Nga Prof.dr Ethem Ruka
HOMAZH PËR PROFESORET E MI: PROFESOR ISLAM ZEKO, BABAI I BIOLOGJISË SHQIPTARE
Profesor Islam Zekon, përgjegjësin e Katedrës së Zoologjisë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, kolegët, të njohurit dhe studentët e thërrisnin shkurt profesor Lamja. Profesori, me trup të brishtë, sy zhbirues, qytetar në origjinë e sjellje, inteligjent, modest, i urtë, i veshur me kujdes, gjithmonë me borselinën e tij në kokë ose në dorë, ishte një ndër pedagogët më brilant që kam njohur si studentë por edhe gjatë gjithë karrierës sime akademike.
Profesor Lamja, lindur në derën e madhe të zekatëve të Gjirokastrës dhe i shkolluar për biologji në Montpellier të Francës, renditet ndër pionerët e shquar të arsimit të lartë në Shqipëri, krahas profesorëve me të emër të asaj kohe, si Aleksandër Xhuvani, Eqrem Çabej, Mahir Domi, Dhimitër Shuteriqi, Kostaq Cipo, Mark Ndoja, Aleks Buda, Kolë Paparisto, Sotir Kuneshka, Kolë Popa, Pandi Geçi dhe Pashko Geci etj.
Profesor Lamja e filloi karrierën e tij si drejtues i Sektorit të Biologjisë e Kimisë në Institutitin e Lartë Pedagogjik 2-vjeçare në dhjetor të vitit 1946, vazhdoi si Përgjegëjs i Katedrës së Biologjisë në Institutin e Lartë Pedagogjik 4-vjeçar në vitin 1951 dhe si drejtuers i Katedrës së Zoologjizë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës nga viti 1957 e deri sa doli në pension në vitet 1980.
Kjo karrierë unikale drejtuese prej katër dekadash e bën profesiorin një ndër figurat më eminente të intelektualëve shqiptarë, profesorin që e me aq përkushtim e dashuri themeloi dhe rriti shkollën biologjike të vendit, profesorin e profesoreve të biologjisë që mbajtën dhe vazhdojnë të mbajnë leksione në shumë universitete shqiptare, profesorin e mijra mësuesve të biologjisë të arsimit parauniversitar, por edhe profesorin që përmes botimeve shpërndau dije për gjithë nxënësit shqiptarë.
Profesor Islam Zeko, ky burrë i ditur, i urtë e i mënçur, nuk foli kurrë për veten, nuk kërkoi kurrë lëvdata, nuk e dalloi kurrë veten nga të tjerët. Madhështia e tij qëndron te modestia e thjeshtësia e pafund, te vështrimi qytetar i botës, te dashuria pa kushte për profesionin, për arsimin shqiptar dhe vendin.
Profesor Lamja, nuk ishte thjesht një mësues e profesor universiteti, por një kryemësues e kryeprofesor. Ai ishte një misionar i dijes që diti të hap shtigje të reja dhe diti të frymëzojë me shëmbullin e vet.
Respekti nuk imponohet, por vetëm meritohet. Profesori meritoi dhe vazhdon të meritojë repsektin tonë. Qartësia e tij në shpjegimin e leksioneve ishte mbreslënëse. Ai ishte një metodist i përkryer, ishte i rrjedhshëm në komunikim, ishte një magjistar i vërtet në transmentimin e dijeve. Shkumësi i bardhë në dorën e tij të shkathët skiconte në dërrasën e zezë figura të ndërlikuara por që krijonin te ne një impresion më të thellë se figurat e animuara në një film vizatimor.
Askush nuk mungonte në leksionet e profesorit dhe askush nuk pipëtinte në ligjërimet e tij. Kurrë nuk e pash profesorin të ulej një çast gjatë leksioneve, as kur ishte i ri dhe as kur u moshua. Nuk janë auditoret që bëjnë ndryshimin, por mësuesit që ligjërojnë në to. Mësues të tillë janë të rrallë.
Gjithmonë thosha me vete nëse një ditë do të arrija edhe unë të ngjaja sado pak me profesor Lamen si mësimdhënës. Edhe sot pas pesëdhjetë vitesh në auditore i bëj vetes të njëjtën pyetje. Këtë përgjigje nuk mund ta jap unë. Atë mund ta japin vetëm studentët e mi.
E njoha profesorin si student për katër vite, e njoha si pedagog në katedrën e drejtuar prej tij për gati 15 vite, e njoha edhe në vitet që ai ishte në pension dhe vazhdonte të mbante leksione në katedrën tonë të Zoologjisë. Pata fatin të isha një nxënës i tij, një mik i afërt i tij, një admirues i tij dhe një mbështetës i palëkundur i tij kur padrejtësisht donin ta largonin nga drejtimi i katedrës së tij.
