Jeta e tyre mund të mos mbyllet brenda këtij kafazi “në konflikt me ligjin”
Përmes përjetimeve të të Miturve…
Nga Suela Agolli
Ata janë të vegjël në moshë, por kanë përjetuar gjithçka që është e keqe dhe e rëndë edhe për supet e të rriturve!
Janë fëmijë prindërish të cilët nuk u japin dot fëmijërinë që meriton çdokush!
Janë fëmijë familjesh të cilat tranzicioni i gjeti dhe i la në lëvizje pa kah e pa orientim… I gjen në Kamëz e rrethina… I gjen në Tiranë e rrethina… I gjen, në fakt, kudo nëpër Shqipëri.
Të miturit “në konflikt me ligjin” nuk janë më një zbulim për ne, si shoqëri. Për të gjitha arsyet e paarsyeshme për moshën e tyre, ata kryejnë vepra penale dhe mbushin statistikat e gjykatave dhe institucioneve të vuajtjes së dënimeve penale.
Por, problemi ynë si shoqëri, e ndërgjegjësuar, është të mos i lëmë këta të mitur të mbeten sa të jetë jeta, domen i statistikave të krimit. Ata mund të shpëtohen. Qoftë edhe një i vetëm po të shpëtohej, do të ishte sukses.
Së pari, shpëtohen nëse hiqen nga rruga. Nga ‘rruga’ ku i gjeti dhe i përdori krimi! Nga ‘rruga’ e varfërisë ekstreme… nga plot e plot ‘rrugë’ të rrezikshme për të miturit…
Kjo mund të duket utopi! E tillë mund të mbetet, nëse nuk bëjmë secili përpjekjet tona.
Një grup aktivistësh të shoqërisë civile po bëjnë një përpjekje që ia vlen ta ndash me lexuesit tanë. Ata kanë kontaktuar shumë prej këtyre të miturve dhe familjarë të tyre në bashkitë e Kamëz dhe Tiranës. “Nga diku duhet nisur – më thotë Kristina Baki, koordinatore e projektit. Dhe ne e kemi nisur aty ku është edhe qëllimi ynë qytetar: te qytetari. Këta të mitur dhe familjarët e tyre janë qytetarë, si unë e si ju, të Bashkisë Tiranë, të Bashkisë Kamëz. Le të shohim se sa bën pushteti vendor për ta. Sepse ligjet e shtetit, ligjet themelore që kanë në fokus të drejtat e njeriut, si Ligji i Strehimit, ai i Punësimit, ai i Mbrojtjes dhe mbështetjes sociale, këtë kontigjent të miturish dhe familjarët e tyre i citon nominalisht si përfitues në nene të posaçme. Ka një prirje, të kuptueshme, për të mos ia gjetur fillin, se nga nis, apo se nga duhet nisur të ndihmohen këta të mitur. Problemet e tyre nuk janë thjesht probleme me ligjin, me gjykatat. Për veprën penale që kanë kryer, ata e kanë marrë dënimin dhe e vuajnë atë në “liri me kusht”. Kjo i bën qytetarë “të lirë me kusht”, pra duhen ndihmuar si qytetarë. Për këtë arsye pushteti vendor është një nga aktorët më të rëndësishëm për riintegrimin e tyre në jetë dhe shoqëri. Kemi advokuar 10 raste të miturish në Bashkinë Kamëz dhe 10 të tjerë në Bashkinë Tiranë. Kemi identifikuar problematikat për secilin rast dhe i kemi adresuar në njësitë administrative ku janë banorë” – na thotë Kristina. “Por nëse çdo përpjekje e shoqërisë civile ka një afat zbatimi dhe skadence, media si aktore e rëndësishme e shoqërisë është e përjetshme! Ne po përpiqemi ta bëjmë mediatike këtë aksion, por nëse Media do t’i ketë këta të mitur ndër prioritetet e përditëshme, nëse merret qoftë edhe me një rast të vetëm, derisa ta zgjidhë, fitorja do të jetë e madhe, sepse kemi shpëtuar një të mitur, i kemi krijuar mundësi të rritet “jo në krim”; i kemi dhënë ‘mundësinë e dytë’!”
Aksioni i CFD, Qendrës për Formim dhe Zhvillim “RIINTEGRIM vs PËRJASHTIM – Riintegrimi social i të Miturve “në konflikt me ligjin” dhe “ish të dënuar” në Bashkitë e Tiranës dhe Kamzës”, po zbatohet që nga dhjetori i vitit të kaluar me mbështetjen e LevizAlbania projektit të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC.
Përveç pasionit që më përcjell kjo vajzë e re, kur flet për rastet e të miturve, apo për takimet me ta; ajo që realisht më preku, sepse e bën kaq “fizike” ekzistencën e tyre… më shumë sesa raportimet që bëjmë ne gazetarët për krimet që ata kryejnë… janë disa rrëfime, që disa prej të miturve kanë shkruar me dorën e tyre…
Këtë shkrim, unë po e mbyll me këto fjali, që shkëputa prej tyre:
A. B. – 17 Vjeç: “Jeta ka qenë e padrejtë ndaj meje sepse njëherë më mori nënën dhe tani Lirinë…babain e kam invalid e kjo e rëndon gjendjen time e nuk i lë vëndin shumë shprese për mua për ndryshim…”
L.M. – 16 Vjeç: “E di që nuk jam njësoj si bashkëmoshatarët e mi. Këtë e tregon fakti që jam i mbyllur në shtëpi… Por unë kam dëshira njëlloj si ata, pavarësisht mundësive. Do doja të shikoja ata në këtë jetë mjerane timen se ç’do bënin…”
D.M. – 15 Vjeç: “Ndodh të më shohin ndryshe shokët e mi ose të më respektonin nga frika, sepse kështu e kam shfaqur veten, por ata nuk e dinë sa herë kam qarë vetëm në dhomë, natën në errësirë… është kaq e vështirë të mendosh se të tjerët ia dalin të kenë një strehë të sigurt, një ushqim të ngrohtë dhe ti shikon prindërit e tu që vetëm punojnë e vëshirë se do ia dalin”
E.H. – 17 Vjeç: “Kur vjen në shkollë në qendër të qytetit e ti je i ardhur nga rrethinat, nuk shikohesh njëlloj me të tjerët… Përbuzja e tyre më ka vrarë në 9-vjeçare, pasi rrobat e mia nuk ndrisnin se nuk ishin “firmato” si të tyret… dhe mllefi rritej çdo ditë brenda meje…”
A.XH. – 16 Vjeç: “Mendoj se po të mos më plotësohej çdo dëshirë, unë nuk do të kërkoja edhe gjëra që nuk i arrija dot e do të shoqërohesha vetëm me bashkëmoshatarë. Abuzimi me drogën që në moshën 11 vjeç, bëri që të mos di se ku po shkoj. Por tani unë kam forcën për t’ia dalë dhe do t’ia dal me sukses”
D. L. – 17 Vjeç: “Sot nuk mendoj për vete… por kam frikën e prindërve sepse familja e djalit që dëmtova, mund të mos më falë kurrë edhe pse i kam kërkuar falje disa herë pasi jam penduar shumë…”
F.M. – 16 Vjeç: “Gjithçka kam përjetuar unë është eksperienca me e vështirë që mund t’i ndodhë një njeriu, se shpesh nuk ke energji për t’ia dalë dhe pritja të vret. Çdo ditë që largohet e mendoj si mundësinë që më jep jeta për t’iu afruar lirisë e për ta vlerësuar më shumë atë”