ANALIZE : NGA VLADIMIR MUÇAJ
Ndërsa debati politik në vend është ashpërsuar ndjeshëm dhe retorika mes palëve ka zbritur shpesh në terrene që pak kanë të bëjnë me argumentin racional, diskursi publik po mbushet çdo ditë me epitetet më të ndryshme, metafora të tepruara, krahasime të sforcuara dhe hiperbolizime që palët ia adresojnë njëra-tjetrës pa kursim. Në këtë klimë të polarizuar, ku fjala politike shpesh humbet peshën e saj institucionale, po qarkullon gjerësisht narrativa e asaj që quhet “rruga përtej Oqeanit” e Kryeministrit Edi Rama.
Opozita e drejtuar nga Sali Berisha, e shoqëruar nga disa zëra mediatikë të njohur për afërsinë e tyre politike, e ka interpretuar vizitën e pritshme – ende të panjoftuar zyrtarisht – të Kryeministrit Rama në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si aktin e fundit të karrierës së tij politike. Në këtë lexim, udhëtimi përtej Atlantikut shihet më shumë si epilog sesa si kapitull i ri, më shumë si fund sesa si mundësi.
Megjithatë, duke notuar edhe ne në këtë rremujë opinionesh, spekulimesh dhe hamendësimesh, vlen të hidhet në vëmendje një informacion që po qarkullon në rrethe të ngushta pranë Kryeministrit. Burime jozyrtare, të cilat e përcjellin këtë të dhënë në mënyrë konfidenciale, sugjerojnë se vizita e mundshme e Kryeministrit Rama në SHBA mund të marrë përmasa historike për interesat shtetërore të Shqipërisë.
Sipas këtyre burimeve, agenda e vizitës lidhet me një çështje të mbetur pezull prej dekadash në marrëdhëniet shqiptaro-greke: mbylljen përfundimtare të kapitullit të të ashtuquajturit Ligj i Luftës mes Greqisë dhe Shqipërisë. Thuhet po ashtu se drejt Shteteve të Bashkuara mund të udhëtojë paralelisht edhe Kryeministri i Greqisë, me të njëjtin objekt vizite dhe me të njëjtin synim politik dhe diplomatik.
Nëse një skenar i tillë do të materializohej dhe nëse në prani të Presidentit amerikan do të nënshkruhej një draft apo marrëveshje politike mes dy kryeministrave, atëherë do të ishim përballë një akti me peshë historike, me ndikim të drejtpërdrejtë jo vetëm në marrëdhëniet dypalëshe, por edhe në pozicionin ndërkombëtar të Shqipërisë dhe stabilitetin rajonal.
Në këtë fazë, çdo përfundim mbetet i parakohshëm. Por në një realitet ku politika shpesh ushqehet me zhurmë dhe jo me substancë, është detyrë e analizës serioze të dallojë mes retorikës së brendshme dhe proceseve reale diplomatike, të cilat, nëse konfirmohen, flasin jo për funde politike, por për kapituj të rinj shtetërorë.











