100 -vjet gazeta Kombëtare “DRITA” e Veli Hashorvës
Gazeta e parë në gjuhën shqipe në Gjirokastër
Sektori i Trashëgimisë pranë Bashkisë së qytetit kishte kohë që planifikonte një aktivitet kushtuar 100 vjetorit të botimit të gazetës “DRITA”. Ndërkohë kryetari i Bashkisë Flamur Golemi kishte marrë një telefonatë nga një mjeke, e cila interesohej që Këshillli Bashkiak i qytetit të vlerësonte me titull nderi patriotin Veli Hashorva. Takimi im me pasardhësen e Veli Hashorvës ndodhi në Tepelenë në 20 Shtator, gjatë ceremonisë nderuese të Presidentit të Republikës në kuadër të 100 vjetorit të Luftës së Vlorës. Mes atyre patriotëve që nderoheshin ishte edhe korrespodenti – luftëtar, botuesi i njohur Veli Hashorva. As që e mendoja se ky do të ishte takimi i parë dhe i fundit me pasardhësen e tij…
- “Gazeta jonë të cilën e pagëzuam “Drita”, me emrin veteran në historinë e shtypit shqiptar, del për herë të parë këtu, dhe është e para që ndrin në gjuhën tonë t’ëmbël. Me këtë organ do t’jua bëjmë të ditur miqve dhe armiqve tanë, që gjuha dhe sentimentet e këtij vendi, thërrasin e do të thërresin për shqiptarinë.”
Me këto fjalë ju drejua Veli Hashorva të pranishmëve në ceremoninë e botimit të gazetës së tij 100 vjet më parë. Në vlerësim të kësaj ditë Bashkia Gjirokastër dhe Unioni i Gazetarëve lokalë, organizuan aktivitetin - “100 vjet gazeta DRITA”
U zgjodh po ai vend që Veli Hashorva kishte zgjedhur 100 vjet më parë, oborri i shkollës “DRITA” pranë Gjimnazit “Asim Zeneli” të qytetit.
Kryetari i Bashkisë me propozim të kryesisë së Unionit të Gazetarëve lokalë, nderoi me titullin “Mirënjohja” gazetarët me kontributin më të spikatur në fushën e gazetarisë ; Sedat Braja, Violeta Duri, Violeta Kutra (Gudha), Kristo Ndrico, Ëngjëll Fino, Petrit Beqiri dhe Aleksandër Çipa.
Ashtu si dikur ceremonia e 100 vjetorit të “DRITËS” nderohej edhe nga përfaqësues të tjerë të pushtetit qëndror e lokal; prefekti Odise Kote dhe kryetare e Këshillit të Qarkut Lindita Rova.
Shpërndarjen e gazetës në ditën e inagurimit të saj Veli Hashorva, në shenjë fati e nisi nga avokati Vasil Dilo, botuesi i gazetës lokale në gjuhën greke,“OMONIA”, ndërkohë që 100 vjet më vonë kryetari i Unionit të Gazetarëve gjirokastritë, ja afroi numrin e parë të gazetës “100 vjet gazeta DRITA”, z. Aleksandër Cipa, kryetari i organizatës më të njohur në vend në mbrojtje të gazetarëve, Unionit të Gazetarëve Shqiptarë. Një simbolikë e gjetur kjo po të kujtojmë se 95 vjet më parë Veli Hashorva u detyrua të mbyllë gazetën e të emigrojë për shkak të kërcënimeve me jetë.
Të pranishmit u njohën gjithashtu edhe me vendimin e Unionit të Gazetarëve Gjirokastër për ta përjetësuar emrin e korrespodentit – luftëtar në një titull nderi të destinuar për gazetarët.Titulli “Veli Hashorva” do të fillojë të aplikohet në ditën e shtypit të vitit 2021, titulli “.
U bëfshi prijësit e parë për zgjerimin e përhapjen e gazetarizmit në atdheun tonë të dashur – e uronte 100 vjet më parë Thoma Papapano, botuesin Veli Hashorva në ditën e inagurimit të gazetës. Urimet me zemër, thonë që zënë vend. Kështu ndodhi vërtetë, në pak kohë u hapën me dhjetra organe shtypi në krejt vendin. Nderimi i 100 vjetorit të botimit të gazetës Kombëtare “DRITA” ndoshta duhej të përcilllej me tjetër vëmendje edhe nga shtypi ynë kombëtar.
100 vjet më parë Bashkia Gjirokastër dha për herë të parë një titull nderi. Ai ju akordua komandantit të Luftës së Vlorës, Qazim Koculi. 100 vjet më vonë po kjo bashki akordoi një titull nderi për korrespodentin dhe luftëtarin e Luftës së Vlorës, Veli Hashorva.
…Por, pavarësisht seriozitetit dhe masave të marra nga strukturat organizuese, po ndjeja se gjithsesi diçka i mungonte ceremonisë kushtuar 100 vjetorit të gazetës “DRITA”. Pjesë e saj nuk u bë dot ajo që u interesua e ndihmoi me gjithcka, mbesa e gazetarit, Flutura Hashorva. Mjekja e njohur humbi betejën me COVID 19, në një nga repartet e spitalit ku punoi gjithë jetën, pa mësuar se Këshillli Bashkiak Gjirokastër e nderoi Veli Hashorvën me titullin “Qytetar Nderi”.
Gëzuar 100 vjetorin e gazetës kombëtare “DRITA”, të parës gazetë në gjuhën shqipe në Gjirokastër !
Kr. Unionit Ilir Lluri

















