Nga Riseld Çipa-
Pandemia COVID-19 vazhdon të jetë përherë e më e gjithëgjendshme në jetët tona. Efektet e saj në ekonomitë kombëtare dhe atë globale janë, tanimë, më evidente se kurrë. Që në çastet e para të shpërthimit të kësaj pandemie, pritshmëritë ishin që vendet në zhvillim dhe ekonomitë më pak të përparuara do të ishin ato që do të vuanin më tepër. Shqipëria, si edhe vende të tjera në zhvillim, po vuan këto pasoja edhe përtej pritshmërive.
Disa faktorë të ndryshëm kanë rënduar në situatën ekonomike të vitit 2020. Masat parandaluese të përhapjes së pandemisë, rënia e më shumë se një të tretave të eksporteve, një humbje me 37 përqind në sektorët e mallrave dhe shërbimeve, si edhe plaga e madhe e hapur në sektorin e turizmit, sollën një impakt edhe më të madh nga ai që ishte parashikuar për Shqipërinë.
Fondi Monetar Ndërkombëtar, sikurse edhe Banka Botërore, kishin parashikuar një rënie të GDP-së me 5%. Të dyja këto institucione ndërkombëtare u detyruan të korrigjojnë në një moment të dytë këtë parashikim në 7.5% dhe 8.4% respektivisht, si një sinjal i pasojave të rënda ekonomike.
Por në raportet e tyre më të fundit, si Fondi Monetar Ndërkombëtar ashtu edhe Banka Botërore shprehen optimiste se ekonomia do ringrihet në vitin 2021. Ndërkohë që Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon një rritje të GDP-së me 5% në 2021, Banka Botërore shprehet edhe më optimiste dhe parashikon një rritje me 6.1%. Kjo rritje i atribuohet normalizimit të eksporteve, konsumit dhe investimeve. Gjithashtu edhe sektorëve si turizmi dhe ndërtimi që u goditën kaq fortë në 2020.
Megjithatë, ne duhet t’i shohim këto raporte me skepticizmin e duhur. Gjurmët e kësaj krize do të shihen me siguri edhe pas vitit 2021. Banka Botërore për shembull, parashikon që të ardhurat e shtetit të kthehen në gjendjen e tyre para COVID-19 vetëm në 2022-‘25. Gjasat janë që të duhet edhe më shumë kohë. Pandemia i ka dhënë tashmë provat që është bashkëshoqëruar që në zanafillë me të panjohurën dhe pamundësinë e parashikimit. Ripërtëritja e ekonomisë varet nga rikthimi i aktivitetit normal në ekonomitë e rajonit dhe nga marrëdhëniet ekonomike me vendet e tjera, të cilat janë në një rrezik konstant nga pandemia dhe numrat e saj alarmues.
Shqipëria duhet të jetë për pasojë, më e vetëdijshme rreth situatës së saj dhe armëve që ka në dispozicion për të luftuar këtë krizë. Si një vend në zhvillim, aksesi i Shqipërisë në tregjet financiare është i limituar dhe nuk e ka luksin e kapacitetit huamarrës të ekonomive më të zhvilluara. Për këtë arsye Shqipëria ndesh një pengesë financiare që do sjellë praninë e efekteve të pandemisë në një periudhë shumë-vjeҫare. Përcaktimi i kostove dhe benefiteve të lehtësimeve fiskale duhet bërë në mënyrë rigoroze dhe ndërmarrja e tyre në mënyrë të planifikuar dhe të strukturuar.
Kontrollimi i pandemisë dhe ringritja e prodhimit kanë rëndësi parësore, duke qënë se ato kanë një efekt të drejtpërdrejtë në të ardhurat fiskale të vendit. Shqipëria po ndërmerr një sërë masash lehtësuese, si për shembull heqja e TVSH-së për sipërmarrjet me xhiro vjetore deri në 10 milionë dhe tatim-fitimit për ato me xhiro vjetore deri në 14 milionë lekë. Por, ndërsa këto masa synojnë zbutjen e efekteve të krizës për bizneset dhe individët, shteti ndeshet me një rritje të shpenzimeve dhe ulje të të ardhurave. Ndihma ndaj individëve dhe bizneseve të prekura nga kriza është e përligjur, por ajo duhet të jetë e përkohshme dhe e mirëorientuar. Në një mënyrë transparente dhe të përgjegjshme duhen suportuar aktivitetet thelbësore dhe grupet më vulnerabël.
