Fate me mjegull
I.
Grinden fatet si njerëzit,
për fuqi,
nëpër kohë përsosmërisht delikate,
pangopësisht zhvatëse,
të cilat na shtyjnë në tallje masive ndaj vetvetes.
Në beteja të hapura që nga krijimi ynë,
fatet si njerëzit,
me hapëza të tërbuar vrapojnë të na ekzekutojnë,
edhe pse, asnjë grimëz të mire s’u patëm bërë kurrë.
II.
Fatet si Zeusët,
zotër të të gjitha mbretërive të botës.
Soditës,
kur,
në kurme të ngrohta hyjneshash struken mëkatarët,
të mëdhenj a të vegjël, ndërtojnë aty rrathët e Ferrit mitik
dhe kurmet, si fatet, heshtin për ç’shohin
dhe shërbehen gjithë dëshirë drejt zullumit,
aty ku bëhen bashkë,
në një pikë,
cikli i pastrimit me atë të ndotjes,
si në proces homogjenizimi.
III.
Një masë kockash jemi
dhe presim pranverat e pafuqishme, që, mizorisht, dimrat e gjatë na i zbojnë,
dhe shpërthejmë brenda trupave tanë milimetrikë,
me dromca zemërimi përpëlitemi,
e kockat na zbuten para fatit,
trutë na thinjen më shumë se flokët,
zemrat na kërcasin në çdo stinë.
I pakthyeshëm fati,
si bebja në çastin e lindjes.
Falë tij,
mjerimi nuk është fron që s’arrihet,
ndërsa karrot e luksit vrapojnë edhe më larg.
IV.
Në të gdhirë.
Hyn fati,
i rreptë,
si vështrim i ashpër armiku.
Akujt cijatin xhamave të ndërgjegjes.
Në qiell ngrihen frymët e të vdekurve
të njëzetë e katër orëve të fundit,
dhe gjoksi i nëntokës nis t’u strehojë bujarisht mishin e freskët,
dhe kujdeset t’ua fshehë nga dritë e diellit
deri në transformim të asgjësë.
V.
Me vdekjen e secilit,
fatet fluturojnë të lirë,
pa u sforcuar të lidhin kompromise të ndyta.