Ditari im:
Në “paskuintat” e një aktiviteti madhështor për Dëshmorin e Kombit, Kolë Mirdita (Korrik 2018)
Prolog
Për shkak të marrjes me gazetari e kulturë, si dy organizma pothuajse “pllojcë”, përmes të cilëve më duket sikur frymoj prej vite e vite, më ka rënë të jem dëshmitar dhe të përjetoj me jo pak emocione organizime të mëdha, si në Rrëshen apo në Metropol e gjetkë nga institucionet e qeverisjes vendore në Mirditë apo ato kulturore; të kemi pas bashkëpunime sinjifikative me institucione kombëtare të kulturës, artit, teatrit e me rradhë; apo dhe ato jashtë vendit, që për nga organizimi është dasht stërmund i madh i shumë faktorëve, e madje të kemi thënë ndonjëherë se: ky është caku maksimal i një organizimi model për aksh event a tjetër! Por, nuk paska qenë e thënë. Eventi për nderimin e KOLËS, djalit të familjes Mirdita në Klinë të Kosovës, luftëtarit pararendës të Historisë së Madhe të Kosovës martire, ka tejkaluar çdo parashikim për nga emocionet që i përcolli publikut të Rrëshenit e më gjërë, nga familja apo shumë të ardhur nga Kosova jonë e dashur për në trungun Amë, pikërisht ditën e 7 korrikut 2018.
Kisha dëgjuar e lexuar për luftëtarin 22 vjecar, që kishte bërë histori me rënien heroike dhe gjetjen profetike të eshtrave të tij dy vite pas rënies në afërsi të kufirit shqiptaro-shqiptar, ndërkohë që gjithnjë më intrigonte mbiemri i tij MIRDITA. Është diçka që tërheq si me magnet çdokënd që merret me të shkruarën, me historinë apo studimin, me poezinë apo këngën, Mirdita na tërheq në çdo skaj të botës.
Ndaj gjithnjë mendimi më shkonte shumë larg nga rrëfenjat e të parëve të mi edhe asokohe kur ekzistonte “kloni” i mosnjohjes e komunikimit për vëllezërit e një gjaku, gjë që fatkeqësisht na ishte injektuar direkt në tru nga një sistem absurd dhe bota e koklavitur e diplomacisë, që na kishte ndarë përdhunshëm për shekuj me rradhë në dy pjesët e një Kombi. Ndërkohë që dikur të parët e mi, të detyruar nga varfëria dhe mungesa e tokës prodhuese (një katund i tërë nuk kishte tokë as sa një fermer i lashtë i Kosovës), i`a kishin ther udhëve të gjata për në Fushë Kosovë me javë të tëra shtegtim për të sjellë bukën e vitit për gjindjen e shpisë, di që më tregonin dhe për njerëzit e një gjaku, për oroshas e spaças, fanas apo kaçinaras, selitas e kthellas etj etj, që lëviznin për një hall a tjetër drejt “tokës së bekueme” duke krijuar atë “Mirditën e Vogël” m’u në zemër të Kosovës, siç ka ndodhur me mirditasit e Luginës e Drinit.
Natyrisht mirditasi, kur vjen puna për atdhe, është nga të parët që e thërret gjaku, kudo të jetë edhe në fund të botës. Ndaj nuk është e rastit që shumë prej tyre në Kosovë, u rrjeshtuan në rradhët e UÇK-së si patriotë e luftëtarë të zot.
Duke iu rikthyer një veprimtarie të mëparshme në Rrëshen
Për të riun 22 vjeçar Kolë Mirdita më ra të mësoj para disa viteve, kur në Rrëshen pritëm një konvejer maunesh me ndihma spitalore të ardhura nga Gjermania. Profesorëve dhe mjekëve të njohur gjermanë u printe ambasadori i Kosovës në Gjermani, shkencëtari i gjenetikës, Dr. Vilson Mirdita. Asokohe, miku im Gjeneral Sandër Lleshi, që kishte një njohje të gjërë dhe vite qëndrimi e bashkëpunimi në Gjermani me Vilsonin, më telefonon pikërisht për atë aktivitet. Biseduam në detaje, që gjithçka të mos kalonte thjeshtë si një praktikë e rëndomtë zyrtare me dhurimin e ca ndihmave spitalore etj, por të kishte përmbajtjen dhe imazhin e një veprimtarie kulturore të mirëfilltë. Hartuam një program, për të cilën patëm disa ditë angazhimi nga i gjithë faktori kulturor, bashkia Rrëshen, spitali dhe dioqeza.
