Lamtumirë Merditë. U lodhe nga betejat për të mbrojtur veten dhe Shqipërinë. Boll më. Atë e shpëtove. Prano tani kryqëzimin në emër të saj
Nga: Gjok Pepa
Rrënjët tona ilire tashmë janë provuar dhe pranuar botërisht nga historianët, kjo dhe për pasojë dhe të punës së mire që është bërë nga studiuesit dhe shkencëtarët tanë në kohë. Deri në vitet nëntëdhjetë askush ndër ta nuk pati guxuar ashtu si sot ti lidhë ata me Pellazgët e lashtë. Disa nga Rilindasit e përmendnin diçka të tillë ndër vargje a rreshta të shkruar por ajo konsiderohej asokohe si pjesë e frymës që ata përdornin për rritjen e ndërgjegjes kombëtare ndër shqiptarët.
Me ndryshimin e sistemit politik në Shqipëri, historianë dhe studiues të shumtë kanë folur dhe botuar shkrime të bollshme rreth kësaj teme dhe besoj se lidhja pellazgo-ilire duket se mund të kopsitet mjaft mire. Ajo çka ma bën edhe më të besueshme këtë lidhje sipas atyre shkrimeve janë disa cilësi që rraca jonë duket se i trashëgon pikërisht prej tyre.
Zhvillimi dhe civilizimi i tyre thuhet se arriti deri në ato përmasa sa krijoi apo u bë shkak dhe për zvetënimin e kësaj rrace. Degjenerim i vlerave morale të tyre besoj se e arriti kulmin me luftën e Trojës.Sipas studimeve të lartpërmendura, ajo nuk ishte gjë tjetër veçse luftë mes fiseve të së njëjtës fare iliro-pellazge e kësisoj pra i takon të jetë betejë e gjatë dhe e përgjakshme vetëm mes vëllezërish.Rënimi i Trojës u kthye në mallkim për ta. Braktisën trojet e tyre dhe u shpërndanë mbarë Europës duke ndërtuar themele të reja qytetërimi sa ndër shekuj harruan se kush ishin e nga vinin. Historianët e brezave të kaluar në pamundësi të vërtetonin se cilët ishin trashëguesit e sotëm të atij gjaku u justifikuan me zhdukjen ose asimilimin e mundshëm të tyre.
Shumë nga studiuesit e sotëm që mbrojnë lidhjen pellazgo-ilire, ndërmjet të tjerave këmbëngulin se teoria e tyre mund të vërtetohet jo vetëm nga shkrimet historike të shumta por dhe nëpërmjet trashëguesve më të denjë në natyrë duke u mbështetur në ato cilësi që thuhet se ata posedonin. Sipas tyre, Gegët në veriun e Shqipërisë së sotme janë trashëguesit më potencialë të asaj rrace. Dialektin e gegëve ata e përcaktojnë si thelbin e kësaj lidhjeje por nuk harrojnë ti shtojnë atij dhe cilësitë e tjera që ky fis akoma i trashëgon prej tyre sot e kësaj dite në mënyrë të dallueshme.
Aristidh Kola, studiuesi i mirnjohur arvanitas, këmbëngul se gegët e veriut të shqipërisë nuk janë tjetër veçse pasardhës të dallueshëm në natyrë të atyre që ndërtuan muret pellazgjike pasi dhe emëri tyre Gegë vjen nga Gigs, pra gjigandë. Shihini ata nga shtati thotë ai pa hezitim.Vetëm ata trashëgojnë cilësitë fizike të tyre, shtatlartësinë, forcën dhe bukurinë trupore por dhe intelektin dhe karakterin.Të gjithë fëmijët atje lindin të bardhë dhe me flokë të verdhë a të kuq në gështenjë dhe me sy blu ose të shkruar njësoj siç na vjen nga shkrimet rraca pellazge.
Kisha dëgjuar se territoret shqiptare dikur zotëroheshin apo ndaheshin ndërmjet katër fise të fuqishme e një ndër ta ishin dhe mirditorët, por ajo çka më befasoi gjatë leximit të shkrimit të një studiuesi të njohur austriak të përkthyer në shqip nga Robert Elsie ishte se ai, pasi pohonte këtë të dhënë, duke i emërtuar të katër këto fise sipas territoreve, mirditorët i njësonte me gegët. Pra ai shkruante; “Gegët ose mirditorët ishin fisi në veri të trojeve shqiptare.”
