Nga “Lulet e egra
Ju që më deshët me zjarr!
E nisëm së bashku të vështirën rruginë,
kur cickat m’buçitën si t’bardhat lulebore,
qiejt e gojës suaj i ngrija mbi shpinë,
nëpër vite ju mbaja, vazhdimisht përdore.
Ju, të dashurit e mi, qejflinj e buzëprush’
që kopshtet Edenë m’i mbollët manushaqe,
si gjerdan të çmuar ju varja nëpër gushë,
hënzat tuaja – i ngjisja hartë në faqe.
Djelmoshët e mi që shkumëzoni përvëlim,
diellin e gjinjve s’ma lat’ të ftohet kurrë,
me lulevere çdo ditë, më bët’ shkëmb në zgjim,
në mua ngritët flakë, gjelbëruat çdo mur.
T’dashuruar të thekur, kazanovët e mi,
nëpër koh’ harruat penelopat tuaja,
flokët flakë m’i ndiznit nën të lagshtin shi,
mesnetësh, dhimbjen e grave tuaja vuaja.
Oh, të dashur, pushkinët e mi nëntëqiejsh
që haremit tim shpërthenit zogjë të valë,
vajtimet m’i zverdhët e lidhët kurme diejsh,
m’u mbollët thëngjinj, më mbitë si mal me mall.
Onjegin’ që ma deshët akullin e huaj,
ju që më quajtët Helen’, Anë Karenin’
që më lindët e zhytët një jet’ n’vargun tuaj,
ju shokë, me t’vetmin sekret ndër jush, emrin tim.
Eh, dashnor’ të krisur, dalë nga borëbardhat,
që rrugët m’i puthnit buzëmbrëmjeve-agim,
m’i mbushët shpresat me të kaltrat pulëbardha,
ju që në turrën e druve – u shkrit’ papushim.
Apollon’ të regjur, vjeshtakë katërstinësh,
secili m’u lut t’më bëhej një ditë burrë,
nën gjuhë më fshehët të më takonit tinëz ,
unë – hënë e dikujt, që s’më deshi kurrë!