Ky ka qenë dhe bashkëpunimi i parë me Gjeneralin. Që aty kam kuptuar “displinën spartane” të një ushtaraku model, që kërkon përpikmëri në gjithçka, duke qenë pjesë e veprimit aktiv edhe vetë. Madje, duke bartur ndër duar e shpinë, pasjiset spitalore si krevatë, apo teknikën, së bashku me profesorët gjermanë dhe ambasadorin Mirdita.
Ka qenë një ditë e lodhëshme, por tejet e bukur. Organizimin e menduam si një ditë pritjeje me disa “stacione”, që nga ardhjet e mauneve nëpër qytet; një banderolë e madhe në shqip dhe gjermanisht “Mirësevini miq humanistë gjermanë”, një tribunë ku ishin rrjeshtuar personalitetet e përballë dhjetëra artistë të veshur me kostumet tradicionale, ndërkohë që motoçiklistët e rrjetit “EUROBIKER” zhurmonin me motorrat e tyre Harly nëpër qytet dhe nëpër rrugët e disa fshatrave. Ishte një ditë e madhe festive!…
Ditët e ngjizjes së veprimtarisë përkujtuese për dëshmorin 22 vjeçar
Pikërisht, pas tre viteve, do të nderohej me Stemëm e Artë të bashkisë nga kryebashkiaku i Mirditës Ndrec Dedaj, dëshmori Kolë Ndrecë Mirdita. Filluam përgatitjet për një veprimtari model të Bashkisë Mirditë në bashkëpunim me Komunën Klinë.
Në mbrëmjen e asaj dite Gjeneral Lleshi më dërgon një projekt-ide të grupit organizator në Klinë që prihej nga Kryetari i Komunës Zenun Elezaj, ndërkohë që lamë një kafe në Tiranë, shikoja merakun e tij, për të bërë diçka perfekte në Mirditë. Gjithnjë pjesë e bisedës ishte artikulimi: më këtë veprimtari nderohet më së pari Mirdita! I thashë do bëjmë maksimumin.
Pas ca ditësh komunikimi, stafi i komunës Klinë erdhi në Rrëshen. Hartuam një program në detaje. Së pari, do paraprinte pjesa e promocionit. Meraku deri tek dizajni i banerave dhe posterave, si do të konfigurohej portreti i Dëshmorit e me rradhë. Mbase e kisha tepruar me atë epjen për t’i bërë gjërat sa më racionale dhe jo përmes një fryme patetike siç ngjet në jo pak raste, kësisoj ramë në ujdi për këtë mënyrë bashkëpunimi.
E dija, siç e dinim të gjithë, Kola, një djalë trendy, që nuk i mungonte kurrfarë gjëje për moshën dhe ku mund të rrinte fare rehat në jetë të begatë; ai nuk kishte marrë udhën për në luftë sepse një ditë do të priste “ngjitjen e tij në Qiell” përmes metaforave glorifikuese, por qe një lloj thirje e brendshme, që vjen nga shekujt e historisë brez pas brezi, e cila i kishte bëzajt fort për të qenë në vendin e duhur në momentin më të qenësishëm historik për Kombin e familjen. Atij i shkon më së miri ajo shprehja “e dha jetën si me le”, ndaj dhe mbeti si përmendore frymëzimi për aradhën e re të çlirimtarëve të Kosovës. Kjo madhështi e kauzës së tij, si e qindra e mijëra luftërave, duhej sjellë natyrshëm e me shumë modesti para mirditasve dhe klinasve, që do të ishin së bashku në sheshin me emrin e Prelatit të përndritur atdhetar “Abat Prend Doçi” në Rrëshen.