“Ky fis spikat mes të tjerëve, jo për nga numri por, prej dijes dhe virtyteve të rralla e të larta njerzore”- shkruan mes të tjerash për ta dhe historiani italian Feliçe Kuniberti duke shtuar kësisoj pa vetëdije dhe një të dhënë rreth trashëgimisë së tij pellazgo- ilire.
Mund të vazhdoja dhe më tej në këtë hulli por nuk është ky motivi për të cilin e mora guximin të shkruaj pasi kam replikuar mjaft në këtë drejtim me disa të ashtuquajtur studiues të kohës që mbingarkesa që i kanë vënë vetes për tu shquar medoemos në lëmin e historisë u ka shkaktuar masë në qarkun e trurit të tyre të vockël e të lodhur.
Një polemikë e nisur kohë më parë më detyron që për të mirën e përbashkët të ndalem dhe të përmend e për më saktë të theksoj se ne si fis, ashtu si dhe të tjerët,trashëguam edhe degjenerimin moral të fiseve pellazgo-ilire po në atë shkallë me cilësitë e tjera që përmendëm më lart. Lufta mes vëllezërish vazhdon të zhvillohet ndër ne si askund ndër fiset e tjera ndaj dhe kjo i shtohet argumenteve të mësipërme mbi gjenezën tonë pellazgo-ilire, biles ajo duket se tregon më saktë se ne ishim bashkudhëtarë të tyre si në fazën e zhvillimit dhe të lulëzimit ashtu edhe në atë të degjenerimit e shthurjes totale.
E parashtrova gjithë këtë hyrje për të dalë dhe ndalur pikërisht këtu. Sa ka ndikuar në kohë dhe po ndikon akoma mbi fatin e Mirditës kjo e keqe që bashkëjeton në mënyrë të pashqitëshme me rracën tonë dhe me ne si fis i spikatur i saj?
Nuk jam ndonjë besimtar i thekur ndonëse e respektoj fenë e të parëve por bëhem shpesh supersticioz kur mendoj se nemja apo mallkimi që kemi marrë që nga lufta e Trojës vazhdon të na ndjekë brez pas brezi si rracë e fis. Më bëhet sikur ai mallkim u nda në dy forma ku të ikurit nga trojet morën prej tij harresën, por nuk u penguan të zhvilloheshin e civilizoheshin ndërsa ne qëndrestarët mbijetuam për efekt vazhdimësie por nuk mundëm të arrinim kurrë në nivelin e zhvillimit të atyre që ikën.
Rrudhja e territoreve të tona në kohë ka gjasa të jetë shoqëruar dhe nga fenomeni i tkurrjes shpirtërore duke lënë të dalin në pah apo bërë më të lexueshme mjaft aspekte negative të jetës që dikur mund ti ketë mbajtur nën komandë virtyti i lartë dhe mendja e shëndoshë.
Shqiptarët në përgjithësi kanë trashëguar respekt për mirditorët por ndër ta vlen të veçojmë shkodranët që si natyrë se kanë të lehtë të lëvdojnë askënd pa u bindur se e meriton. Nëpër biseda ata vazhdojnë të shprehen si gjithnjë se; “N’sa ka gomar jeshil, ka dhe mirditorë budallë” por sëvoni pa “teklif” kanë shtuar dhe se; “Nuk keni nevojë për kasapin, se hani njani-tjetrin.”
Mos o zot!Si kemi arritur deri në këtë gjendje?!
Jam i ndërgjegjshëm se e rreth këtij konkluzioni të përdorur si argument nga unë do të ketë reagime. Ndër të parët që do ragojnë do të jenë si gjithnjë “vajtojcat” që këtë trevë e kanë braktisur prej kohësh dhe nuk harrojnë që duke qarë të na dërgojnë telegrame për qëndresë, apo ngushëllim për kullat që po shemben e ujrat që po na grabiten. Për të gjithë këta dhe të mundëshmit e tjerë kundërshtarë do të përdor si avokate të besueshme dhe të pakompromentueshme, një nënë mirditore.
