Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit dr. dhe kandidat për profesor i asociuar Arben Shehu ka shpikur një vaksinë për të korruptuarit
Nga: Kastriot Myftaraj
Mallakastra ka nxjerrë burra të mençur me arritje të veçanta. Sipas Enver Hoxhës njëri prej tyre u bë poliagjent. Një tjetër burrë me prejardhje nga Mallakastra, por i lindur në Shkodër, kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit z. Arben Shehu, me gradë shkencore dr. dhe pretendent për të marrë titullin shkencor profesor i asociuar në të drejtën penale, ka shpikur atë që mund të quhet si një vaksinë për të korruptuarit.
Burrë me fantazi ky Arben Shehu. Ai, duke u frymëzuar nga kjo kohë me virus dhe vaksina që po jetojmë qartësisht mendon kështu: Institucioni që ai drejton shihet nga të korruptuarit e institucioneve të ndryshme shtetërore si një lloj virusi i rrezikshëm për ta. Nëse u shkon KLSH për inspektim përfundojnë në “intubim”. Prandaj ata kanë nevojë për një lloj vaksine t’ u mbrojtur.
Oferta për të shkuar dhe për të bërë këtë vaksinë të markës “KLSH” para se të preken nga virusi (t’ u vijnë ekipet e auditorëve të KLSH) është bërë nëpërmjet disa portaleve drejtuesit e të cilëve janë pranë kryetarit të KLSH.
Në këta portale është publikuar lajmi, me burim KLSH, se së shpejti KLSH do të nisë një fushatë të gjerë kontrolli në institucionet që përdorin paratë publike për të zbuluar shkeljet dhe denoncuar në organin e akuzës përgjegjësit.
Ky lajm përkthehet kështu në gjuhën e qartë shqipe, nga gjuha e koduar mafioze të keqpërdorimit të detyrës zyrtare për shantazh fitimprurës: Të dashur të korruptuar paraqituni për të marrë “vaksinën” pranë KLSH që të mos përfundoni në “intubim” nga ky virus i rrezikshëm. Që të mos përfundoni në burg domethënë dhe të lini qimet e kokës, disa edhe ato të mbjella me para korrupsioni, për të dalë nga burgu.
Z. Arben Shehu ka qenë pedagog i procedurës penale dhe kriminalistikës pra e kupton mirë kur institucionet përdoren si mjet shantazhi fitimprurës.
Parakushti i një kontrolli efikas është befasia. Ç’ kuptim ka që të njoftohen me anë të medias ata që do të kontrollohen?
Dikush mund të thotë se portalet e kanë sajuar lajmin vetë. Nëse është kështu, pse është shkaktuar shqetësim nëpër institucione dhe ka lëvizje?
Pra ata që rrezikohen e kanë marrë saktë mesazhin. Pastaj një institucion serioz reagon në këto raste duke i qortuar publikisht mediat që duan ta përfshijnë në një histori shantazhi. Asgjë të keqe nuk do të kishte nga një reagim i tillë, veç sa do t’ u pritej rruga këtyre spekulimeve në media, nëse janë spekulime kuptohet.