IKE NUR’ I BREGUT…
-Elegji për Lefter Çipën, ” Nder i Kombit”-
Nata në të shkuar,
në të feksur dita,
Ike, Lefter Çipa.
Ike mbret i vargut,
princ i fosforinës,
Ashtu, tinëz – tinëz.
E helmove detin,
pikëllove malin,
Prapa na le mallin.
Na le mallë e këngë,
le vargun e rëndë,
Shtigje për të zënë.
Këngën edhe këngën,
na le amanete,
Se për të u trete.
Për këngën u trete,
si qiri u shkrive,
Netëve me yje.
Për polifoninë,
tënden fosforinë,
Nuk e mbylle synë.
Si Naimi ishe,
tjetër shokë s’kishe,
Vargjeve fildishe.
I këndove Kombit,
Shqipërisë që deshe,
Në dallgë e rrebeshe.
I këndove baltës,
të mbrujtur nga gjaku,
Si lule zambaku.
I këndove gjakut,
lule partizanit,
Me fuqinë e xhanit.
I këndove detit,
gurëve të zallit,
Me hovet e djalit.
I këndove trimit,
kaçakut të malit,
Dhe fijes së barit.
I këndove vajzës,
bejkës bardhë borë,
Nuses me kurorë.
I këndove dhimbjes,
plagës së kurbetit,
Lotëve të detit.
Gjithë lulet e malit,
i derdhe lirika,
Thëllëzash me pika.
I këndove hënës,
ashtu vetull varë,
Mbi Akroqeranë.
Bregut ndeze zjarre,
zjarret prushërojnë,
Këngëve pikojnë.
Ike nur’ i Bregut,
nga valët e Jonit,
I vajte ballkonit.
Na e le Himarën,
dera hapur mbeti,
Flamuri dhe deti.
Ike të pushosh,
në gurët e rrënjës,
Në shtëpi të këngës.
Ike që të prehesh,
në Pilur të këngës,
Në gjakun e zemrës.
Ike, Lefter Çipa,
penda ndezur çika,
Vargjesh të florinjta.
Vargjesh prushëruar,
me vesë vesuar,
Mëngjeseve zgjuar.
Lamtumirë s’të themi,
se në këngë të kemi,
O pikë mademi.
Vlorë; 18. 02. 2021