E gjitha kjo, mori këtë trajtë, që nga akademia përkujtimore me kumtesat, nderimi ceremonial me “Stemën e Artë” e deri ne pikë të fundit kokteil-i, apo ndarjet e përmallshme të mbi 100 vëllezërve të një gjaku të ardhur atë ditë nga Kosova.
Edhe natyra qe me Kolën!….
Ndërsa po merreshim me gjithë organizimin, fazë pas faze, erdhi meraku tjetër ku do e bënim aktivitetin. A mund ta “mbyllnim” Kolën në një sallë?!…
Ishin shumë meraqe bashkë. Qenë ditët e kampionatit botëror ndaj dhe ora e pasdites përkonte me një ndeshje futbolli me shumë rëndësi, lokalet kryesore, më së shumti, gjenden përreth sheshit, kësisoj filloi të na mbizotërojë një lloj frike se pak njerëz do e ndiqnin veprimtarinë për Kolë Mirditën.
Morëm masa për gjithçka, për të siguruar një skenë të madhe, me gjithë asetin fonik, videoprojeksionin dhe ndriçimin dixhital. Publikuam eventin përmes disa banerave të punuara mjeshtërisht në dizajn nga “studio Petani” në Tiranë.
Ndërkohë që mjeshtrit Gollopeni në Suharekë i kishim dërguar porosinë për “Stemën e Artë”, që punohej në filigram nga duararti Gëzim Berisha. Koha ishte e shkurtër dhe mua më rrinte si makth në kokë e gjoks, fakti nëse do kapej apo jo dita e 7 korrikut për ta përfunduar.
Ishte e dielë kur Refko më thërret në telefon; takohemi në Kukës! Si gjithnjë, ishte gjetur “gjysëm udha”, për të ndarë emocionet. U takuam me mikun e mirë artist, për të ndarë një kafe mëngjesi. Sapo u ndejuam nxori nga çanta “Stemën e Artë”. Është aq e bukur, sa ne, që na ka rënë ta ndjekim “lindjen” e saj hap pas hapi, na jep një emocion të patreguar. Duket sikur gjithë historia e Mirditës së lashtë e moderne është thurur aty në ato pakëz centimetra katrorë! Por kjo “e Arta”, është e hijshme fort! M’u duk sikur po shkonim së bashku për t’ia dorëzuar Kolës aty ku ai ra në vijë të frontit! Një stemë e vogël në dukje, por me aq shkëlqim e ndriçim të florinjtë, më dukej sikur më peshonte me tonelata në duar dhe aq më tepër që do e ndanim në mes qindra e mijëra njerëzve pas pak ditëve në zemër të Mirditës.
Erdha në Rrëshen po me atë peshë emocionesh, për ta mbajtur për tre ditë në shtëpinë time!
I quajta si tre ditët e ardhjes së vëllait tim të vogël nga “Mirdita e Kosovës”, sepse aty ishte gdhendur me gërma të arta emri i TRIMIT!…
Dilema merr përgjigjen: në shesh!…
Nga diskutimet e bëra në grup, fitoi varianti që ky aktivitet të organizohej në shesh. Mirëpo, stina e verës nisi aq shumë kapriçioze këtë vit sa rrallë ka ngjarë përgjatë këtyre viteve të fundit. Ndërkohë që pritej një verë e nxehtë e me diell, fundi i qershorit dhe fillimi i korrikut nuk qenë ashtu. Madje shirat silleshin sa andej këndej duke rënë në mënyrë të beftë.
Nata para, kur gjithçka ishte bërë gati, qe një torturë e vërtetë për të gjithë ne. Moti gjithandej parashikohej me shi, madje dhe stuhira në Rrëshen. Organizatorët gjithmonë i terrorizon moti, ndaj ajo natë kaloi pothuaj pa gjumë në sy, vetëm duke pare qiellin. Mëngjesi doli i vërejtur, një re e dendur vinte që nga malet e Selitës, dhe shkrepëtimat e largëta po paralajmëronin çfarë do ngjiste në pak orë apo minuta edhe këtu në Rrëshen.
