T’i besosh ato që thua, dhe t’i bësh ato që që beson, kjo është çështja!
Ata që bëhen konformistë me të keqen, me të cilën deri dje janë kacafytur për ta mundur duke na i paraqitur sot atë si “fenomen, si realitet të pamposhtur që mund Amerikën”, por edhe si një aset politik, së pari pranojnë dështimin dhe pafuqinë e tyre për ta fituar aspiratën personale përmes betejash, dhe së dyti, i japin oksigjen të keqes për të na sunduar akoma.
Prandaj shqiptarët sundohen gjatë nga tirania e së keqes, se këtu, kushdo që nis një betejë për një kauzë të drejtë e jetike për vete, vendin dhe demokracinë, me sa duket nuk ka këllqe për ta çuar deri në fund atë. Pa le pastaj kur fillon dhe adhurimin për “mjeshtërin armik”…
Kam respekt për kolegët e mi që nuk vuajnë nga kompleksi i “Stokolmit”. Kam respekt për dinjitetin e tyre.
Që të fitojnë, kauzat kanë nevojë për njerëz që nuk i lodhin sakrificat. Luftën e fiton ai që ka besim te vetja, tek kauza dhe tek idealet që mbështet, jo ai që dorëzohet!
Ky vend ka nevojë për njerëz që ta fitojnë betejen, jo t’ua dhurojnë trofetë.
Vet, preferoj më mirë të jem një i mundur me dinjitet duke mbrojtur besimin tim, se një i gjallë i konformuar me “armikun” që na vodhi pabesisht rininë dje, e sot si një kalë i vjetër gërmuq po rreziston të na vjedhë dhe të ardhmen e fëmijve tanë.
Kjo është zgjidhja ime kolegë të nderuar, REZISTENCA, sepse besoj vërtet në ato që them, dhe bëj ato që besoj!
Mua, nuk më impresionojnë turmat e manipuluara dhe të pavetëdijshme që nuk kanë respekt për veten. As ma ndien për to, sado të mëdha të jenë. (E kam provuar edhe një herë këtë ndjesi në 1990 kundër shumicës punisto-enveriste…)
Preferoj të jem më mirë një individ i lirë, se sa pjesë e masës së sunduar nga idhujt e remë.