“Tan dynjaja m’ju, e ju nër veti o djelt e mi.”
Jemi vrarë dhe vazhdojmë të vritemi mes veti për një gardh a vijë uji, për një fyerje apo vështrim dhe ishim gati, ashtu si dhe sot, të na cofte lopa e jonë vetëm e vetëm që të mos pjellë e tija e duke mos na mjaftuar gjithë këto, kemi filluar të grindemi dhe për historinë. Dikush thotë se jam vëllai i madh dhe ajo më takon mua, tjetri, i madh ose i vogël, mbushur me lavdi prej saj, i mbetet të qëndrojë, pra të luftojë sërisht, tashmë përballë vëllait për të mbrojtur dinjitetin e tij, kur atë, pra historinë gjithsesi e kemi pashmangshëm të përbashkët.
Historia e Mirditës është kaq e lavdishme dhe e shumë pranuar e lëvduar nga shqiptarë dhe të huaj sa unë ndoshta s’duhet të merrja guximin të bëhesha avokat i saj, por ja që më duhet të stërmundohem t’u mbush mendjen vëllezërve të mi të mëdhenj apo të vegjël që të mos e coptojnë atë për kreninë e shtëpisë së tyre të re por të respektojnë kullën e lashtë ku u krijua ajo me gjithë madhështinë e saj pasi kështu siç ka ndodhur e po ndodh ajo dita-ditës po shkon drejt rrënimit përfundimtar.
Para do kohe kam botuar tek “PIRUSTI-NEWS”, web-faqe e gazetarit Aleksander Ndoja një shkrim ku e kam shtjelluar disi këtë fenomen. Aty shkrova se, po tu thuash krutanëve të sotëm se ju jeni mirditas të Gjergj Kastriotit ata do të të vështronin si ufo, apo si një të marrë. Po kështu pata trajtuar të njëjtin problem dhe me lezhjanët pasi dhe ata mbajnë po të njëjtin qëndrim. Por po kështu ka ndodhur dhe po ndodh me Matin e Pukën.
Me krutanët nuk besoj se i’a vlen të hapësh debat pasi atje ka humbur tashmë çdo gjurmë e jona, sa dhe Gjergj Kastrioti po të ngjallej do ta kishte të vështirë me ta, por me lezhjanët, matjanët dhe pukjanët ato janë kaq të lexueshme sa do bënin të hungërinte edhe “thiun n’tlanat” siç thoshte mësuesi ynë i paharruar Gjon Lleshi.
Kam shkruar se historia e trevës sonë ngjan si dy pika ujë me atë të vetë Shqipërise, por nëse asaj i kanë më shumë borxh të huajt, Mirditës fatkeqësisht e keqja i ka ardhur nga vetë shqiptarët e për më zi me bekim dhe të mirditorëve që për interesat e tyre të kohës, shoqëruar nga krenia e xhelozia ndaj vëllait u bënë mbështetës të goditjes së saj. Shqipërisë, pasi i rrëmbyen trojet, fqinjët e saj filluan ti vjedhin historinë dhe kulturën, ndërsa Mirditës, pasi i morën territore, vëllezërit filluan një nga një ti përvetësojnë dhe historinë.
Me rënien e Krujës si kryeqytet i saj, dalëngadalë Mirdita humbi dhe Lezhën si një kryeqendër të dytë dhe mjaft të rëndësishme. Por ajo, për fat të saj, nuk është tjetërsuar dot përfundimisht ashtu si Kruja pasi një pjesë e mirë e fshatrave të saj që dikur i përkisnin bajrakut të Dibrrit si pjesë e 12 bajrakëve të Mirditës me mjaft krenari vazhdojnë ta quajnë veten mirditorë. Humbëm kësisoj dy qendra kryesore si territor e popullsi e bashkë me to dhe pjesën më të lavdishme të historisë së fisit tonë. Nuk e di se çfarë do u mbetej atyre për tu krenuar nëse ajo pjesë do të na njihej nga historia ne mirditorëve.
