Sonata e trëndafilave
Ta këput shpirtin shikimi i emigrantit tek lutet të shesë trëndafila. Buqeta është e madhe dhe mjaft e bukur. Turma e njerëzve që dalin nga metroja duket e çoroditur. Të gjithë nxitojnë. Pikat e papritura të shiut ngjajnë si ajo krisma e pistoletës në fillimin e një gare vrapimi. Shitësi i trëndafilave bën ecejaken e tij nga njëra anë e shkallëve në tjetrën. Hapin e ka të ngadaltë. I drejtohet dikujt me një zë të ëmbël ndërsa krahas buqetës mban në duar një çadër të madhe të gjelbër. Edhe pse është mëngjes pamjen e ka të lodhur, megjithatë nuk harron të buzëqeshë. Rrathët rreth syve i nxinë më keq se monumenti i San Calimero-s që ndodhet disa metra më tutje. Pëllumbat fluturojnë sa andej këndej, ecin mbi trotuar pastaj hapin krahët e ndalen kush në supe e kush mbi kokë të statujës. Shiu shpejton të bjerë me gjyma. Si me komandë nën strehëza mblidhen pëllumbat e nën porta kush ka harruar të marrë çadrën. Rrugët majtas e djathtas si zakonisht të bllokuara nga trafiku. Vetëm shitësi i trëndafilave qëndron i vendosur nën shi me shpresën se dikush do ndalet ti blejë një apo ndoshta edhe disa lule. Çadra s’po e mbron më. I lagur nga koka te këmbët lumturohet kur një çift të rinjsh qëndron pranë tij. Ata largohen duke qeshur e duke këmbyer të puthura. Në dorën e vajzës trëndafilat duken edhe më të mrekullueshëm. Rrëketë shkaktojnë një zhurmë dëshpëruese. Shitësi herë herë ngre kokën nga qielli duke mërmëritur. Ndoshta lutet të pushojë ky shi i tërbuar i fundprillit. Ai duhet patjetër ti shesë trëndafilat e tij, për këtë i duhet dielli, një ditë e bukur ku njerëzit shëtisin ngadalë të dehur nga pranvera dhe rrezet e ngrohta.
Por qielli vazhdon të qajë, bashkë me të pikojnë edhe sytë e shitësit të trëndafilave, emigrantit që ta këput shpirtin, ta bën copa…
Vjollca, prill 2023