Nevoja për të ardhura më të larta nga taksat është jashtëzakonisht e madhe për të rritur investimet në kapitalin fizik dhe atë njerëzor, si edhe për të reduktuar defiçitin fiskal dhe borxhin e lartë publik. Kjo vështirësohet nga një sistem kompleks dhe i fragmentarizuar i taksave, si ai që ndeshet në Shqipëri. Një sistem që është shpesh pre e ndryshimeve të shpeshta afatshkurtra, që kanë minuar stabilitetin dhe transparencën. Një reformë në këtë sistem duket e nevojshme, siç është këshilluar edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, dhe një format më i thjeshtë dhe praktik do të ndihmonte rritjen e të ardhurave nga taksat ndërkohë që do të nxiste investimet dhe reduktonte informalitetin.
Në këtë situatë të rënduar ekonomike, mund të përftohet dhe mësohet nga përvoja e vendeve të tjera, madje edhe ato të të njëjtit rajon. Në mënyrë të veçantë interesant është rasti i Serbisë, e cila po e kalon në mënyrë më të lehtë krizën krahasuar me vendet e tjera në rajon. Serbia po shijon frytet e një politike fiskale të konsoliduar, që e lejoi atë të shpenzojë edhe më shumë në paketa për rimëkëmbjen e ekonomisë. Për më tepër, ekonomia e Serbisë është më e diversifikuar se sa ajo e Shqipërisë.
Në këtë aspekt, pandemia e Covid-19 është cilësuar prej disa analistëve dhe ekspertëve të ekonomisë si një “kuti Pandore” dhe është personifikuar si e tillë edhe në realitetin shqiptar. Ajo ka vënë në dukje probleme të mëdha strukturore, jo vetëm në gjendjen e mjerueshme të sistemit shëndetësor, por edhe probleme të mëdha si keqmenaxhimi i fondeve dhe shpenzimeve publike, korrupsioni, informaliteti, etj. Këto probleme që kanë qënë përherë të pranishme në vendin tonë, po bëhen më të dallueshme në një kohë të tillë krize dhe po agravojnë efektet e pandemisë në ekonomi.
Situata e Shqipërisë me probleme të rënda strukturore e bën luftimin e kësaj krize edhe më të vështirë. Paketat e ndryshme të asistencës dhe bashkëpunimi me institucionet financiare ndërkombëtare është fillimi dhe faza e parë e betejës, por që duhet të shoqërohet më pas nga politika të tjera që sjellin frymëmarrje në ekonomi.
Vende si Shqipëria, me resurse të pakta dhe kapacitete të ulëta, ndeshen me nevojën e domosdoshme të gjetjes së qasjeve inovatore, testimit dhe ndërmarrjes së tyre në mënyrë të shpejtë. Sasia e limituar e investimeve duhet të projektohet në mënyrë inteligjente dhe të jetë e fokusuar jo vetëm në rimëkëmbjen më të shpejtë të ekonomisë, por edhe për të ndihmuar prospektet e zhvillimit afatgjatë. Ne mund të gjejmë mjaft shembuj nga bota e vendeve në zhvillim që po e shfrytëzojnë këtë kohë të trazuar për të patur një qasje më inovatore. Mund të përmendim këtu rastin e Ruandës, e cila po shfrytëzon infrastrukturën e saj dixhitale financiare për të pakësuar përdorimin e parave në dorë. Në mënyrë të ngjashme, Shqipëria mund të shfrytëzojë këtë situatë të rënduar si një frymëzim për të marrë nisma që në periudhën afatgjatë do të sjellin zhvillim.
Rimëkëmbja e ekonomisë kërkon një proces të gjatë e gradual, që mund të vazhdojë për një kohë të papërcaktuar. Sfida me të cilën Shqipëria ndeshet është nevoja për të limituar dhe zbehur disi disa nga problemet strukturore që ka, si edhe planifikimi fiskal dhe menaxhimi i matur i fondeve publike. Gjithashtu, fokusi në këtë kohë të trazuar duhet të jetë nxitja e prodhimit dhe inovacionit.
Autori ka kryer studimet për Ekonomi në Universitetin e Humboldtit në Berlin dhe aktualisht po vazhdon Master në Money and Finance në Universitetin Goethe në Frankfurt.