Nga ditari im:
Pas ’91-it, per nje dekadë shitës, si gjithë dynjaja!..
Për disa vite, pas ’91-it, vetiu më erdhi një fazë “divorci” me gjithçka publike, qoftë edhe me gazetarinë, edhe pse nuk më rrihej pa shkruar në ndonjë gazetë liberale të kohës. Janë vitet e marrjes me aktivitet privat. Mund të shkruaja gjatë për këto vite, sepse pak e nga pak po kuptoja sendërtimin e filozofisë së ekonomisë së tregut në terrenin shqiptar. Jo më duke e perceptuar nga zyrat apo faqe gazetash, por ku duhej prekur me dorë gjithçka, ku duhej mbijetuar pa patur asnjë lloj rroge shtetërore a ndihmë sociale, etj. Së bashku me bashkëshorten Lidën, kishim dalë në “udhë të madhe” e që tash duhej mbijetuar si familje. Janë vite të mundimshme, sepse ekonomia e tregut po zbatohej në një terren bosh dhe ku për më tepër, babëzia e zyrtarëve prekej ngado për të mos lënë bizneset të rriteshin pak e nga pak. Burokraci pafund për të marrë një liçensë, litarët në fyt sapo ta hapje me tatime e pagesa nën dorë. Bëja rrugën e Tiranës disa herë në javë dhe shikoja lloj-lloj taksidarësh, që të rripnin ngado kaloje, policë rrugorë apo tatimorë, gjithandej. Nuk kishte rregulla të përcaktuara dhe bisnesmenët e çdo kategorie, të vogël apo të madh, shiheshin si “armiq” e zhvatës dhe jo partnerë me shtetin!
Duke u marrë me bisnesin e vogël, kam parë se çfarë makthi ishte të nxitje bisnesin vendas, prodhimin, sidomos. Qindra makina me produkte të Korçës apo Kukësit si patate, domate, qepë e ku di unë, kalbeshin, pasi atje në male nuk kishte tra dogane ku mund të vilej paraja e thatë nën dorë, kësisoj pengesat ndaj prodhimit vendas ishin të papërshkruara. Mendoj se prej kësaj arsyeje, rënkon ende ekonomia jonë sot e asaj dite.
Duke mos u zgjatur fort në këtë analizë, dua të sjell disa radhë në respekt të paadresuar deri më tash ndaj bisnesit në Mirditë, por dhe më gjerë në vitin e mbrapshtë pa shtet ‘97 dhe disa vite më pas.
Merresha me tregti, asokohe, me një lokal modest, por që kishte vënë emër të mirë për cilësinë e mallit dhe mënyrën e tregtimit, sidomos nga bashkëshortja ime, e cila ia thoshte tregtisë, krejt ndryshe nga unë. Mbaj mend si sot se kur shita paketën e parë të cigares, thashë se më ra tavani i lokalit mbi krye. Ishin vitet e përmbysjes së psikologjisë tek “zyrtari shqiptar”, që nuk mund të ulej deri aty tek punët e vogla! Besoj këtë e kanë provuar plot të tjerë, deri gjeneralë a pedagogë me grada, që përfunduan duke shitur banane në cepe bulevardesh. Por, sidoqoftë, e admiroj këtë gjë që ndodhi dhe me mua, sepse më shërbeu fort vite më pas.
Le të kthehemi në vitin `97, kur shtetit nuk i mbeti as nami, as nishani. Pushteti real ishin bandat e rrugës, që kishin vënë në shënjestër njerëzit e bisnesit, sido të ishte ai, i vogël apo i mesëm e aq më tepër “VIP”-at. Kudo dëgjoje vetëm për vjedhje, bastisje e vrasje.
Një grup tregtarësh shkonim thuajse çdo ditë për Tiranë me furgona të përcaktuar, duke shtegtuar në ag të ditës me frikën e bastisjes me vete, në shkuarje dhe në kthim. Sepse banditët tashmë kishin terrenin e tyre në rrugën e pambrojtur nga policia. Para syve të mi, kam parë disa vrasje atë vit, disa herë na ishte marrë malli e plaçka jonë pa bërë dot as gëk e as mëk.