Kisha dalë në zyrë dhe po merreshe me përgatitjet e fundit, kur i’a behu teknika nga Shkodra. Nuk dinim ç’të bënim. Gatitëm teknikën nëpër çadra në mënyrë që të ishin gati për çdo moment. Makinat e tjera të mbushura më karrike ishin gjithashtu në pritje. Ndërkohë që retë po afroheshin dhe në pak munuta filloi shiu i rrëmbyeshëm.
Në derë të zyrës ku po punoja u shfaq gjeneral Sandri me Vilsonin. Më panë të ngrysur në fytyrë. Pa u përshëndetur mirë, fjalë e parë: çfarë ke kështu! I them, shih ç’po bëhet jashtë! Lëre, more shiun, ç’punë ke me të, të shohim e koladuojmë gjërat e fundit. Nuk i ktheva fjalë, meqë si ushtarak mbase merr vesh më shumë nga moti,- thashë me vete-, por sikleti nuk më shqitej çdo moment. Jashtë zhurmonte shi, ndërkohë që gjenerali ishte ulur në kompjuterin tim dhe po punonte për skemën e uljes së njerëzve dhe i hodhi një sy programit nga fillimi në fund. Pothuaj dy orë punë dhe më pastaj dolëm në kafe. Shiu e kishte ndal pak hovin. Ndërkaq unë sërish me shiun edhe në kafe. Ore, po ti nuk po merr vesh, lërë shiun në punë të vet!…Dhe vërtetë e lashë në “punë të vet”. Deri nga ora 4 pasdite pati shi, pastaj si me magji koha u hap dhe u shpërfaq bluja e ndezur e qiellit!
Gjithçka ishte bërë gati në shesh, kuruar me kujdes të jashtëzakonshëm nga gjithë stafi bashkëpunues. Pritëm, më së pari, vëllezërit nga Kosova dhe pasi kaluan muhabetet e çmalljes nëpër lokalet e qytetit, i rehatuam një e nga një në karriket e vendosura në shesh.
Skena përflakej nga ngjyrat e ndezura me portretin përmes grafikës dhe shënimit të dukshëm në gjithë hapësirën e sheshit “Stema e Artë për dëshmorin e Kombit Kolë Ndrecë Mirdita”. Emocioni kishte filluar të dukej në sytë e të pranishmëve!
Ndeshja e futbollit dhe eventi nderues, pranë e pranë!…
Siç e përmenda dhe në fillim, pikërisht atë orë (18.00), konçidonte me një nga ndeshjet e rëndësishme të kampionatit botëror në futboll. Lokalet përqark sheshit ishin mbushur dëng. Sheshi gjithashtu deri tek amfiteatri e madje dhe shkallarët e ndërtesave, thua gjithë Mirdita kishte zbrit aty. Deri diku nuk kuptohej, për sport një pjesë dhe pjesa tjetër për eventin nderues! Dilema u zgjidh menjëherë, pothuajse gjithë pjesëmarrësit, u rrëmbyen nga aktiviteti mbresëlënës, që me hapjen përmes himnit kombëtar dhe më pas Ilir Shaqiri me këngën himn për Kolë Mirditën, i shoqëruar në skenë nga fëmijët e vegjël të valleve, që mbanin në duar plot 20 trëndafila të freskët, aq sa vite dëshmori ishte ndarë nga jeta, për t’ua dhuruar familjes dhe të ftuarve nën një emocion të pamatë, që diku-diku shoqërohej edhe me pikën e fshehtë të lotit, siç ishte moment i fortë emocionues kur Ilir Shaqiri afrohet tek poeti Agim Doçi, pena e të cilit ka daltuar përmes vargut aq mjeshtërisht momentet heroike të Luftës Çlirimtare dhe bijve të Kosovës; emocionet e pamata të deputetëve të Kosovës që ishin të pranishëm, Ministres së Arsimit Lindita Nikolla, Ambasadorit të Kosovës në Shqipëri, apo kampionit të madh Luan Krasniqi!…
Më ra ta moderoja si aktivitet ndaj dhe kam ndjek me kujdes reagimin e çdo portreti aty në atë shesh, që po më dukej më i madh se ai i Tiranës apo Prishtinës, pikërisht nën peshën e madhe të emocioneve që po bartëte.
