Nga Klevis ELEZI: Politika si një lojë shahu
Nëse shohim politikën e sotme, ajo i ngjan më shumë se kurrë një loje shahu të gjatë dhe të lodhshme. Mbreti në këtë lojë është vetë shteti, simbol i ekzistencës dhe vazhdimësisë. Nuk ka fuqinë e madhe të lëvizjeve, por gjithë loja varet nga mbrojtja ose rënia e tij. Çdo politikan e di se shah mat i mbretit, do të thotë shembja e rendit, krizë institucionale dhe, në disa raste, edhe humbja e besimit qytetar.
Mbretëresha, figura më e fuqishme, është opinioni publik dhe media. Ajo lëviz shpejt, me forcë dhe në çdo drejtim. Një lëvizje e vetme e saj mund të ndryshojë rrjedhën e lojës politike, duke goditur aty ku politikanët nuk e presin.
Kullat janë institucionet e forta, drejtësia, ushtria, parlamenti; që mund të duket se lëvizin ngadalë, por në vijë të drejtë dhe me peshë vendimtare. Pa rolin e tyre, asnjë lider nuk mund të ketë mbrojtje të qëndrueshme.
Oficerët (filat) janë këshilltarët dhe aleatët ndërkombëtarë, që shfaqen në diagonale, pra jo drejtpërdrejt, por duke vepruar në prapaskenë. Ata nuk e kontrollojnë tabelën hapur, por ndikimi i tyre është i padiskutueshëm.
Kali, që lëviz në mënyrë të pazakontë, përfaqëson aktorët e paparashikueshëm politikë: opozitarë radikalë, figura të reja apo lëvizje qytetare që shfaqen papritur dhe shkojnë atje ku logjika klasike e politikës nuk arrin dot. Ata shpesh bëjnë surprizën dhe ndryshojnë ekuilibrat.
Ushtarët, që ecin përpara vetëm një hap, janë qytetarët. Individë të thjeshtë, me mundësi të kufizuara, por të domosdoshëm për lojën. Kur arrijnë fundin e tabelës, pra kur vetëdijesohen dhe organizohen, shndërrohen në mbretëreshë, forca më e fuqishme që mund të detyrojë ndryshimin e sistemit.
Në politikën tonë aktuale, shpesh përballemi me remi, barazime të lodhshme pas negociatave pafund që nuk çojnë në zgjidhje reale. Në raste të tjera, ka situata pat-i, kur qeveria dhe opozita mbajnë njëra-tjetrën të bllokuara: askush s’mund të fitojë, por as të humbasë. Ndërsa herë pas here shfaqen tentativa për roqe, manovra të papritura mes liderëve për të mbrojtur veten duke bërë aleanca të pazakonta.
Politika është shah. Dhe në këtë lojë, pyetja nuk është vetëm kush do të fitojë, por kush do të shpëtojë mbretin pra shtetin. Sepse kur qytetarët, ushtarët e thjeshtë, shndërrohen në mbretëresha, asnjë pushtet nuk është më i paprekshëm.















