Domethënë: Primadona- Hyjnorja- Divjaka!
Kaq është thënë në këto tre fjalë.
Duket se Divjaka vjen nga dy të parat: Diva dhe Divine. Edhe pse i thua ‘Diva dhe Divine’, prapë janë fjalë modeste për realitetin. Kush nuk e njeh atdheun, nuk mund të besojë ‘sa qiellor’ është ky i shkretë. Edhe ata që janë detyruar ta njohin, i varen në qafë dhe shajnë nga mëngjesi në mbrëmje. Disa e kanë për detyrë ta shajnë; disa fitojnë diçka duke e sharë; disa kanë helm në zemër dhe nuk e dinë ça shikojnë as në Divjakë, as në Breg, as në Vermosh.
Divjaka tani është një qytet i këndshëm, i freskët, i qetë, jetëgjatësor. Ditën e diele burrat mbushin shëtitoren dhe takohen për kafe; burrat e moshuar- desha të them. Më krijuan të njëjtën shije si ‘venedikasit e Shkodrës’. Këta janë shkodranët, në fakt; por kur dalin për në kafe, si venedikasit e vjetër, veshin kostume të mira dhe këmisha të bardha. Kryetari i Bashkisë, Fredi Kokoneshi, tha se ‘njerëzit këtu nuk duken; në mëngjes shkojnë e në mbrëmje kthehen nga puna’. Nga Lindja ndodhen kodrat e fushat- tanimë të qëndisura me shtëpi, vreshta, parcela e rrugë që të çojnë o në kryeqytet, o në Vlorë. Perëndimin e kanë zënë pishat e famshme që nuk ngrihen nga toka, por bien nga qielli si perde të rënda skene ku luhet teatri i dyfishtë: Andej deti dhe dunat e rërës; këndej laguna dhe qyteti që jetojnë si dy qytete më vete.
Gjithçka këtu bashkohet e ndahet, jo si në dashuri platonike, por si në interesa jete.
Pse Divjaka quhet ‘E para’ ose ‘Diva’?!
Divjaka është Dive edhe për vreshtat dhe verën më të mirë në botë.about:blank
Diva nuk është vetëm rrënjë e emrit ‘Divjaka’. Diva këtu ka edhe kuptimin e sotëm të artistes së Madhe. Divjaka nuk është vetëm vendi i perandorëve ilirë, por edhe ‘teatri i zonjave’. Në sitet arkeologjike të zonës është regjistruar një nga portretet më të hijshme të gdhendur në gur: Erinia ishte perëndesha e hakmarrjes dhe është gjetur ne murin e jashtëm te Kishës se Divjakës. Çuditshëm, flokët e saj kishin formë gjarpërinjsh; dhe kjo ‘Diva- Divjakë’ është mbrojtur me gjithçka, edhe me frikën e gjarpërinjve.
Si u mbrojt këta 30 vjet të tmerrshëm Divjaka, kur u rrënua gjithë vendi? Me ‘gjarpërinj’ u mbrojt Divjaka. Vlora u sulmua dhe u rrënua, Tirana u rrënua disa herë; Cërrikut dhe Kuçovës i vunë flakën në vitin 1997; vetë selia e qeverisë dhe selia e Televizionit Publik Shqiptar u rrënuan në vitin 1998… Por Divjaka u mbrojt nga ‘gjarpërinjtë’ e vet. Divjaka është e Para që ka mundur ta bëjë këtë. Në Divjakë të thonë se ‘lagunën e mbrojti Aldo Bare’. Aldo Bare është njeriu që nuk ka njeri që nuk ia di emrin; por për keq. Ai tani ndodhet në burg, sepse ka kryer krime. Por Lagunën e mbrojti në vitin 1997 dhe nuk la njeri të shkelte…. Pse? Sepse e donte për vete? Sigurisht!, e donte për vete, Aldo nuk ishte një Robin Hud, thjsht përfitues me forcë; por tani Lagunën e kemi ne. Sikur të ndodhte kështu edhe me krimin tjetër, shtetëror, sot do ta quanim një dhuratë. Të paktën, siç ndodhi me Aldon, të na kthenin paratë e vjedhura përmes korrupsionit madhor. Këta nuk po na i kthejnë.
Me shpresë te zoti se Lagunën nuk do të na e marrë një pushtim tjetër, pushtim i butë, me pallate.
Në Divjakë ka tjetër klimë qytetare; këtu sendi nuk mallkohet e mbahet në ferr. Edhe njerëzit, me njëri tjetrin, nuk kanë as një përplasje. Hajde pak në pedonalen e qytetit: Në skajin verior ndodhen dy monumente ‘heroizmi’, të dyja në krah të njëri tjetrit dhe kundër njëri tjetrit. Njëri është ‘Dëshmorët e Atdheut’- 1944; tjetri është ‘Martirët e Demokracisë’-1991. Po t’i marrësh sipas histerisë së përgjithshme post- komuniste, ‘dëshmorët e atdheut’ do t’i kishin eliminuar këta ‘të demokracisë’, ashtu si këta ‘të demokracisë’ i refuzojnë ata të “Luftës’ dhe u heqin varret. Këtu i venë së bashku; Divjaka është e para që e bën këtë ‘naivitet’.
Hyjnore (didvine) është vërtet; nuk e them nga dehja e atdhedashurisë.
Të dy varkëtarët e shërbimit në Lagunë, dy burra të rinj e peshkatarë nga Divjaka, na njohën me atë krijesë të “Qiellit’, që rrallë shtet tjetër në botë e ka. Po të nisësh rrugën në gjatësinë e Lagunës, ta dish se ke kalëruar mbi një avion që të çon mes qiejve: Poshtë nesh e varkës reflektohet qiell, përballë nesh ka vetëm qiell, dhe lart qielli. Nëse ka bota një vend të qetë ku nanurisin shpirtrat, kjo është Laguna e Divjakës. Ka një sipërfaqe prej 4.500 hektarë; ndoshta më e madhja në kontinent; por më e bukura- po e po.
Laguna ka mijëra ishuj; sa më shumë afrohet stina e turizmit veror, me qindra ishuj të rinj lindin.
5 për qind e shpendëve të të gjithë rruzullit, ndodhen në Lagunën e Karavastasë. Këtu jetojnë 230 specie zogjsh, që rrallë në botë mund të ndodhë. Karavastaja është vendi më i afërt i Europës për në drejtim të Lindjes, ku jeton pelikani kaçurrel; edhe disa çifte të pelikanit blu, gjithashtu. Ishulli i pelikanëve ndodhet në mes të Lagunës, i rrethuar nga roje, nga përkujdesje dhe i vëzhguar vetëm me dylbi. Mbrohen në fshehtësi të madhe, si gjeneralë lufte ose si diktatorë shtetesh… Në Karavasta gjen 29 lloje amfibësh dhe reptilësh. Ndodhen 25 lloje gjitarësh; rrallë kund tjetër nuk e gjeni vidrën, nuselalën, kaprollin dhe dhelprën e kuqe.about:blank
Divjaka si ‘Divine’ ka lidhje me ‘Qielloren’; edhe ata njerëz që vijnë këtu, papritur hyjnë në lidhje me hyjnoren: Lart qiell, nën këmbë qiell me pemë, para teje- qiell dhe zërat e miliona krijesave të natyrës të dhurojnë ‘kupën qiellore’.
Po nuk erdhe, nuk njeh atdheun tënd.