Përse humbi(thellë) kandidati i opozitës në Himarë?
Opozita ka bërë listën e arsyeve për të mos pranuar apo justifikuar humbjen e zgjedhjeve në Himarë. Jo makina me lekë, jo shantazhi, jo bandat, jo tapitë, jo banorët e importuar nga Gjirokastra, jo pasaportat dhe ID e skaduara…
A kishte parregullsi? Kishte!
Por rezultai tregoi se fitorja ishte e padiskutueshme.
Mendoj se arsyeja kryesore që çoi në këtë rezultat ishte thellimi i gabimit me kandidatin. Pas Belerit, sërish një nga Omonia. Pas deklaratës në Athinë, se “Himara ka nënën Greqi që e mbron”, Beleri humbi çdo mbështetje morale në Shqipëri, edhe nga ata që besonin se ai është një i burgosur politik. Dhe opozita hyri në zgjedhje pikërisht me garancinë e votave të Belerit…
Gjikuria mund të jetë një njeri dhe sipërmarrës shumë i ndershëm dhe mund të kishte qenë një kryebashkiak shumë i mirë. Kishte ardhur nga Amerika me një projekt se çfarë mund të bënte për qytetin. S’kishe askund ku tia varje akuzat.
Atëherë ai u godit tek “pika e dobët”.
Minoritari grek Vangjel Tavo, që u bë himariot vetëm 4 muaj para zgjedhjeve, ishte një hiçgjë për “lebërit patriotë” para Gjikurisë “Vorioepiriot”, që bënte fushatë me banera me parrulla në gjuhën greke dhe me portretet e Spiromilove që dogjën fshatrat e bregut një shekull më parë.
Beleri, që ndërkohë mendon se është heroi i Himarës, i dha një dorë Gjikurisë, duke përcjellë një mesazh në gjuhën greke: ”Mbështes Gjikurinë. Minoriteti grek nuk është vetëm dhe i pambrojtuar”.
Ndërsa drejtuesit e PD-së shkuan në radhë si cjapi tek kasapi të mbanin fjalime para banerit në gjuhën greke, duke u kërkuar votën shqiptarëve.
Kaq duhej!
Edhe banorët e fshatrave të labërisë që po ua marrin ujin e po u thajnë shtëpitë e tokat, e harruan lumin dhe votuan 99 % PS-në.
Në Europë politikanët po gremisen edhe kur u shpëton ndonjë fjalë kundër LGBTI-ve. Kandidatë për president në SHBA janë rrëzuar sepse janë sulmuar me arsyen “se kur unë luftoja në Vientam, ti dilje për gjueti në rezervate”
Shkoni lexoni ndonjë gjë rreth PR-it elektoral dhe pastaj zbrizni në fushatë, ose pyesni ndonjë që merr vesh!