PËR GJYSHËRIT…
(Gjyshërit dhe bijtë e tyre prindër)
Prindërimi dhe gjyshërit? … Cili pozicionim është më i volitshmi dhe më i dobishmi në raportin midis tyre?:
Që kur bëhesh gjyshe dhe gjysh natyrshëm fillon të shqetësohesh se cili do të jetë tashmë e në të ardhmen statusi yt ?
E vërteta -fakt ,është se ,qysh kur të urojnë “pension të gëzuar!”,apo “pleqëri të mbarë!etj,nënkuptohet vetë që “e ke dorëzuar fanellën”, dhe nuk je më “në fushën e lojës, si lojëtar”, por i mënjanuar dhe i tërhequr, ose mund të mbetesh një” konsulent, i paemëruar”,që hera – herës pret të të pyesin dhe të dëgjojnë.
Ky është një pakt i vendosur në heshtje midis brezave në momentin e ndërrimit të roleve dhe dorëzimit të stafetës së prindërimit.
Pra kemi të bëjmë me një kurorë që është gadi “të kurorëzohet “dhe e mëparëshmja, paraardhëse, ”të shkurorëzohet”.
Ky pakt i pashkruar dhe i paligjëruar lipset të mbahet parasysh nga të dy palët : gjyshër dhe bij (prindër).
Nuk është se ka ndonjë rregullore ,udhëzim apo statut të veçantë për këtë rast.Përvojat komunitare-sociale,tradicionale, ose jo, vijnë përmes kontakteve të përditshme që gjyshërit kanë në bashkëbisedime dhe diskutime me njeri – tjetrin ,ose rrallë herë në disa biseda kalimtare me ndonë sociolog të ftuar nëpër studiot televizive(që edhe pse të rralla për çudi bëhen pa praninë edhe të paktën të ndonjë gjyshi të vetëm !…) Këto biseda, për të ardhur keq, më shumë merren me edukimin e thellë politik të shikuesit të tyre (duke vazhduar traditën socialiste:“Politika në plan rë parë”,në përputhje me trendin e rritjes së audiencës së lakmuar.
Përvojat vetjake, apo kolektive, tradicionale, apo ato bashkëkohore të hasura ,aty- këtu flasin për një pozicionim në “skalion të dytë”të gjyshërve.Natyrisht jo me “armë të vërteta”, por me “ pushkë druri”,pra pushkë-lodra! …Edhe kur bashkëjeton ose jo me familjen që kanë krijuar bijtë e tu, pozicionimi “i të tërhequrit të mënjanuar”,
është një zgjidhje e duhur,e suksesshme shpeshherë.
Së pari ,sepse :familja e dytë ,e krijuar nga familja mëmë,e ka të domosdoshme pavarësinë dhe vetëveprimin ekonomik-financiar, shëndetësor(mirërritjen e fëmijëve) ,sidomos edukimin dhe arsimimin, formimin kulturor,shlodhjen dhe argëtimin e anëtarve të saj dhe vendimarrjet i takojnë asaj.
Së dyti ,sepse :familja e re , e dytë ,e krijuar ka strategjinë e saj drejtuese, prindëruese dhe synon të krijojë principet e veta bashkëkohore për mënyrën e jetesës që zgjedh ,mirëqënien,administrimin dhe edukimin e anëtarësisë së saj.
Kohë e re, strategji e re, mënyra dhe forma të reja.Kjo është dialektika historike.
U takon atyre që prindërojnë të ndërveprojnë me këtë dialektikë zhvillimi, ndërsa gjyshërve u duhet të përshtaten dhe të pranojnë në heshtje, vendimmarjet përcaktuese të bijëve të tyre.
Shpesh në biseda të lira ,diskutime, ose dhe konflikte midis brezave prindërues dëgjohet pretendimi:
“Ne nuk duam të ecim në gjurmët e mënyrës suaj të jetesës dhe nuk do t’i edukojmë fëmijët tanë siç i edukuat ju,në kohën tuaj” (nënkupto bëhet fjalë jo për kohën e “ Baba Qemos”, por për të diktaturës, pra e kaluar e afërt).Dhe shpesh kanë të drejtë për këtë, por pa arritur deri në mohim total të asaj përvoje , e cila pavarësisht kohës politike, që përpiqej të depërtonte deri në familjet tona, prapë se prapë prindërimi tadicional mundi të ruajë me fanatizëm traditat më të mira morale-qytetare- prindërore, të trashëguara brez pas brezi dhe të arrijë të ketë shumë herë familje të shëndosha e të suksesshme.
