Meqe BE-në e siguruam, me ekonominë çfarë do të bëjmë?
Po dëgjoj me vëmendje prezantimin e programeve elektorale të partive për zgjedhjet. Edhe pse votuesit, në shumicë dërrmuese, nuk lexojnë programet para se të votojnë, unë dua të kuptoj se çfarë ekonomie do të ngrejmë në këtë vend.
Sepse sot:
-Blegtoria bie me rreth 10% në vit, pasi fabrikat e përpunimit të qumështit furnizohen nga Serbia e Hungaria, ku e blejnë qumështin 40% më lirë.
-Toka po braktiset masivisht, për shkak të mungesës së leverdisë. —Tregu mbushet me prodhime që vijnë nga Greqia, Italia, Egjipti, Turqia e Maqedonia.
-Fruti-kultura po braktiset sepse prodhimin vendas e konkuron prodhimi i importit. Në vend nuk ka industri të përpunimit të frutave, ndërsa tregun e mbushin lëngjet e frutave që vijnë nga Serbia apo fabrikat “Made in Albania”, që prodhojnë lëngje frutash me ngjyrues kimikë dhe sheqer.
-Vendi është mbushur me kafene, furra buke e farmaci.
-Ka nisur vitet e fundit moda e “Agroturizmit”. Fshatrat po mbushen me restorante që s’kanë asnjë lidhje me “Agro-n”, por shërbejnë pulat që skarcojnë impiantet e prodhimit të vezëve dhe mish që vjen nga Brazili.
Eksportet janë modeste në raport me importin, por përballen edhe me sfida të mëdha për shkak të standardit të cilësisë.
Emigrantët ftohen të vijnë të investojnë në Shqipëri, edhe pa taksa u thotë Berisha. Po ku, çfarë të bëjnë? Çfarë të ndërtojnë? Sërish kafene?
Qeveria duhet ti mbështesë më politika fiskale, por më së pari duhet ti orientojë, që të mos falimentojnë e të mallkojnë vehten.
Ekonomia sot mbështet në dy shtylla: Asfalt dhe Beton
Asfaltin e shtron qeveria(çmimet i vendos kompania ndërtuese). Asfalti është sektori që ha më shumë buxhet.
Ndërsa betonin, më së shumti, e hedhin investitorë që nëse hetohen, bien kullat bashkë me ekonominë.
Sot ekonomitë maten me forcën e prodhimit. SHBA i ka shpallur luftë Botës për të mbrojtur dhe imponuar prodhimet e saj vendeve të tjera.
Por çfarë premtojnë partitë meqë jemi në fushatë?
Rama mban në në njërën dorë një buf dhe në dorën tjetër një pasaportë. Do të shkojmë në BE. Kaq!
Berisha premton uljen e çmimit të naftës, uljen e taksave, heqjen fare të disa lojeve, rritjen e pagave, pensioneve, minimumit jetik, ndihmës ekonomike, uljen e çmimit të energjisë, heqjen e detyrimeve të atyre që kanë borxhe…
Po ekonomia zotërinj? Çfarë ekonomie do kemi?
A do të prodhojmë gjë? A do të shesim gjë?
Apo do të vazhdojmë të punojmë si argatë në Gjermani, Greqi, Itali, Maqeoni, edhe në Mal të Zi(o perëndi të emigrosh edhe në Mal të Zi), dhe më paratë që fitojmë të blejmë po ato që prodhojmë vetë atje?
Foto: Perpjekjet e fshatareve ne Korce per te shitur prodhimet ne rruge