KËNGA E TRIMAVE -1878 -27 shkurt- 2021- "Do të them një këngë vetë, Këngë trimi le të jetë, Në Gjashtë u vranë zhuletë". *
1.
Vjen një këngë labërishte,
Futur brënda dyzet trima,
Sherqe zestë e feste bardhët,
Që hodhë valle me martina.
2.
Vallja vjen e ndizet flakë,
Plot me duf’ e tërsëllimë,
Për burrat që më su kthyen,
Mbenë shkëmbenj në bokërrimë.
3.
Kënga vjen nga Qafë e Gjashtës,
Nëpër gërxhe, nëpër brinja,
Ku u ndez e madhja luftë,
“Shkon plumbi si bubuzhima”. **
4.
Për burrat që si peshuan,
Vaporrët me armatime,
Për ata që ndezën flakë,
Vetëtimat me gjëmime.
5.
U ngritën që nga Zhulati,
Ngjeshën armë e jataganë,
Varën kërrabat në tënda,
Pellgut në Delvinë ranë.
6.
Burrat e vëndit të sertë,
Lidhën besë e bënë benë,
Idriz pallë vetëtima,
Në ballë, si kish adenë.
7.
Zhulati beden me gurë,
Majë e Pusit përmbi kokë,
I nisi trimat me vulë,
Të bënin dyfek me botë.
8.
Pallëlarë e ballë larë,
Edhe pse të paktë qenë,
Vanë e matën trimërinë,
Me taborrët që u derdhë.
9.
Lanë stane, salltanete,
U nisën në dritë të hënës,
I kërkonte mëmëdheu,
Çepe bukurit e nënës.
10
Mbi taborret Labëria,
Bregu i Detit, gjithë ç’qenë,
Se kur vjen hasmi te dera,
Vriten djemt’, për mëmëdhenë.
11.
Thonë, u ndez luftë e rreptë,
Shesh beteje, bokërrimat,
Idrizi me gjithë çetë,
Flakë i ndezi vetëtimat
12.
Rënkon deti, tundet mali,
Mbi andartët, në Kala,
Në Lëkurës shkruajn’ këngën,
Bijtë e shqipes, ezhdërha.
13.
Vranë, prenë e sakatuan,
Luftuan me ditë e netë,
Asnjë këmbë s’bënë prapa,
Dhe pse ranë dyzet vetë.
14.
Dyzetë zhulatas fërtunë,
Dyzetë jataganë të shkruar,
Ranë e mbenë në një këngë,
Hap në vallen, burrëruar.
15.
Ranë e mbenë në një valle,
Valle që shkrep si stërralli,
Me të bardhën fustanellë,
Me flakën që kuqon zjarri.
16.
“Do të them një këngë vetë,
Këngë trimi le të jetë,
Në Gjashtë u vranë zhuletë,
Idrizi me dyzet vetë…” **
Thotë kënga, e merr retë…
…………………………………
- 27 Shkurt 1878, në prag të “Lidhjes së Prizërenit”, shënon betejën e luftës së Lëkurësit në Qafën e Gjashtës, Sarandë, përballë andartëve grekë.
Morën pjesë luftëtarë nga Labëria dhe Bregu i Detit.
Vetëm nga Zhulati u vranë 40 burra me në krye prijësin e tyre Idriz Alidhima, të cilët populli i ka përjetësuar në këngë.
** varg i këngës
*** vargje nga kënga e popullit










