NA IKU POETI
-në vend të një buqete lulesh në të 40 ditë të mungesës së Petrit Rukës-
1.
Male shumë, kaptuar,
Më erdhi haberi,
Në zemër më theri.
2.
Lajmi plumb i rëndë,
Për të madhen gjëmë,
Ra bredhi me rrënjë.
3.
Ra një shkëmb nga mali,
Një madem stërralli,
Petrit lule djali.
4.
Stërralli me çika,
Syri me shtat’ drita,
Feksur me lirika.
5.
Na iku poeti,
Iku mendje deti,
Nëpër vargje mbeti.
6.
Mbeti në balada,
Kaluar mbi flatra,
Netëve të gjata.
7.
Iku Petrit Ruka,
Ylli i Turanit,
Poet i vatanit.
8.
Iku magjistari,
I fjalës së artë,
I penës së zjarrtë.
9.
Poeti që derdhi,
Vargun e përkorë,
Flakërim në borë.
10.
Pena që lirikat,
Na i la në buzë,
Kuqëluar, shpuzë.
11.
Poeti që gdhëndi,
Nënën e babanë,
Vargjesh tramundanë.
12.
Poeti që shkroi,
Baltën e ugarin,
Dhimbjen e fshatarit.
13.
Poeti që bëri,
Pragun e shtëpisë,
Portë të njerëzisë.
14.
Poeti që zëmrën,
Në piketë e ktheu,
Ku fillon Atdheu.
15.
Poeti që Kombit,
I dha frymë e zë,
Pa kërkuar gjë…
Urale-Vlorë; 12.08.2021