NË KËRKIM TË NJË OPOZITE…
Nga Gentian Çala
Demokracia shqiptare, vendi ynë, ka kaluar nëpër shumë kriza, por kjo e tanishmja me një qeverisje autoritare dhe me një opozitë në krizë të thellë është nga situatat më kritike. Vendi po braktiset me shpejtësi të frikshme dhe shpresa për ndryshim është në rënie të shpejtë. Tashmë mund të themi se vendi ka nevojë për një opozitë më shumë se kurrë. PD-ja duket në rënie të lirë dhe me rrezikun e copëzimit, LSI-ja ende në heshtje, kurse forcat e tjera opozitare kanë pak peshë elektorale dhe kryesisht kacavirren te forcat e mëdha politike.
Vendi pa opozitë në vigjilje të mandatit të tretë të Ramë-Rilindjes, është skenar i kobshëm. Duke menduar mpirjen e reagimit social dhe gjasën e një bashkëqeverisje PS-PD, vendi mbetet vërtet në një udhëkryq dhe të gjitha ata që nuk ndihen të përfaqësuar apo të dakordësuar me qeverisjen do t’u duhet të krijojnë një apo disa grupime opozitare. Kjo nuk është e lehtë dhe mund të kërkojë shumë kohë. Opozitat nuk mund të krijohen brenda një kohë të shkurtër. Ndaj ka mundësi që për disa kohë të jemi pa një zë alternativ politik kritik me qeverisjen.
Midis një thuajse-opozite (si ajo e katër viteve të fundit) dhe mungesës së opozitës, do të preferoja të dytën. Ndaj kjo situatë tani më duket më e përshtatshme në kuptimin e premisës që krijon për plotësimin e vakumit opozitar. Demokraci pa opozitë nuk ka. Shqipëria në errësirë. Ndaj shpresoj që shumë nga ne t’a gjejnë veten te një opozitë reale, ndryshe do të jemi të dënuar që shumë pak nga ne t’i rezistojnë braktisjes apo të aspirojnë rënien e një regjimi. Në kërkim të një opozitë duhet të jemi të gjithë ne që ende besojmë te liria dhe demokracia.