Të vajtojmë për një gazetë, apo për krejt median?
Shtypi, pra gazetat e printuara, ka kohë që kanë dalë nga “moda”. Qëkurse teknologjia u sulm furishëm mbi çdo fushë të njerëzimti, gazetat në kioska ranë së shituri. Ajo rutina e blerjes së gazetës e më pas leximi në kafene, u shua. Sepse çdo gjë tashmë është në telefon.
Por gjithësesi, kur mëson për ndalim zyrtar të publikimit të një gazete në formën e printuar, të duket si një lajm vdekjeje.
Bëhet fjalë për “Gazeta Shqiptare”.
Ishte gazeta ku unë kam filluar të punoj që në vitin 1993. Sapo isha diplomuar për Fizikë, por dëshiroja të bëhesha gazetar. Gjeta në redaksi Fatos Baxhakun dhe Edmond Laçin.
-Do të bëhesh gazetar? – më pyeti Mondi.
-Po – i thashë tërë ngazëllim.
-Shko bëhu. Nisu që tani.
Më pas njoha aty Armand Meron, Andrea Stefanin, Sokol Ballën, Arlinda Çaushollin…. Unë isha korespondet për Elbasanin. Ndiqja lajmet e kronikës së zezë kryesisht, por një korespondent bën gjithçka. Një herë udhëtova 8 orë me këmbë për të shkuar në një fshat të Librazhdit ku kishte pjellë një mushkë. Lajmi mbërriti deri në “Los Angeles Times”. Për herë të parë Karlo Bolino më dhe 7,000 Lekë(të vjetra) honorar për një lajm.
Pastaj “për punë të mirë” më morën në redaksinë qëndrore. Ndiqja lajmet e “kronikës së zezë”. Dhe kronika ishte aq e zezë(veçanërisht 1996-1997) sa njëherë kur Fatos Baxhaku(kryeredaktori) më pyeti çfarë lajmesh kisha sjellë në redaksi, i thashë se s’ka gjë. Vetëm dy vetë ishin vrarë atë ditë.
Me Karlon, Baxhakun, Mondin dhe kolegët e tjerë unë bërë “fakultetin” e dytë, atë të gazetarisë. Ata ishin pedagogët e mi të gazetarisë. Mësova profesionin, pasi pasionin e kisha vetë. Ishte koha kur për një lajm i binim qytetit vërdallë një ditë të tërë dhe shkoja në ceremoni varrimi të viktimave për të marrë dëshmi për vrasjen. Ishte koha kur s’na zinte gjumi në mesnatë, apo na dilte herët, për të parë se çfarë kishin shkruar kolegët e rivales “Koha Jonë”.
Sot kohët kanë ndryshuar, për fat të keq për keq.
Jo se gazetarëve të terrenit i mungon pasioni, por media në tërësi ka humbur misionin e saj. Dikur gazetarët e bënin ti dilnin djersët një politikani në një konferencë për shtyp, sot politikanët i bëjnë vetë pyetjet dhe vetë përgjigjet dhe mediat thjeshtë i transmetojnë. Shumë lajme vijnë me “link” apo shkarkohen nga faqet e institucioneve.
Megjithatë, ka gazetarë të mirë plot në këtë vend, profesionistë të mrekullueshëm, kurajozë dhe të ndershëm. Por, sa herë të shikoni apo lexoni lajme që nuk ju pëlqejnë, mos shani dhe akuzoni gazetarët. Janë politikat editoriale që ia kanë ulur autoritetin medias.
Por mos u dorëzoni, shoqëritë kanë ulje-ngritjet e veta…
Largimi i një gazete nga tregu fizik, është thjeshtë një arsye për të kthyer kokën pas. Dhe, në këtë kuadër, sot e them me plot gojën që ishte fat që unë e nisa këtë profesion në një gazetë, dhe redaktorë e gazetarë si Laçi, Baxhaku dhe padyshim Bolino. Ajo u bë shkolla e gazetarisë, në kohën kur e vetmja shkollë gazetarie ishte ajo e Zërit të Popullit. Nëse dikush, bashkëkohës, nuk ndan të njëjtin qëndrim, nuk më mbetet hatri.
Foto: Faqja e parë e “Gazeta Shqiptare”, 26 apo 27 Maj 1997.
Një lajm i imi për heqjen veprave të rëndësishme të artit nga Muzeu Kombëtar se mos i grabisinin.
Ishte viti 1997…