Profesori ishte një frankofon i spikatur. Ai fliste dhe e shkruante aq rrjedhshëm gjuhën frenge. Njeherë, kur unë u ktheve me pushime nga studimet pasuniversitare në Paris, profesori më tha: “Ethem, kur të jesh ndonjëherë te Harku i Triumfit në Bulevardin e Champs-Elysees në Paris më kujto dhe mua! Dikur kam qenë edhe unën atje”. Nga mënyra si ma tha, e kuptova që ndiente aq mall për Francën, të cilën nuk mundi ta vizitonte qëkurse kishte mbaruar studimet universitare.
Profesor Lamja mbeti përgjithmonë i dashuruar me vendlindjen e tij Gjirokastrën. Fliste vazhdimisht për sokakët, shtëpitë e traditat gjirokastrite. Njeherë po diskutonim për një shtëpi karakteristike gjirokastrite që ish rrënuar. Vetëm një derë, musandër a tavan i gdhendur i një shtëpie ne Gjirokastër, vlen shumë e më shumë se një nga këto pallatet me tulla silikati këtu në Tiranës- më tha profesori.
Pa dyshim, shtëpia trekatëshe e zekatëve e ndërtuar nga të parët e tij qysh në vitet 1800 në lagjen Dunavat të Gjirokastrës është unikale, është një vlerë arkitekturore e pa përsëritshme.
Profesori nuk fliste kurrë për politikën e vendit., as për kongreset, as për jubiletë as për politikanët. Ai, megjithëse një profesionist i përkryer, nuk ishte anëtar partie. Profesori ishte i pa besueshëm për kohën, sepse në rrethin e tij familiar mesa duket kish patur njerëz me cene. Kur binet fjala për Enver Hoxhën, ai kurrë nuk e përdori fjalën shoku Enver, por thjesht Enveri. Ai nuk pati nevojë për lëvdatat e kohës, por meritoi respektin dhe vlerësimine nxënësve të tij.
Profesor Lamja, që gjithë jetën mbajti leksione të Zoologjisë Invertebrore, i njihte në detaje ciklet e zhvillimit të gjithë parazitëve, transmentimin e tyre nga një bujtës në tjetrin si dhe sëmundjet e rënda që shkatonin te kafshët dhe njeriu. Kjo dije e bëri profesorin të ishte shumë i kujdeshëm me higjienën personale.
Ai nuk ia jepte dorën askujt dhe i lante duart aq shumë, sa që lëkura e tyre ishte thuajse transparente. Edhe dorezat e dyreve nuk i prekte, por i ulte me bërryl për të hapur derën. Sa herë mbaronte leksionet shkonte në laboratoret e kimisë analitike dhe lante disa herë duart me ujë të ngrohtë e sapun. Të gjithë ja njihnim këtë dobësi, u mësuam me të dhe e respektonim ashtu si ishte.
Profesori bënte jetë modeste. Ai jetonte bashkë me vallëin e tij në një apartament të vogël që ndodhej në katin e parë të një pallati në Rrugën e Dibrës, afër Medresesë. Nuk përdorte biçikikletë dhe rrugën e bënte gjithmonë në këmbë.
Kur profesori doli në pension mora guximin dhe e ftova njëhreë në shtëpinë time në Rrugën “Mihal Grameno”. Çuditërisht pranoi. E ftova të hipte në motorrin tim Vespa. Në fillim hezitoi, por pranoi. Hipi në motorr dhe u mbajt në supet e mi. Ishte hera e parë ndoshta që hipi në një motocikletë. E sigurova profesorin se do ecja ngadalë që mos të shqetsohej në kthesa. Ishte një ditë mbreslënëse për mua, sepse duhet të ishte nga rastet e rralla që ai bënte vizitë në shtëpinë e tjetërkujt.
E qerasëm profesorin me ndroje, por ai pranoi gjithçka që i ofruam. Para se ta ktheja në shtpinë e tij, ime shoqe, Dituria, i tha profesorit të mos hezitonte të dërgonte këmishët për t’i larë e hekurosur në shtëpinë tonë. Profesori u ndje shumë i lumtur dhe nuk kundërshtoi, por nuk e bëri këtë gjë asnjëherë.
Profesori meritoi respektin tonë të pafund për gjithçka që bëri deri në fundin tragjik të jetës së tij në vitin 1989. Atë e gjetën të mbytur nga duar gjakatare, që i hynë në banesë për të grabitur. Ata i morën jetën profesorit tonë të urtë, të mënçur, fjalëpak, i morën jetën njeriut që rrezatoi vetëm dritë për 50 vite duke e vendosur veten në altarin e njerëzve më të ditur e qytetarë të këtij kombi.
Jeta e tij është modeli i një mësues të ditur e të merituar. Ai ishte modeli i mësuesit, që siç ka thënë shkrimtari irlandez, C. S. Lewis, nuk na mësoi “si të presim xhunglën, por si të ujitim shkretëtirën”.