Shpëtojeni lumin e vdekur Erzen
Një shkrim i kolegëve të BIRN më riktheu ngati dy vjet pas, tek një problem i madh, vrasja e lumit Erzen. Ndërsa përgatisja një reportazh për mungesën e ujit për ujitje, në fshatrat e Ndroqit, takova banorë që më treguan për vrasjen e lumit. Uji i Erzenit ishte ngjyrë kafe, mbante një arome të rëndë… bimët e vaditura me atë ujë ishin tharë apo ishin zverdhur. Bagëtitë nuk e pijnë.
Shkaku?
Landifilli i Sharrës shkarkon në lumë ujërat që rrjedhin(kullojnë) nga depozitimi i mbetjeve. Eshtë shkruar e denoncuar për këtë problem shumë, por sërish e njëjta gjendje. Sipas BIRN, Agjencia e Mjedisit i ka vendosur kompanisë një gjobë prej 1 milion Leke. Natyrisht që kompania preferon gjobën 1 milion sesa të vërë në punë impiantin që kushton shumë herë më shumë.
Erzeni është një lumë tërësisht i vdekur, pa asnjë gjallesë, e madje edhe i rrezikshëm për bimët dhe kafshët.
Këto janë detyrat e Ministrisë së Mjedisit. Para se të na përshëndesin me foto të bukura nga natyra e Shqipërisë, duhet të shkojnë në këtë vend e ta ndalin këtë krim mjedisor katastrofik për një lumë dhe për bimët, kafshët dhe njerëzit që jetojnë në rrjedhën e këtij lumi.
Foto: Kanali ku derdhen ujerat e ndotur dhe impianti qe duhet te filtroje ujerat