Nga këndi ku jam ulur anijet duken si në pëllëmbë të dorës. Era e pasdites i lëkund sa andej këndej, ndërsa deti i ngjan një krevati gjigand mbi të cilin ka rënë shkujdesshëm një mbulesë e dielltë. Fëshfërijnë gjethet e portokalleve duke bërë që kënga e radios së një makine të ndalur tek kthesa e rrugës të vijë herë e fortë dhe herë e largët…
“Nëse një mbrëmje të butë vere
A kur bora pudros prej cakut të hënës
Dije se drita që thyhet liqenit
Është shkëqim i syve të ëndrrës
Nëse një çast të ëmbël gëzimi
Dëgjon muzikë që të ngacmon
kujtimet
Dije se notat më të ngrohta të këngës
Janë rrahjet e zemrës sime
Nëse ….”
E përhumbur në atē magji kujtimesh vërej se trageti i pasagjerëve tashmë është shkëputur nga porti dhe ka marrë drejtimin për në pjesën jugore të ishullit….Edhe makina nuk është më tek kthesa. Përfitoj nga vetmia për të vazhduar me zë këngën e preferuar që e këndonim mbrëmjeve vonë ulur mbi gurët e zallit, në breg, larg qytetit..
“…Nëse me shiun e vjeshtës mbi gjeth
Nga malli, fillon e qan dhe ti
Dije se pikat që shkasin si ar
Janë më e zjarrta, imja dashuri…”
Ngrihem, një muzg i purpurt ka filluar të bierë mbi qytet….
Vjo….














