Edhe për inat të djalit plangprishës, babai nuk e djeg shtëpinë asnjëherë!
Sali Berisha mund të jetë një hero për shumë demokratë e shqiptarë të tjerë. Për shumë më shumë të tjerë, veprimi i Bashës mund të jetë pa pikë dinjiteti, morali dhe përkundër rregullave të brendshme të funksionimit të një partie.
Por Sali Berisha nuk u soll si një burrë shteti, as si një baba, me partinë të cilën e bashkëthemeloi dhe e drejtoi për afro tri dekada.
Ndërsa ata që kanë marrë zjarr tani të sulmojnë Bashën, me pretendimin se “në PD prej ardhjes së tij nuk ka më demokraci”, janë po kaq pa moral sa edhe ai që akuzojnë. Sepse të pretendosh se kishte demokraci kur e drejtonte Berisha është e paimagjinueshme.
Megjithatë, mendoj se njeriu që ka më shumë përgjegjësi tani është pikërisht Berisha:
Ai e drejtoi qeverinë e PD-së në dy mandate, ku i dyti ishte një garë kush të vjedhë më shumë.
Ai e shtyu Lulzim Bashën drejt karriges së kryetarit, përkundër çdo parimi politik e statutor.
Ai e mbështeti Bashën, edhe kur humbi zgjedhjet njëra pas tjetrës, pa i kujtuar se “kush humb ikën”.
Me apo pa të drejtë, ai është në një kurs përplasjeje me segmente të politikës amerikane.
Me apo pa të drejtë, Berisha është në konflikt me një prej influencuesve më të mëdhenj në politikën amerikane, Xhorxh Soros. Ka që në vitin 1993 që është në përplasje të vazhdueshme.
Me apo pa të drejtë, ai e futi edhe PD-në në këtë kurs përplasjeje me politikën amerikane.
Me apo ta drejtë, ai e di më mirë se kushdo tjetër në Shqipëri, se çfarë i ndodh një qeverie, një partie apo një politikani, kur përplaset me amerikanët. Sepse ai është rrahur me vaj e me uthull.
Berisha mund tia kursente PD-së këtë mundim të madh. Mund të tërhiqej, deri në përfundimin e gjyqit që ka hapur, dhe nëse do ta fitonte, mund të rikthehej si “hero kombëtar”. Ai nuk e bëri. Sado që tha se kjo është çështje imja private, sërish ai është lideri shpirtëror i PD-së. Më në fund Basha, u detyrua, realisht u detyrua, të marrë një vendim.
Dhe atëherë, Berisha, fiks si një simpatiznat rruge, si ata që shanë Bashën me libër shtëpie tek dera e selisë, iu sul Bashës me akuza që nuk i ka artikuluar asnjë socialist e demokrat deri tani. Në kushtet e një zhgënjimi dramatik, Berisha premtoi ta shkatërrojë PD-në e Bashës, për të bërë një PD tjetër me ata që kanë inat Bashën.
Nëse djali plangprishës ishte i detyruar ti tregonte derën e shtëpisë, babai nuk mund ti verë zjarrin shtëpisë nga inati.
Sali Berisha nuk ka më as kohën, as moshën, as mbështetjen, as moralin, e asgjë tjetër për të bërë një parti të re demokratike. Atij nuk i falet që në ikje ta marrë edhe PD-në me vete. Ky po, ky mund të jetë nderi më i madh që i bëhet qëverisë, me apo pa pazar me Edi Ramën.
Berisha në parlament tashmë do të jetë një njeri që do të flasë me veten. Ai do të sulmojë Bashën dhe Ramën, por as njëri e as tjetri nuk do ti përgjigjen.
Ndërsa Basha tani ka mundësinë dhe detyrën të tregohet një lider, nëse është. Ai nuk duhet të mjaftohet me foto, tashmë plot buzëqeshje, me ambasadoren e SHBA.
Ai tani duhet ta shpëtojë PD-në dhe ta rindërtojë atë, për ta bërë gati për zgjedhjet e vitit 2025.
Nesë mundet, gjithnje!