Nuk e di se si do të ndjeheshin krutanët, lezhjanët,matjanët dhe kurbinasit nëse historia shqiptare do të arrijë të shkruajë në faqet e saj disa të vërteta që pohojnë mjaft autorë të huaj dhe vendas e që po dalin në dritë dita-ditës. Kur aty të shkruhet se mirditorët jetonin në malet që dikur quheshin Kunavia të cilat shtriheshin mes rrjedhës së Matit dhe territorit të Durrësit. Se luginës së lumit të Matit, që nga rrjedha e deri në burim të tij, shtriheshin fshatra mirditorësh dhe se territori që merrte emër nga ky lumë përfshinte dhe Krujën. Se Gjon Kastrioti ishte prijës i këtij fisi të krishterë dhe zotëronte Mirditën, Lumën dhe Krujën si kryeqendër të tyre. Se Lezha ishte pjesë e territoreve të tij që shkonin deri në Prizren dhe njëkohësisht qe cep i atyre të dukagjinëve. Se Gjergj Kastrioti e ruajti Krujën si kryeqendër dhe Lezhën si qendër të rëndësishme të aktivitetit të tij, si trashëgimtar i natyrshëm dhe legjitim i tyre.
Pa llogaritur territoret e humbura në shekuj si komb, historiania Eleni Kocaqi shkruan se, Europa ndërtoi dy shtete mbi territore shqiptare, Serbinë në veri dhe Greqinë në jug. Po kështu pa llogaritur ato çka kemi humbur ne mirditorët në shekuj, shqiptarët ndërtuan edhe dy rrethe mbi territoret tona, Pukën në veri e Matin në jug.
Mati filloi ta përvetësojë historinë e popullatës dhe territoreve qe përfaqësoi disi më heret, ndërsa Puka që nuk arriti dot në një shkallë të tillë po përpiqet sot të bëjë hapin e saj të kompesimit. Sërisht humbëm territore e popullsi e po sërisht duhet të dhurojmë dhe histori. Kujt?! Vëllezërve tanë të ndarë, islamizuar, frustuar e xhelozuar prej lavdisë që i takon atyre që ndërtuan sëpari themelet e saj, pra mirditorëve të cilët jo më kot Faik Konica i emërtonte si “Spartanët e Shqipërisë”.
Copëzimi, manipulimi dhe vjedhja e historisë sonë si dhe migrimi ynë i pandalshëm do të sjellë në një të ardhme jo të largët, që për arsye administrimi, territoret që zotërojmë sot do të ndahet për t’iu bashkëngjitur atyre të grabiturave në kohë. Mendja më thotë se Selita me gjithë Kthellën deri në Skuraj do përfundojë si pjesë e Matit, ndërsa pjesa tjetër do ndahet midis Lezhës dhe Pukës. Ah, më falni, Fani do mundet të shkojë me Kukësin, si dikur.
Dhe do të lindë një Homer i ri për të kënduar sërisht historinë e një Troje në luftë me vëllezërit.Thuhet se në një formë apo tjetër historia përsëritet.
Këndo o Hyjneshë ti prap për mëninë
që k’ta vllazën e trashëgojnë në gjak
e thonë besojmë në perendinë
kur ajo ndaj tyre vazhdon e merr hak
Gërmadhë të re ata po krijojnë
ndoshta sërisht përmbi Trojën e vjetër.
Vetëm hakmarrjen këta meritojnë
e perendia s’besoj tu japë tjetër.
Lamtumirë Merditë. U lodhe nga betejat për të mbrojtur veten dhe Shqipërinë. Boll më. Atë e shpëtove. Prano tani kryqëzimin në emër të saj. Besimtarët e tu të krishterë që mbajtën hapur derën e Europës për Shqipërinë e që e kanë mbjellur territorin e saj me eshtrat e paraardhësve të tyre ngado, në mbrojtje të Krujës, Shkodrës,Lezhës, Durrësit e deri Janinës meritojnë të kenë një kult të ri, pasi besimi që patën dhe kanë si dhe qëndresa e tyre në shekuj tashmë janë kaq të zhvlerësuara sa nuk i shërbejnë askujt.
Mos ardhtë kurrë ajo ditë. Amin.