Plaka dhe qumështi
Para pak ditësh, po udhëtoja në Rrugën e Arbërit, drejt Peshkopisë. Pa kaluar Bulqizën, në anë të rrugës pash një grua të moshuar me një trastë të madhe mbushur me bidona me qumësht. Ndalova dhe e mora në makinë.
Pa u ulur mirë, më lëshoi një breshëri falenderimesh e urimesh që e ndihmova. Pastaj, shpejt e shpejt, më pyeti:
Mos je gjë Mentor Kikia ti, ai që flet në televizor?
- Po, i thash duke qeshur. I shikon programet televizive ti?
- Po po, i shikoj nëna.
Pastaj, siç e kemi zakon ne shqiptarët, për 5 minuta morëm informacion për shtatë breza. Nga je, ku shkon, sa fëmijë ke, ku punon gruaja etj etj.
Gruaja e moshuar kishte 8 fëmijë, të shpërndarë, siç tha ajo vetë, nga Franca deri në Suedi.
- Dhe ti shet qumësht duke e mbajtur në kurriz? – e pyeta.
- Po çtë bëj, isha në Francë ca kohë e nuk nejta dot. Ça të bëja unë atje?
- Po mirë, nuk të sjellin ndonjë lek fëmijët, që të rrish rehat në shtëpi?
- Unë nuk du lekë, o Mentor, du rob. Nuk kam rob në shpi.
Këtu e qepa!
Pastaj folëm për fshatin e saj. “Dikur kishte ujë shumë, por na e morën, na e morën galeritë dhe ata për hidrocentral. Tani jemi tharë, as bagëtia s’ka ku të pijë”.
-Eh e kishim fshta të bukur – psherëtiu
E dërgova deri në vendin ku duhej të shkonte dhe para se të zbriste, e pyeta sërish:
-Po ti e bën çdo ditë këtë punë?
-Jo jo, jo çdo ditë. Ma t’shumtën e rasteve vijnë ma marrin ke shpia qumështin. Por janë ca pleq e plaka këtu që s’kishin mundësi dhe ua solla vetë.
Buzëqesha.., “ca pleq e plaka”…
U shtrëngova pak, ndërsa i zbrita trastën mbushur me bidona me qumësht. Këmbënguli të më jepte një shishe qumësh për “hakun e rrugës”. Ia refuzova, duke i thënë se “do të ngelen ata pleqtë pa qumësht, dhe atyre u duhet më shumë”.
Gruaja e moshuar e hodhi mbi sup trastën e rëndë dhe filloi të ecte pa u lëkundur. Ka të drejtë –thashë – ata që presin qumeshtin duhet të jenë pleqtë dhe plakat e vërteta.