now my PM”
Kaq për sot!…( Newsalbania.al 18 qershor 2021) PS: Gjatë karierës time shumë vjeçare në gazetari kam kritikuar dhe lavdëruar kur ka qenë meritueshëm! Jam përplasur me lloj-lloj horrash të politikës majtas dhe djathtas! Veç rrufjanëve politikë të babzitur e të korruptuar jam përplasur dhe me element kriminal të skalioneve politikë! Në këtë rrugëtim të gjatë të punës time askush nuk ka mundur të më afrohet për të më sygjeruar opinione apo kronika kundër apo pro individëve dhe subjekteve të ndryshme! Nuk ka patur dhe nuk do të ketë asnjë birë nëne a burrë gruaje! Kështu kam ecur dhe do eci! E hodha këtë sqarim të vogël për disa që kanë qejf të komentojnë kur ende nuk u ka dalë gjumi i mëngjesit!…