Udhëtimi i fundit i babait në shtëpinë e tij
Më kërkoi ta çoja te shtëpi e vjetër
Ku pllakat e çatisë, muret kanë kërrusur
Nuk kish porosi për të më lënë
As ndonjë sekret që të më bënte të lumtur.
Kish 30 vjet që ëndrrat i shikonte aty
Tek një rrugicë e shtrembër, mes dritareve dhe pragut
Mes një mani të bardh dhe dy caracëve me rrush
Ku harabelat fshiheshin prej akullit.
Shikonte i hutuar, sikur si kish parë kurrë
I dukej e vogël, shtëpia e vet
Shikonte nëse çuditesha dhe unë
Sa pak gjëra nga jeta e tij kishin mbet.
E kish zmadhuar në mendjen e vet
E kish zbukuruar në mijëra net larg saj.
Në një pik loti poshtë qerpikut, e gjitha ju tret
Dhe tani dukej si i zënë në faj.
Bastuni zu të dridhej, nga mungesa e peshës
Si një shkëmb pa gravitet, që në ajër rri
Kostumi ishte bosh, Ishte fshehur babai,
Nga frika se mos e merrje me vete përsëri.