Së treti ,sepse kërkohet të ketë një mirëkuptim të duhur ,në heshtje,midis dy brezave, për të pranuar pozicionimet e tyre.
Në të kundërt mund të ndodhë ,siç edhe ndodhin jo rrallë , debate,madje edhe konflikte midis brezave , duke iu referuar këtu shoqërisë shqiptare.
Konfliktet që ndeshen nga mospranimi në heshtje i pozicionimit i “të tërhequrit të mënjanuar”, nga përvoja të vëzhguara që kemi bërë( brenda mundësive) janë kryesisht të këtyre rrafsheve:
a. Midis mentalitetit tradicional dhe mentalitetit të ri që aspiron të përshtatet dhe të ecë me rrjedhën bashkëkohore.
Janë dy mentalitete që mbajnë vula kohore të ndryshme edhe pse kanë principe që i ndërlidhin dhe që bashkëveprojnë , në vazhdimësi.Është e padiskutueshme që prindërit e rinj janë të aftë për t’u përshtatur dhe të udhëhiqen nga mënyra e parime të jetesës dhe prindërimit bashkëkohor.
Por edhe pse kalojnë dekada, mentaliteti tradicional, ruhet jo rallë, pa njohur kufi të moshave.(Ka jo pak prindër, në dukje të rinj ,të cilët ruajnë dhe parapëlqejnë që prindërimin ta mbështesin në principe të shtratit tradicional).Parapëlqim, apo mosorientim i duhur bashkëkohor?!…
b.Të rrafshit ekonomiko- finaciar që ka të bëje me mosdorëzimin prej gjyshërve të “pushtetit ekonomik”,si kur :etër dhe bij bashkëjetojnë, por edhe kur kanë zgjedhur të jetojnë veç e veç.
Ky rrafsh krijon konflikte që shpeshherë arrijnë në përmasa të padëshiruara.Duket që trashëgimia e gjendjes ekonomike, që deri në në një periudhë ishte e përbashkët , krijon qejfmbetje dhe zëmërata që çojnë më pas edhe në konflikte.
Edhe sanksionet ligjore që shpesh japin drejtësinë, përsa i përket : pasurisë, trashëgimisë,pronave rë reja të krijuara,nuk arrijnë të “zgjidhin” dhe shmangin hendekun : bij-prindër që krijohet dhe ndonjëherë thellohet deri në kthim shpine e konflikte të padëshëruara.
c. Të rrafshit ndjesor, emocional, afektiv .
Tërheqja nga roli parësor krijon pasigurinë e gjyshërve, që e kanë të vështirë tashmë të pranojnë mënjanimin, të cilin e barazojnë me paragjykimin për paaftësinë të tyre (deri tani ishin të aftë dhe tashmë ,jo !…) lënien pasdore ose e të ndjerit ,të braktisur,të lënë mënjanë ,edhe pse me goxha përvojë e dituri!…
Komunikimi i hapur midis:etër- bij dhe takti i duhur i komunikimit në këto raste është i domosdoshëm.
Por, me të rreshtuarit në “ skalionin e dytë”,gjyshërit, çfarë duhet të ndodhë me ta?!…Çfarë u mbetet të bëjnë më tej?
Gjyshërit në pozicionimin e tyre , në varësi të shëndetit,përpiqen të jenë aktiv dhe ndihmues të familjes së re, mbështetës, me përjashtim të rasteve,kur për arsye jetësore, që mund të ishin të shmangshme, ose jo ,iu duhet të vazhdojnë të prindërojnë ,akoma.
Nga konsultat, përvojat e hasura( dhe besoj këtu biem dakord të gjithë),pozicionimi i “të tërhequrit të mënjanuar”, është një praktikë shpeshherë efektive.
Me këtë pozicionim krijohet pavarësia e nevojshme e çiftit të ri-prindër , marrja e përgjegjësisë së plotë të prindërimit prej tyre si dhe e vetëveprimit dhe vendimarrjeve të duhura në situata të ndryshme jetësore.
Përvoja e mënyrës së jetesës të bijëve , mjediset sociale që ata njohin ,ose frekuentojnë, por sidomos edhe ç’kanë përfituar nga prindërit e tyre, gjyshërit e sotëm,është e duhura për të prindëruar me sukses.