Kaq u desh, ataku i një veprimtarie, që do mbahej mend gjatë, duke filluar pikërisht me akademinë përkujtimore. Nuk është e lehtë që në një publik të gjerë, gjithë atij lumi njerëzish t’ia mbash mbërthyer vëmendjen hap pas hapi përmes kumtesave. Por kishim rënë në ujdi për shkurtësinë e tyre.
Pas fjalës përshëndetëse të Kryebashkiakut Dedaj, që u mbyll me një epilog domethënës nga vargu i artë i poetit të madh Gjokë Beci: Jam Kosova e Shqiptarisë/100 vjet po i thërras lirisë/Por kërkush liri spo më jep/Tym e flakë po më shkon kjo jetë/Boll durova, moj Europë/Kam Drenicën gropë mbi gropë/Unë jam bijë e tokës së lashtë/ Qoftë mallkue kush s’na don bashkë; në skenë ngjitet Pali, e më pastaj Mikeli me kumtesat e tyre ku kanë përmbledh gjithçka saktë e bukur. Për të vazhduar më rrëfimet e bashkëluftëtarit Nikos, dridhjet e zërit të të cilit i’a ndieja aty afër. Ish-presidenti Sejdiu, ka qëlluar me një fjalë brilante, ndërkaq vijnë përshëndetjet e tjera, nga ushtaraku amerikan Zedler, Gjeneral Sandri, apo kryetarit klinas Zenelaj si “bashkënikoqir” i aktivitetit, siç dhe e artikulojne amël vëllezërit tanë nga Klina.
Një akademi përkujtimore nuk është e lehtë të mbahet në shesh me një target, që fundja, epjen për të ndjekur kumtesa e histori, e ka më të rrudhur se, fjala bie, të ndjekë një koncert apo diçka tjetër artistikisht më fluide. Por gjithçka ishte kalkuluar në masën e duhur dhe e kuruar me shumë kujdes, ndaj dhe publiku në shesh vetëm sa vinte e shtohej.
“Stema e Artë”, çfarë emocioni!…
Kur isha në Kosovë (Zllakuqan) me një grup miqsh studiues në një tubim shkencor për Gjergj Kastriotin, Skënderbeu, kishte ardh aty në sallë edhe një burrë zotni, në plot kuptimin e fjalës. Kish marrë vesh se do vijnë disa mirditas këtu, ndaj nuk e kishin ndal as vitet dhe as sëmundja për të qenë i pranishëm. Por më shumë se me qenë në aktivitet, baca Ndrecë (babai i dëshmorit Kolë Mirdita), kish ardh për të na dhënë një falenderim, pikërisht, atje në Kosovë. Me sa pashë, nuk i kishin mjaftuar fjalët ë përzemërta që i bëri Mirditës dhe organizatorëve atë ditë të nderimit në Rrëshen. Vura re lot në sytë e atij burri fisnik, jo lot dhimbje apo malli për birin, që i iku në lule të rinisë, por pikërisht për atë çfarë ai e quajti ringjallje të vërtetë të të birit dëshmor.
“Ma ngjallët djalin, or vëllazën”!, dhe më shtrëngoi fort në gjoksin e tij, ku një zemër e butë dukej se gulshonte më shumë se në një rast normal. Më pas të gjithë bashkë shkuam tek memoriali kushtuar Kolës për të bërë nderimin dhe fokusuar në një fotografi së bashku.
Këtë lloj mirënjohje kemi përjetuar gjithë këto kohë edhe nga Vilsoni që nga Gjermania, Niksoni apo të tjerë të afërm, ashtu si dhe gjithë skuadra e kulturologëve të mrekullueshëm të Klinës bujare.
