Përse nuk do të lutem kurrë për Shqipërinë…
Sa shumë njerëz kam parë e lexuar këto ditë që “urojnë” që zjarret të fiken. Njerëz që “luten”, që Shqipëria, madje edhe Greqia e Turqia, të shpëtojë nga djegia…
Unë besoj në Zot, edhe pse nuk shkoj as në Kishë e as në Xhami!
Zoti im nuk ma shtron sofrën kur unë kam uri, por më mëson e më ndihmon të punoj, që sofra të mos më mbetet bosh.
Zoti im nuk ma shpëton jetën nëse unë i dal makinës përpara ne rruge, por Ai më mëson dhe me ndihmon që unë të kem kujdes kur eci.
Zoti im më mëson ti dua njerëzit, ti ndihmoj ata që kanë nevojë. Më mëson ta dua dhe ta mbroj tokën që më ushqen, pyllin, lumin, detin…
Zoti im nuk i fik zjarret, por Ai më mëson se zjarret nuk duhen ndezuar që pyjet të mos shfarosen.
Zoti im nuk mbjell pemë, por Ai me meson dhe me ndjhmon qe une te punoj per te mbjelle peme. Ai më mëson se nëse ne do ta shkretojmë Tokën, atëherë do të vdesim.
Ndaj unë nuk do të lutem për Shqipërinë, për pyjet që digjen, për lumenjtë dhe bregdetin që kemi shkatërruar, për natyrën që po shkretohet… Sepse këto masakra nuk ndalohen me lutje.
Shqipëria nuk ka nevojë për mesha e përkujtimore. Shqipëria sot ka nevojë për njerëz që të ngrejnë zërin, të tundin grushtin ndaj atyre që shkatërrojnë dhe atyre që nuk veprojnë për të ndalur shkatërrimin.
Zbatim të rreptë të ligjit. Burg për atë që shkatërron, burg për atë që nuk e ndalon shkatërrimin. Kjo është ajo për të cilën ka nevojë Shqipëria. Ndaj ta kthejmë lutjen në protestë.
Së shpejti, kush do të bashkohet, në një protestë për të mbrojtur natyrën.