Nisesha herët në mëngjes me urimin e bashkëshortes “Ardhsh shëndosh!”. I kam dhe sot në sy shikimet e saj, a thua se do ishte shikimi i fundit në këtë botë ne mes nesh. Besoj, kështu ka ndodhur dhe me bashkëshortet e tjera të tregtarëve.
Kështu, mund të ketë ngjarë dhe atë ditë kur iku nga kjo jetë njëri prej “racës sonë”, Tonin Bazhdari. Punonte gomist, njeri shumë punëtor, profesionist i vërtetë dhe i përpiktë.
Ne, afro 10 vetë, ishim nisur me grupin e parë të tregtarëve me furgon, ndërsa 15 minuta më pas do shtegtonin grupi tjetër. Nuk di pse atë ditë dhe muzika që na shoqëronte mëngjesin e udhëtimit me disa këngë elegjiake në furgon, më bënin të parandjeja një kob të zi që mund të ngjiste rrugës së frikshme. Aty, në të hyrë të Laçit, ku ditët e fundit devijonim rrugën për në superstradën e saponisur, i them shoferit të mos e bënim atë rrugë, sepse kisha një parandjenjë te keqe. Iu mbush mendja të gjithëve, ndaj vazhduam për nga Laçi në rrugën e vjetër e më tej Mamurrasi e me radhë deri në Fushë – Krujë. 15 minuta më pas, furgoni me të cilin udhëtonte dhe Tonini, kishte devijuar për nga superstrada, ku dhe kishte rënë në pusi të një bande plaçkitësish të armatosur. Mosbindjes për të ndaluar, u ishte përgjigjur një breshëri automatiku në tisin e natës, ku njëri prej plumbave mori jetën e gomistit të ndershëm e punëtor të Rrëshenit. E dëgjuam në Tiranë se dikush ishte vrarë rrugës dhe mua më shkoi mendja për keq, pikërisht tek grupi i dytë që vinte. Na pikëlloi vrasja e tij dhe lënia jetim e fëmijëve.
Vdekja e dytë ishte e mikut tim të mirë, tregtari i qumështit të qytetit, Mark Laskaza, i cili shkonte çdo ditë për në Malësi të Shkodrës, ku merrte qumështin për gjithë Rrëshenin. Për të kapur disa furnizime të freskëta në Tiranë, jo pak here nisesha në ora 3 e gjysmë të mëngjesit me Markun, deri në Pllanë, ku prisja pastaj furgonat e Shkodrës, ndërsa ai vazhdonte për atje tek baxhot e shkodranëve. Kështu ngjau dhe atë ditë pasi u nisëm bashkë, unë vazhdova për Tiranë dhe ai për Shkodër. Kur u ktheva, mësova se Markun e kishin vrarë në një pusi hajdutësh në afërsi të Spitenit të Lezhës, vetëm pak minuta pasi ishim ndarë bashkë. Atë ditë Rrësheni u ushqye me lot dhe jo me qumështin qe sillte Marku i urte e human.
Kështu ditë pas dite po prisnim radhën, kush do e kishte nga ne!
Mbaj mend që në një moment, gjendja agravoi keqazi në Rrëshen dhe u përhapën fjalë se nga mungesa e ushqimeve dhe furnizimeve, do kishte plaçkitje në qytet, në lokale dhe nëpër shtëpi, pasi kishte dalë llafi se tregtarët nuk do shkonin më për furnizime nga frika e plaçkitjeve dhe vrasjeve.
U mblodhëm një ditë të gjithë bashkë dhe pasi u armatosëm mirë e mirë, shtegtuam në karvan rrugëve të pushtuara nga banditë e plaçkitës, vetëm si e si që Rrësheni dhe Mirdita të mos mbeteshin pa furnizime. E kemi bërë kështu atë rrugë disa herë.
E di që nuk ka shkruajtur askush për këta tregtarë, këta njerëz që sakrifikuan dhe vunë jetën në rrezik për një fitim minimal, ndaj e kisha detyrim të hidhja qoftë dhe këto pak radhë për këta “heronj te heshtur” të Mirditës e Shqipërisë që, përtej fitimit, shihnin dhe kaq humanisht në ato vite të vështira.
Nderim për ta!…
(gjergj marku, Kryq e terthor ne Shqiperi te Eperme)