Për tu rikthyer me pak radhë tek momenti i dorëzimit të “Stemës së Artë”. E kishim menduar të ishte sa më tërheqëse, sa më e thjeshtë, sa më njerezore, përtej cdo pompoziteti të panevojshëm.
Në podium vjen si përfaqësues i familjes i ati i dëshmorit, Ndrecë Mirdita. Lexohej dukshëm përhumbje në kujtime e plakut të urtë në ato hapa të ngjitjes para publikut por dhe krenari, pastaj duar që dridheshin nga një nderim i tillë madhështor. Lexohet motivacioni dhe pastaj nga dy nuse mirditase (vogëlushja Dehbora dhe Flobena) percillet Stema e Artë nga ana e Kryebashkiakut Dedaj në duart e plakut të urtë klinas, babait të dëshmorit, Ndrecë Mirdita.
Emocioni ishte përcjellë në gjithë sheshin ku duratrokitjet duket se krijonin një melodi ritmike papushim për disa minuta. Vilsoni thërret “gjeneratën e re” siç ka dëshirë ta artikulojë, ndërkohë që në skenë janë ngjitur vajza Blerta që ka kujtime të mrekullueshme të fëmijërisë me xhaxhain e mirë të “viteve të arta”, e më pastaj dhe të tjerë, që bëhen pjesë e tribunës për ta kaluar dorë më dorë Stemën e Artë me të cilën ishte nderuar dëshmori i Kombit Kolë Mirdita.
Në epilog, koncerti me emrin e dëshmorit si asht kulturor.
Edhe koncerti artistik, ishte menduar në përshtatje me këtë event sa përkujtues, aq dhe nderues e historik. Një program që do sillte përmasën e aktit sublim të Dëshmorit, po aq sa dhe kumtin e moshës.
Me asgjë nuk është tepruar. Një këngë kushtuar Mirditës me metaforën gjithpërfshirëse “Lum kush ka gjak Mirdite” punuar nga rapsodi Kolë Beci dhe kënduar nga solist Marian Lleshaj e grupi i burrave; për të vazhduar me vallet festive nga Fran Gjergji; Fran Preçi me “Jam shqiptar e s’ul flamur”, Kol Zefi me “Tokën tonë e bekoi Zoti”; Gjyste Ceka me këngë për Nënë Terezën; kuarteti orkestral me solist Mark Gjonaj, Pashku, Ndueja e Landi; trio Kastriot Kola, Gofile Papleka dhe Prena Beci me premierën e “Dasmës së Dukagjinit”; Nikoll Dedaj dhe vogëlushja Dehbora me “Brezat bashkë e këndojnë kangën”; Gjin Dona me “Kush thotë nanë ka thirr Mirditë”; një këngë e Gofiles punuar enkas për Dëshmorin Kolë; dhe më pas “tre musketierët” e kangës shqipe, Ilir Shaqiri, Nikollë Nikprelaj dhe Arif Vladi me një buqetë këngësh të bukura.
Mbyllja e koncertit vjen magjishëm kur gjithë artistët mblidhen rreth “Mrikës së Mic Sokolit”, me “Mirësevjen dita e Shqiptarit”! Nuk kishte mbyllje më të bukur.
Dy gjëra të lidhura pazgjidhshmërisht më erdhën në përafri me njëra tjetrën në mendje nga ajo ditë përmbyllëse; muza poetike me vargun frymëzues të Gjokë Becit ndër dekada për Kosovën martire dhe ideali epik me armë në dorë i Dëshmorit 22 vjeçar Kolë Ndrecë Mirdita, kjo bozhure e bukur e Lirisë së Kosovës, që ishin dhe ai nukli i fortë ndikues për ta sjellë sa më shpejt në Trojet e Kombit, Ditën e Shqiptarit!
Atë ditë korriku, Dita e Shqiptarit, kishte zbrit më e magjishme se kurrë në zemër të Mirditës!….
(Gjergj Marku)