Ky është ilaçi popullor kundër humbjes së kujtesës!
Një miku im, mjek popullor, para ca kohësh më la “amanet” një recetë. Gjethe ferre të egër, hithra, burdullak, majë e njomë lastari rrushi, si dhe petale trëndafili, tri ngjyra; e verdhë, rozë dhe e bardhë. I zjen për gjysmë ore dhe e lë lëngun të ftohet për 24 orë jashtë, por kur hëna të jetë në të ngrënë. Pastaj e kullon dhe e pi esëll në mëngjes, pak para se të lindë dielli, për një javë rresht. Është “dorë me një”, të sjell kujtesën në vend, veçanërisht ata që kanë mbetur me pasoja nga Covid 19.
Këtë recetë unë nuk e kam përdorur, pasi nuk kam dashur të përziehen në këto punët e mjeksisë popullore.
Megjithatë, mbrëmë më erdhi vërtet keq kur dëgjova për problemet që kishte Z.Arben Ahmetaj.
Ai mbante mend ditën, datën, vendin dhe orën se kur “disa” nga qeveria ku bënte pjesë dhe ai, ishin takuar në Stamboll me “disa” atje dhe kishin folur për “diçka” dhe pas kësaj, tënderi per ndertimin e një tuneli iu hoq kompanisë shqiptare dhe iu dha asaj turke, me 40 milion Euro më shumë.
-Kush ishte? Për çfarë folën? Me kë folën?- e pyeti gazetari
-S’e mbaj mend, më ka ik kujtesa, pasojë që më ka mbetur nga Covid ‘19. Por mund të më vijë më vonë.
Pastaj ai tha se në këtë vit, në këtë datë e në këtë vend, Rama dhe “disa” të tjerë ishin takuar dhe kishin folur për “diçka”, dhe pastaj u bënë inceneratorët.
-Po çfarë thanë? Kush ishin? – pyeti sërish gazetari.
-Të thashë më ka ikur kujtesa. Ndoshta kujtohem më vonë.
Një kolegu im tha se këto janë presione, janë mesazhe, shantazhe. Ahmetaj nuk po kontribuon për drejtësine, për të ndëshkuar të korruptuarit e qeverisë ku ka bërë pjesë, por po i paralajmëron ata që të mos e ngacmojnë, ndryshe do ti vijë kujtesa.
Por unë e kundërshtova. Mu duk i sinqertë në atë që tha. Ndaj dhe vendosa të vë në zbatim recetën që më ka dhënë miku im mjek popullor.
E kam falas, sepse nuk e kam për qëllime biznesi, thjeshtë për bamiresi.