Në këtë pozicionim, gjyshërit janë aty, prezent dhe si një libër i hapur mund të risjellin përvojën e tyre, natyrisht , kur është e domosdoshme.
Pra në këtë raport përvoja e traditës ndërvepron edhe, kur ky raport ruhet me fanatizëm,çdo gjë funksionon normalisht.
Pozicioni i “të tërhequrit, të mënjanuar”, është pak më komod për gjyshërit që nuk bashkëjetojnë me familjen e re, por edhe pse në distancë, mjetet e teknologjisë së avancuar, krijojnë mundësinë për t’u përzierë , ose jo, në prindërim.
Kjo varet se si janë ndërtuar marrëdheniet qysh në fillim ,që kur merret statusi i gjyshes dhe gjyshit.
Statusi i gjyshërve mer një vëmendje të veçantë, sidomos në marrëdhënien e tyre me fëmijët: nipër dhe mbesa.
Gjyshërit dhe nipërit e mbesat: mision i fituar ,apo mision i dështuar?…
Është i njohur afeksioni dhe lidhja e veçantë:gjyshër- nipër/ mbesa dhe anasjelltas.
Pyetja që shtrohet është se misioni i edukimit të fëmijëve duhet të bazohet vetëm mbi dashurinë dhe afeksionin,apo edukim përmes afeksionit dhe dashurisë?…
Për hir të vërtetës ky raport, aq sa i lehtë në dukje,në fakt është në mos më i vështiri, po të kemi parasysh që në familjet, kur gjyshërit bashkëjetojnë, ose edhe në se nuk bashkëjetojnë, vetëafrohen për ndihmë. Jemi para faktit se prindërit janë të zënë nga mëngjesi në darkë në punë dhe koha e qendrimit të tyre me fëmijët është e paktë
Pothuajse fëmijët më shumë kohë kalojnë me gjyshërit,në familje të përbashkëta.
Dashuria që japin gjyshërit për nipërit e mbesat është një dashuri e veçantë që vetëm ai që e ka provuar dhe është duke e provuar mund ta besojë, madje është edhe më e fuqishme se sa ç’kanë etërit për bijtë e tyre, tashmë prindër.
Ajo është një dashuri e pakushtëzuar,e cila shpeshherë bëhet streha e prehjes dhe e ngushëllimit të fëmijëve.Shumë herë kjo dashuri jep efekte pozitive duke i bërë fëmijët të ndihen mirë në familje, të qetë e të gëzuar,
të mësojnë të japin dhe marin dashuri edhe në grupet e tyre sociale ku bëjnë pjesë.
Nga kjo dashuri ata marrin përvoja jetësore
pozitive, urtësinë dhe mençurinë, shembullin për t’u edukuar me punën,profesionet,prirjet, pasionet për librat,artin,lojërat, sportin, etj.
Por jo pak herë fëmijët edhe abuzojnë me dashurinë e veçantë të gjyshërve duke dashur t’i shpëtojnë kontrollit të prindërve.Marrja në mbrojtje,shfajësimi i tyre, ndërhyrjet pa takt,jo në emër të arsyes ,por të dashurisë dhe afeksionit për ta ,i çon prindërit në konfliktime me bijtë e tyre( tashmë prindër).
Edhe në një marrëdhënie të tillë delikate ( jo rrallë burim konflikti)strategjia e” tërheqjes së mënjanuar ”, sidomos për principe bazë të edukimit dhe mirërritjes së fëmijëve,do të ishte e duhura dhe misioni i gjyshërve nuk do të ishte një mision i dështuar.
Si përfundim: misioni i gjyshërve do të ishte mision i fituar në se do të bazoheshin tek:
1.Dashuria për bijtë e tyre,tani prindër dhe besimi e respekti për mënyrën se si ata po prindërojnë.
2.Fryma e tolerancës ,fryma pozitiviste dhe harmonia në familje ,frymë që duhet të karakterizojë gjyshërit dhe të përçohet prej tyre në familjen e përbashkët( ose jo),do të ishin tri taktika të dobishme ,efikase në marrëdhënien midis dy brezave: etër- bijë.
3.Pa dashurinë e prindërve as që mund të kuptohet mirërritja dhe edukimi i fëmijëve, por pa dashurinë speciale të gjyshërve nuk mund të ishte i plotë formimi i karakterit dhe i personalitetit të tyre. Mungesa e dashurisë së gjyshërve, do të ishte një dashuri e munguar.
SPIRO KOTE